Të tre kompanitë celulare kanë ulur me 200 lekë paketat standarde duke iu rikthyer çmimeve, që kishin para vendimit të Autoritetit të Konkurrencës. të tre operatorët, Kompania Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom konfirmuan për Monitor se kanë reaguar menjëherë duke rikthyer çmimet e paketave.
Në këtë mënyrë të tre kompanitë celulare kanë zbatuar vendimin nr.680, datë 14.02.2020 të Komisionit të Konkurrencës “Për marrjen e masës së përkohshme për rivendosjen e konkurrencës në tregun me pakicë të shërbimeve celulare”.
Ky vendim u mor të premten, bazuar në nenin 44 të ligjit nr. 9121/2003, referuar sjelljes së ndërmarrjeve Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, pasi Konkurrenca vlerësoi rastin si urgjent, për shkak të rrezikut të kryerjes së një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën në këtë treg, pasi ka të ngjarë të ketë shkelje të nenit 4, që parashikon marrëveshjet e ndaluara, kartel.
Lidhur me këtë, Autoriteti vendosi që kompanitë të bëjnë ndërprerjen e menjëhershme dhe jo me vonë se 5 ditë nga njoftimi i këtij vendimi, të aplikimit të paketave të reja standarde 30-ditore me parapagesë, për ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom.
Masa e përkohshme merret për një periudhë kohore deri në përfundim të procedurës hetimore. Konkurrenca paralajmëroi se në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme, ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom ndëshkohen me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës në zbatim të nenit 74, pika 1, gërma b) të ligjit nr. 9121/2003 dhe me gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore.
Këto masa kanë sjellë reagimin e menjëhershëm Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom që të veprojnë në përputhje me vendimin për masat e përkohshme, në zbatim të nenit 76, pika 1, germa b) të ligjit nr. 9121/2003 duke shmangur në këtë mënyrë gjobat ditore.
Ndërkohë Autoriteti i Konkurrencës me një tjetër vendim, nr.679, datë 14.02.2020 ka vendosur hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, që do të përfshijë periudhën nga 1 nëntori 2019 deri më 31 mars 2020.
Nga monitorimi i Monitor çmimet u rritën me 200 lekë sipas datave më 30 janar për Albtelekom, 5 shkurt për Telekom dhe 11 shkurt për Vodafone por që janë rikthyer sot 17 shkurt në vlerat që kishin para rritjes, pra janë ulur me 200 lekë.
Rritja e çmimeve të operatorëve u denoncua nga mediat dhe nga LSI.