Koncesioni i check-up në SPAK. PD 7 akuza për Ilir Beqjen, Ogerta Manastirliun, Vilma Nushin dhe 10 të tjerë

Partia Demokratike ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, SPAK, kallëzimin penal për koncesionin e check up-it. Duke e konsideruar atë si një nga vendimet më korruptive të qeverisë Rama, Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK të paktën dhjetë persona, mes të cilëve ish Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Ministren aktuale të Shëndetësisë, Ogerta Manstirliu dhe aksioneren e kompanisë përfituese të check up-it, Vilma Nushi. Ata ngarkohen me 7 akuza, që nga korrupsioni aktiv dhe pasiv, shpërdorimi i detyrës deri tek përfitimi i paligjshëm.

Kallzimi penal ka analizuar me prova dhe fakte shkeljen e ligjit, në dy faza, në procedurën e dhënies në koncesion dhe përzgjedhjes së fituesit, si dhe në periudhën e zbatimit të kontratës.

Në kallëzim evidentohet se Ministria e Shëndetësisë ka shkelur procedurat ligjore për shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës, si dhe ka shpallur fitues ofertuesin me çmimin më të lartë, duke sjellë dëm të lartë financiar për Buxhetin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor. “Sipas provave të administraura rezulton se Ministria e Shëndetësisë, ka pasur ngut të pashpjegueshëm për të përfunduar, në mënyrën e parapërcaktuar, këtë procedurë koncesionare. Ajo ka prezumuar mungesën e ankimit nga operatorët e tjerë, fakt ky që provon se e gjithë procedura koncesionare ka qenë fiktive dhe fituesi ishte paracaktuar”, thuhet në kallëzimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi.

Në kallëzimin e dorëzuar prej Partisë Demokratike vihet në dukje, përmes provave, se funksionarët publikë nuk kanë ushtruar kontrolle apo kanë lejuar vazhdimin e shkeljeve të kontratës, duke i sjellë një dëm të jashtëzakonshëm qytetarëve shqiptarë dhe financave të shtetit. “Kjo nuk kryhet vetëm si pasojë e paaftësisë, por ka në bazë një interes financiar dhe ekonomik, që i detyron të mos kryejnë detyrën funskionale dhe duke lejuar shkeljet e jashtëzakonshme të kontratës”-thuhet në kallëzimin e Partisë Demokratike.

Të gjitha shkeljet e kryera kanë sjellë dëm ekonomik për Buxhetin e Shtetit, dhe se është provuar shkelje e barazisë në tëndera, si dhe cënimin e interesit publik, duke pasur parasysh cilësinë e shërbimit dhe marrëdhënien financiare ndërmjet fituesit dhe Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Artikulli paraprakSkandali pornografik që tronditi Francën, shkaktari një aktor rus?
Artikulli tjetërSherr masiv mes shoferëve në Tiranë, as policia nuk arrin t’i ndajë…