Shëngjini në flakë, ushtria bën fushatë në Dibër

Situata po shkon drejt katastrofës, ndërsa ushtria dhe mjetet e saj janë dërguar nga Mimi në fushatën zgjedhore në Dibër për të mbështetur kandidatin e PS

Zjarri në zonën e Shëngjinit nuk po ndalet, duke rrezikuar edhe lagjet periferike të qytetit, ndërsa i gjithë pylli po shkrumbohet plotësisht nga flakët. Raportohet se në zonën ku ka rënë zjarri janë dëgjuar edhe shpërthime të fuqishme, si rezultat i mbetjeve eksplozive që nga periudha kur zona ishte e kufizuar vetëm për ushtarakët. Situata po shkon drejt katastrofës, ndërsa ushtria dhe mjetet e saj janë dërguar nga Mimi në fushatën zgjedhore në Dibër për të mbështetur kandidatin e PS.
Për shkak të mungesës së mjeteve të ushtrisë shqiptare, pasi janë angazhuar në fushatën elektorale, është kërkuar ndihmë nga Italia për ndërhyrje nga ajri. Në terren ndodhen forcat zjarrfikëse dhe mjaft banorë të zonës që po luftojnë me flakët për shuarjen e zjarrit që ka marrë përmasa të frikshme.
Zjarri është shfaqur pasditen e të mërkurës dhe ka vijuar për gjatë gjithë ditës së djeshme ku u aktivizua edhe një vatër tjetër në malin e Shëngjinit në afërsi të “Ranës së hedhun”. Burimet nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se, flakët që kanë përfshirë masivin pyjor u riaktivizuan dhe janë përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë, duke e nxjerrë situatën nga kontrolli.
Sipas burimeve në vendngjarje zjarri iu është afruar resorteve turistike në zonën e Ranës së Hedhun. Për të mos lejuar deportimin e tij në zonën e banuar, 7 makina zjarrfikëse janë vendosur përgjatë rrugës. Për shkak të ndryshimit të kahut të erës dhe terrenit të vështirë është e pamundur ndërhyrja në brendësi e zjarrfikësve nga toka. Aktualisht në vendngjarje janë mbi 100 forca ta zjarrfikseve dhe policisë.
Prezenca e tymit në bregdet ka bërë që edhe pushuesit të largohen nga zona. Ndërkohë, banorët e zonës së portit, të cilët mbrëmjen e së mërkurës u evakuuan për shkak të pranisë së flakëve në afërsi të banesave janë rikthyer në shtëpitë e tyre.
Edhe prefekti i Lezhës, Eduard Ndreca e ka përcaktuar situatën tepër të rëndë. Ai ka kërkuar ndërhyrjen e forcave të ushtrisë si dhe ka bërë kërkesë për dërgimin e helikopterëve për shuarjen e zjarrit. Ndërkohë, Policia e Lezhës bëri të ditur se ka vënë në pranga një 63-vjeçar, i cili dyshohet se është autori i vënies së zjarrit në malin e Shëngjinit. Sipas policisë, Pergjoni ka patur si qëllim ripërtëritjen e kullotave, me qëllim që të kulloste bagëtitë që mban në një stan në Malin e Shëngjinit. Pikërisht në afërsi të stanit të Pergjonit është evidentuar edhe vatra e zjarrit, që më pas ka marrë përmasa të mëdha, i favorizuar nga era.
Zjarri masiv që përfshiu pasditen e të mërkurës, Malin e Shëngjinit në Lezhë, rrezikoi dhe banesa, por dhe cisterna karburanti, të cilat ndodhen afër portit. Për shkak të terrenit të vështirë, zjarrfikësit e kishin të pamundur të vinin kontroll mbi zjarret që po u afrohen hoteleve te Rana e Hedhun. Flakët janë bërë mëe të fuqishme edhe për shkak të resë së tymit. I gjithë Shëngjini është mbuluar me tym, kurse pronarët e resorteve dhe të hoteleve janë në alarm. Pushuesit nisën të largoheshin dhe braktisën plazhin që në orët e para të ditës.
Aktivizimi i zjarreve ka nisur prej dy ditësh në lartësinë e Lezhës. Kurse gjatë natës së shkuar një zjarr i fuqishëm u aktivizua në malin e Shëngjinit. Shumë banorë u alarmuan dhe kërkonin ndihmë.
R.POLISI

Artikulli paraprakZeqineja liron përgjegjësin e landifilldit ku vdiq 17-vjeçari
Artikulli tjetërUragan dibran në prezantimin nga Basha të Shehut