Real Madrid, Ronaldo gati për javën e tretë

Lajme pozitive për trajnerin Zinedine Zidane, Cristiano Ronaldo po djeg me shpejtësi etapat e rikuperimit për t’u bashkuar sa më shpejt me skuadrën. Edhe pse Bale po gëzon një formë të shkëlqyer duke i dhënë një ndihmë të madhe skuadrës, portugezi kërkon të mos humbasë kohë duke nisur punën intensive për rikuperimin e plotë të gjurit të dëmtuar në finalen e europianit. Debutimi i CR7 në La Ligan e këtij sezoni mund të bëhet në datën 10 shtator kundër Osasunas në “Santiago Bernabeu”.
Pas 30 ditëve pushim absolut, Cristiano është rikthyer në Madrid ku po ndjek fazën e rikuperimit, madje ai ka nisur stërvitjen me top, por trajneri Zidane kërkon që ai të shfrytëzojë gjithë kohën e duhur për të mos rrezikuar përsëritjen e dëmtimit, pasi sezoni është i gjatë dhe Ronaldo do të mbajë një peshë të madhe fizike. Ronaldo kërkon të marrë sërish për dore Realin e Madridit, madje pak ditë më parë në një intervistë për revistën “World Soccer” ai u shpreh se objektivi i tij këtë sezon është titulli kampion. Për të arritur në majën e Spanjës, padyshim që Reali i Madridit ka nevojë për Ronaldon në formën më të mirë dhe portugezi premton një skuadër më spektakolare me rikthimin e tij në fushë pas ndalesës së imponuar në fillim të shtatorit nga ndeshjet e kombëtareve.

Artikulli paraprakRoma eliminohet nga Champions League
Artikulli tjetër“Mjeshtri” Khedira