Nebil Çika
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra prokurorin pranë Prokurorisë së Rrethit Tiranë, Adnand Xhelili.
KPK shpalli dje vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Prokurorisë së Tiranës, Adnand Xhelili i cili nuk u paraqit në seancë. Trupa gjykuese e përbërë nga Olsi Komici kryesues, Firdes Shuli relatore dhe Brunilda Bekteshi anëtare, vendosi shkarkimin e Xhelilit.
Adnand Xhelili në cilësinë e prokurorit te Tiranës, në vitin 1995 ngriti akuza qe çuan në dënimin për gjenocid të “Byrosë politike” dhe shumë autorëve të tjerë të krimeve të komunizmit.
Xhelili i cili vjen nga shtresa e të përndjekurve politikë ishte paralajmëruar me parë nga individë të prekur prej akuzave të tij për gjenocid ndaj drejtuesve të lartë të diktuarës në 1995 se do të shkarkohej .
Ndërkohë që ka shkarkuar prokurorin që dënoi autorët e krimeve të komunizmit, KPK nuk ka shkarkuar asnjë gjyqtar ose prokuror autor të krimeve të komunizmit duke u mundësuar atyre jo vetëm të mbeten në sistem por edhe të kapin institucionet drejtuese të drejtësisë shqiptare.
Përtej arsyetimit zyrtar të KPK, ne vlerësojmë se shkarkimi i Z.Xhelili ishte për motive të qarta politike, një akt hakmarrje për dënimin e Ramiz Alisë, Nexhmije Hoxhës e të tjerë drejtues të diktaturës komuniste dhe drejtuesve të Sigurimit të Shtetit, krimin e gjenocidit ndaj popullit shqiptar.
Autori, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë