Deklarata e Albin Kurtit që irritoi Ramën në konferencën për mediat

Kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Kosovës janë përplasur në distancë të afërt sot lidhur me marrëveshjen e Shengenit ballkanik. Ata ishin në krah të njeri-tjetrit në Tiranë, në një konferencë të përbashkët shtypi, në të cilën Albin Kurti i kushtoi rëndësi “Macro-Shengenit shqiptar” dhe anashkaloi nismën e Ramës, ndërsa ky i fundit, i irrituar, nga ana e tij ia ktheu aty për aty: “Nuk mund të ketë “Macro -Shengen shqiptar” pa pasur një “Mini-Shengen ballkanik”.

I pyetur nga gazetarët nëse do të marrë pjesë Kosova në Mini-Shengenin ballkanik dhe a e ka diskutuar këtë çështje sot me Ramën, Kurti tha:

“Ky ishte takimi ynë i parë, ka dhe shumë tema që do t’i trajtojmë dhe në të ardhmen. E trajtuam por shkurtimisht, por le të themi se takimi ynë i parë ishte më tepër për “Makro-Shengenin shqiptar” se sa për ”Mini-Shengenin ballkanik”.

Por, Rama e vazhdoi aty për aty, prerë:
“Ne këtë temë e kemi diskutuar edhe më parë, por nuk besoj se ka “Makro-Shengen shqiptar” pa “Mini-Shengen ballkanik”, që nuk e di kush ia vuri këtë emër. Ne jemi konsistentë në vazhdën e procesit të Berlinit, të harmonizuar në veprimin tonë dhe na hapet rruga që na është mbyllur gjatë gjithë viteve për të hapur një hapësirë të përbashkët midis dy shteteve: Lëvizje të lirë jo vetëm të mallrave, por edhe të njerëzve, për shkak të rezistencës jo vetëm të Serbisë por edhe të shteteve të tjera.

Këtë rezistencë unë e kam thyer dhe le të mos humbasim kohë, sepse as Serbia as vendet e tjera nuk thonë dot se po bëjmë “Shqipërinë e Madhe”. E kam biseduar me Kryeministrin që të fillojmë bisedimet me agjencitë e sigurisë dhe agjencitë e tjera që të çlirojmë tregtinë nga barrierat”.

Artikulli paraprakRritja e mesatares për degët e mësuesisë, një shashkë për të larguar vëmendjen nga…
Artikulli tjetërProvokacion i rëndë, Rama deklaron se nuk ka bashkëpunim shqiptar pa “Jugosllavi të Re”!