Presidenti Ilir Meta ka njoftuar sot një tjetër konferencë për mediat.
Sipas presidencës, Meta do të ketë një konferencë për shtyp në orën 14:30. Ende nuk dihet se çfarë do të deklarojë Meta, por besohet se do të lidhet me thirrjen e tij për protestë më 2 mars të këtij viti.
“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, sot në ora 14:30, do të ketë një konferencë për shtyp. Ftohen mediet për transmetim LIVE!”
Ai kohët e fundit ka hedhur sulme ndaj mazhorancës duke thënë se rilindja po bën grusht shteti.
Pas deklaratës së kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla se akuzat e Presidentit Meta janë një kapriço e tij personale dhe se s’mund të ndalin procesin e integrimit, ka ardhur edhe përgjigjja e Presidencës.
Në një status në Facebook, zëdhënësi Tedi Blushi shkruan se Balla “e ka festuar tre herë çeljen e negociatave”, megjithëse ato ende nuk janë çelur.
Ai paralajmëron fakte të reja dhe e mbyll postimin e tij duke i thënë Ballës se ka “kohë deri në 2 mars të marrësh kthesën e radhës, siç e merr gjithmonë”.
Lum Shqipëria për Tao Taon se ky vetëm për hapjen e negociatave punon.
Ka harruar që e ka festuar tre herë çeljen e negociatave deri tani.
Ka harruar që ngritja e Gjykatës Kushtetuese është kyç për çeljen e tyre.
Po ligjin anti-kushtetues Dvorani pse e miratuat pa pritur Venecian? S’ka nevojë, thotë Tao Tao, sepse pamë disa sugjerime që Venecia u ka dhënë disa vendeve të tjera që kanë Kushtetutë tjetër nga e jona, dhe s’mund të ndalonim ta bënim fakt të kryer ligjin mafioz të rrëmbimit të Gjykatës Kushtetuese.
Po me ish-ambasadorin e nderuar Cutillo që ju lutët të dilte në TV e të vinte në diskutim dekretin e Presidentit si do ia bëni?
Apo s’ka problem se ai iku e s’merr vesh që ju e pretë në besë.
Po me ambasadën e SHBA si do ia bëni, se edhe ajo bëri goxha deklaratë për të thirrur Venecian?
Se ju si proamerikanë të paparë s’lëvizni asnjë presje pa u konsultuar me ta?
Duan të sabotojne ndihmat (borxhet) thotë Tao. Vetëm një PPP e tyre shkon 1 miliardë euro. Edhe 20 miliardë euro borxhe të japë bota, duke rrëmbyer Gjykatën Kushtetuese në mënyrë mafioze nga kjo bandë, asgjë nuk do shkojë në xhepat e shqiptarëve, por në xhepat e tyre dhe të disa kreditorëve.
Ah po, shqiptarët do fitojnë si gjithmonë shumëfishimin e taksave.