Në fjalën e mbajtur pas tryezës së organizuar nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel në Bruksel, kryeministri Edi Rama i ka mëshuar sërish projektit të “Mini-Shengenit ballkanik”, por për herë të parë ai ka pranuar se për këtë nismë që ka nisur së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ende nuk kanë dakordësinë e Bashkimit Europian.
Ai ka folur edhe për ngatërrestarë në rajon dhe në Europë, të cilët sipas tij po pengojnë projektin e ngjizur në Beograd, ku edhe ishte parashikuar që të firmosej në ditë e fundit të vitit të shkuar, por për arsye që ende nuk janë mësuar nuk ndodhi
“Unë jam i bindur që, më herët se vonë, BE, KE do ta mbështesin patjetër këtë vizion se s’ka si të ndodhë ndryshe derisa është një vizion që merr spunto nga 4 liritë e vetë Bashkimit Europian, por, sigurisht, që do të na duhet që të kemi pak durim, sepse ngatërrestarët nuk janë vetëm në Ballkan, janë edhe në Europë, kudo,
kështu që, ndërkohë që BE, KiE, KE kanë shumë probleme të tjera dhe kanë shumë e shumë halle të tjera, kështu që derisa të kenë plotësisht fokus mbi këtë që ne duam të bëjmë, jam i bindur që gjithçka do të kthjellohet dhe pastaj jo vetëm që BE do ta mbështesë fuqimisht, por kam bindjen që vendet do vlerësohen edhe në bazë të qasjes dhe kapaciteteve për të jetësuar hapësirën europiane brenda perimetrit të Shengenit rajonal”, ka zbuluar ai për herë të parë skepticizmin e BE, KiE dhe KE për këtë projekt të shumëpërfolur.
Në deklaratat e mëparshme Rama ka thënë, se kjo nismë ka edhe miratimin e BE-së dhe SHBA-së, por deri më tani asnjë deklaratë serioze në mbështetje të të ashtuquajturit “Shengen ballkanik” nuk ka dalë nga kancelaritë përkatëse.