48 skuadra në 12 grupe, UEFA Europa League merr formë për sezonin e ri nga Monako. Në Principatë të gjithë njohën kundërshtarët e tyre. 16 skuadra e fillojnë sezonin tani, ndërsa 10 të tjera erdhën nga Playoff i UEFA Champions League. Pa harruar edhe debutues si Mainz 05, Nice apo dhe modestët e Osmanlispor.
Të pranishëm edhe dy kuqezinj, Ansi Agolli me Qarabag dhe Ergys Kaçe, i sapotransferuar tek Viktoria Plzen. Përsa ju përket 12 grupeve, ato u ndanë në 6 me ngjyrë të kuqe e 6 të tjera blu.
Grupi A duket më i forti ku Manchester United, Fenerbahce dhe Feyenoord do të luajnë për dy vende me anglezët favoritë për kreun. Historia e bën grupin G gjithashtu interesant. Ajax, Celta Vigo dhe Panathinaikos duhet të likojnë njëra-tjetrën, por edhe Standard për dy vende që të çojnë më tej.
Ansi Agolli e fillon rrugëtimin nga grupi J, ku Qarabag do të përballet me Fiorentina’n, PAOK dhe Liberec. Edhe Kaçe do të luajë ndaj italianëve, pasi Viktoria Plzen u vendos në grupin E bashkë me Roma’n, Austria Wien dhe rumunët befasues të Astra’s.
Ky është një nga dy sezonet e fundit që fituesi i shpërblyer me 15.71 milionë euro merr pjesë në Playoff’in e UEFA Champions League. Nga ai 2018-2019, fituesi i UEFA Europa League, do të jetë pjesëmarrës direkt në grupet e UEFA Champions League. Ndeshjet e fazës së parë do të luhen në 15 dhe 29 shtator, 20 tetor, 3 dhe 24 nëntor për të mbyllur grupet në 8 dhjetor. Të gjitha në Supersport.
Sadiku e Kukeli, nga liga e dytë zvicerane në grupet e E. League
Armando Sadiku dhe Burim Kukeli me skuadrën e tyre të Zyrihut janë bërë këtë sezon pjesë e një precedenti që ndodh rrallë në futbollin europian. Zyrihu militon në ligën e dytë zvicerane, por këtë sezon merr pjesë në grupet e Europa League. Zyrihu ra sezonin e kaluar nga kategoria në Zvicër, por në fund çuditërisht arriti të fitojë kupën dhe për këtë fakt merr pjesë direkt në grupet e Europa League.
Skuadra zvicerane, që ka në organikën e saj edhe dy lojtarët e kombëtares shqiptare, Armando Sadiku dhe Burim Kukeli, është vendosur në Grupin L nga shorti i hedhur këtë të premte, së bashku me Vilarealin, Steauan e Bukureshtit dhe skuadrën turke të Osmanlispor. U fol shumë këtë merkato vere për një transferim të mundshëm të Sadikut drejt një kampionati më të fortë, por duket se drejtuesit e Zyrihut kanë vendosur ta mbajnë të paktën edhe për një sezon sulmuesin e kombëtares shqiptare.
Skuadra e Karabak me të cilën luan lojtari i kombëtares kuqezi, Ansi Agolli, do të jetë në grupin J, së bashku me Fiorentinën, PAOK-un dhe çekët e Liberecit. Ky është verdikti i shortit të Europa League. Për shkak të koeficientit të skuadrave, shorti evitoi një përplasje mes dy pretendentëve të këtij sezoni United dhe Inter, kjo e fundit skuadra me të cilën Mourinho fitoi tripletën në sezonin 2009-2010.
Skuadrat italiane duhet të kenë mbetur të kënaqura nga goglat e hedhura në Nion të Zvicrës, pasi i kanë vendosur ato në grupe me skuadra të kalueshme. Roma është në grupin E, së bashku me Austrinë e Vienës, Viktoria Plzen dhe rumunët e Astras.
Ndërkohë, Interi duhet ta ketë të lehtë synimin për të kaluar si i pari i grupit, pasi do të përballet me Sparta Pragën, Sauthemptonin dhe ekipin izraelit Hapoel Shiva. Sezoni i ri i Europa League do të startojë me 15 shtator dhe vetëm 2 skuadrat e para të grupeve do të kalojnë në fazën tjetër. Finalja e madhe e këtij kompeticioni do të luhet majin e ardhshëm në “Friends Arena” të Stokholmit.