Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një postimi në rrjet kujton 75 vjetorin e Kryengritjes së Kelmendit, në të cilën malësorët u ndeshën ballasi me forcat e diktaturës komuniste, të cilat kishin marrë urdhër të nënshtronin me vrasje dhe terror të gjitha zonat e Shqipërisë.
Basha shkruan në mesazhin e tij se, edhe sot ndokush mund të përkundë të njëjtat ëndrra për likuidimin e çfarëdolloj opozite, por këto ëndrra mbeten iluzione, sa kohë kombi ka dhënë prova legjendare të dinjtetit dhe të dashurisë për larine.
Mesazhi i kryetarit Basha
75 vjet më parë, malësorët e Kelmendit u ndeshën ballasi me forcat e diktaturës komuniste, të cilat kishin marrë urdhër të nënshtronin me vrasje dhe terror të gjitha zonat e Shqipërisë. Kryengritja e Kelmendit, nga të parat më të mëdha në të gjithë Europë e saporënë nën thundrën e komunizmit, jehoi mesazhin se shqiptarët nuk e pranonin diktaturën dhe nuk do ta pushonin luftën kundër saj.
Malësorët e Kelmendit udhëhiqeshin nga legjenda Prek Cali, emri i të cilit për gjysëm shekulli ishte sinonim në të gjitha trojet shqiptare me qëndresën kundër çdo pushtuesi që herë pas here kishte ardhur në Malësi me trupa ushtarake, por ishte larguar prej andej me turp.
Dhuna e ushtruar nga skuadronet e vdekjes së diktaturës ishte e pashoqe. Pasi kishin arrestuar qindra banorë në rrethinat e Shkodrës, klika që kishte marrë pushtetin në Tiranë kishte shpallur operacion spastrimi për të gjitha zonat e veriut, një aksion dhune thellësisht antikombëtar.
Kundër këtyre skuadroneve u ngritën malësorët me prijës Prek Calin. Kryengritja e Kelmendit u shtyp me terror stalinist. Nga popullsia civile u vranë 44 veta, ndërkohë që në gjyqin e marsit, regjimi mori vendimin e pushkatimit të prijësit 70 vjeçar Prek Cali, të bashkëmoshatarit të tij Ded Lulash Smaili, si dhe të 7 malësorëve të tjerë.
75 vjet më vonë, kjo faqe legjendare e rezistencës shqiptare kundër diktaturës, stigmatizohet nga historiografia fallsifikatore e regjimit, ngjarja fshihet nga librat e shkollës dhe dëshmitë e prijësit Prek Cali, me gjithë kullën e tij, rrafshohen, në një përpjekje të mjerë për të zhbërë atë që dot s’zhbëhet, kryengritjen e Kelmendit, që i jep dinjitet dhe lavdi të gjithë Shqipërisë.
Këto përpjekje janë tregues të panikut të pasardhësve të skuadroneve të vdekjes, që erdhën në Kelmend me misionin antikombëtar të spastrimit të territorit nga elementët opozitarë.
Edhe sot ndokush mund të përkundë të njëjtat ëndrra për likuidimin e çfarëdolloj opozite, në mënyrë që banda që ka zaptuar shtetin të mund të lavdërohet se mund të bëjë ç’të dojë në kurriz të vendit dhe shqiptarëve pasi s’i jep llogari askujt.
Por këto ëndrra mbeten iluzione, sa kohë kombi ka dhënë prova legjendare të dinjitetit dhe të dashurisë për lirinë, siç është Kryengritja e Kelmendit.
Ne demokratët dhe të gjithë qytetarët e lirë dhe të ndershëm, do t’i kujtojmë përjetë me nderim Prek Calin dhe kelmendasit e tjerë patriotë, kalorës të lirisë e të atdheut, si mbrojtës të vlerave për të cilat qëndrojmë dhe që i kemi në themel të identitetit tonë.
Misioni i shenjtë i mbrojtjes me çdo kusht dhe me çfarëdo çmimi i lirisë dhe dinjitetit, na bashkon sot nën hijen e rëndë të shkabës dykrenare dhe bijve të saj, martirë të lirisë kombëtare.