Një danez dhe një italian do të vendosin drejtësi në ndeshjet e kthimit të skuadrave shqiptare për play off-in e Europa League. UEFA ka përcaktuar arbitrat që do të gjykojnë ndeshjet e të enjtes në këtë kompeticion. Në duelin e “Elbasan Arenas” mes Partizanit dhe Krasnodarit, arbitër kryesor do të jetë danezi Jakob Kehlet, ndërsa asistentë të tij Lars Rix dhe Heine Sorensen, ndërsa gjyqtar i 4-t Michael Tykgaard. 35-vjeçari Jakob Kehlet mban stemën e FIFA-s që prej vitit 2011, por pavarësisht kësaj ai është një arbitër jo me ndonjë eksperiencë të madhe në arenën ndërkombëtare.
Për Kehlet, Partizani-Krasnodar do të jetë ndeshja e dytë që gjykon në kompeticionet e UEFA-s në këtë sezon pas takimit të turit të 3-të të Championsit mes irlandezëve të Dundalk dhe bjellorusëve të Bate Borisiv. 35-vjeçari danez ka gjykuar 3 sfida të fazës së grupeve në edicionin e kaluar të Europa League, pikërisht takimet Dinamo Minsk-Rapid Wien, Monaco-Qarabag dhe Paok-Qabala. Në rang kombëtaresh ndeshja më e rëndësishme që ka gjykuar Kehlet është miqësorja e muajit maj të këtij viti mes Suedisë dhe Sllovenisë.
Danezi është një arbitër që lejon lojën e ashpër dhe rrallë herë e nxjerr kartonin nga xhepi. Por me Partizanin që është pothuajse i eliminuar nga Europa League pas humbjes së thellë që pësoi në ndeshjen e parë ndaj Krasnodarit, vëmendja e të gjithë shqiptarëve mbrëmjen e të enjtes do të jetë te takimi mes Shkëndijës-Gent, me skuadrën tetovare që do të synojë të përmbysë disfatën 2-1 të ndeshjes së parë për të siguruar kualifikimin historik në fazën e grupeve të Europa League. Do të jetë 4-she gjyqtarësh nga Italia që do të vendosë drejtësi në këtë sfidë me kryesorin Luca Bantin. 42-vjeçari nga Livorno është një gjyqtar që gjykon rregullisht sfidat e Serisë A italiane, ndërsa mban stemën e FIFA-s që prej vitit 2009. Falë përvojës së madhe që zotëron në fushën e arbitrimit, 42-vjeçarit italian iu besuan disa prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit të kaluar në Serinë A italiane si Juventus-Roma, Napoli-Milan, derbi i kryeqytetit Lazio-Roma apo edhe Lazio-Inter. Borussia Dortmund-Porto ishte një tjetër ndeshje delikate e vlefshme për fazën me eliminim direkt të Europa League edicionin e shkuar në të cilën Banti vendosi drejtësi. Në nivel përfaqësuesesh, 42-vjeçari gjykoi disa prej sfidave kualifikuese të Europianit, Francë 2016-të. Banti shquhet si një arbitër që në shumicën e rasteve nxjerr shumë kartonë. Asistentë të tij në takimin Shkëndija do të jenë Alessandro Costanzo dhe Gianluca Vuoto, ndërsa arbitër i 4-t, Marco Guida.