Rikthim dinjitetit dhe shpresës tek dibranët

Sherefedin Shehu

Jam sot para jush për të kërkuar edhe një herë besimin tuaj, por kësaj here jo për t’ju përfaqësuar, por për të punuar bashkë me ju për të ndryshuar Dibrën e për t’u dhënë shpresë dibranëve.
E mora këtë vendim, për të kandiduar për detyrën e kryebashkiakut, për të shlyer me punën time borxhin e madh që i kam Dibrës. Këtu u linda dhe u rrita. Dibra më mbështeti në rrugën time si profesionist e politikan, më votoi dhe më nderoi. Por mbi të gjitha më dha emrin dibran, i cili më bëri krenar kudo ku kam shkuar e punuar, në Shqipëri apo në botë.
Për këto arsye, unë sot qëndroj para jush jo vetëm si profesor, si ekonomist, e as thjesht si politikan, por si njeriu që do të shërbejë e të ndërtojë bashkë me ju Dibrën.
Dibra ka provuar këto 3 vjet mashtrimin, dhunën e pushtetit dhe grabitjen e pushtetarëve dhe të klientëve të tyre. Qeveria ka poshtëruar qytetarët, rritur varfërinë dhe rinia ka humbur shpresën për të jetuar në këtë vend. Pas gjithë këtyre, Kryeministri vazhdon të tallet me dibranët duke ju kërkuar mbështetje që t’ju shtojë të zezat që ju ka bërë në këto 3 vjet.
Por ai nuk mund të tallet me dibranët.
Ju e njihni Bexhet Becin, por edhe shumë familje të tjera që janë në errësirë sepse nuk mund të paguajnë faturën e rritur të dritave që u premtoi se do ta ulte. Shumica e familjeve dibrane presin të marrin ndihmën ekonomike për të paguar faturën e dritave.
Ju e njihni Izet Selxhaferin, i cili kish të punësuar 50 vetë në linjën e përpunimit të frutave, por që po falimenton. Në këtë situatë janë edhe kompania Koop- Frut 2012, Frigoriferi i Mollëve i vëllezërve Nikolli, baxhoja dhe tufa e dhive të Selmanit në Muhurr, etj.
Ju e dini se u mbyll filiali i universitetit e tarifat u rritën dhe për pamundësi financiare shumë studentë si Daije Kadriu, Ervis Murrja, Gresa Alku, Hike Hoxha, etj., i ndërprenë studimet.
Pronarët e autobusëve dhe furgonëve kanë humbur punën nga pazaret e licencave. Por dhe ata që i morën janë nën presion nga kriteret skualifikuese absurde të Bashkisë, të cilat kapërcehen vetëm duke paguar nën dorë.
Por, ka edhe më keq mbasi ju i njihni Adraman Selishtën dhe Pëllumb Farrukun, të cilët u burgosën dhe gjobitën për ndërtimin e një shtëpie të thjeshtë në tokat e tyre në fshat.
Këtë situatë unë e kam denoncuar në Kuvendin e Shqipërisë, por për të qenë në krahun tuaj, për t’i dhënë zgjidhje së bashku problemeve të Dibrës, për t’u dhënë shpresë dhe punë me dinjitet dibranëve, e mora vendimin të ofroj veten time për t’i shërbyer Dibrës dhe dibranëve.
Bashkë me vendimin unë kam përgatitur edhe projektin për zhvillimin e Dibrës për t’u dhënë zgjidhje halleve dhe problemeve të shumta:
Kam takuar mjaft familje që janë në errësirë se s’paguajnë dot energjinë. Unë sot dua t’u them këtu para jush, se në Bashkinë e Dibrës nuk do të ketë më asnjë familje që do të rrijë në errësirë se s’paguan dot energjinë. Bashkia do të vërë në dispozicion një fond të posaçëm për familjet në pamundësi ekonomike për t’u paguar faturën e energjisë që fëmijët të kenë mundësi të mësojnë në dritë.
Vizitova bizneset dhe dyqanet dhe u jam angazhuar që tarifat e shërbimeve për ta do të jenë zero dhe se vendimi im i parë do të jetë ai i uljes në minimum të taksave për biznesin e vogël. Ata do të jenë partnerët e mi për zhvillimin dhe zbukurimin e qytetit.
Ndërsa fermerët dhe blegtorët do të mbështeten me ndihmën ekonomike kur ata kanë më shumë nevojë, me ndërmjetësim dhe kontakte me tregtarët, si edhe me panaire lokale për kontraktimin dhe shitjen e produkteve të tyre. Ata do të këshillohen dhe ndihmohen nga profesionistët që sot mungojnë në Bashki.
Eksperiencën time do ta vë në shërbim të tyre për të sjellë fonde, të cilat mbështesin investimet për baxho, frigoriferë, magazina dhe linjat e përpunimit.
Përvoja dhe besimi që kanë tek unë partnerët dhe institucionet financiare vendase dhe të huaja, do të sjellë investime për shfrytëzimin e burimeve minerale të gipsit dhe gurit të kuq, si edhe të burimeve të tjera që ka Dibra. Ndërsa në bashkëpunim me Agjencinë gjermane për Zhvillim (GIZ) do të punojmë për identifikimin dhe mbështetjen e projekteve për zhvillimin e turizmit familjar, si shtëpitë pritëse apo hanet, shtigjet turistike, etj.
Si profesor dhe njeri i universiteteve do të garantoj rikthimin e shkollës së lartë universitare në Dibër sipas një modeli të përshtatur me arsimin profesional që i përgjigjet tregut të punës dhe i shërben zhvillimit të zonës tonë.
Pastrimi i qytetit dhe heqja e mbetjeve urbane do të përmirësohen që në muajin e parë të punës time, ndërsa përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm do të jetë prioritet i vazhdueshëm për të gjithë Dibrën.
Për zhvillimin e Dibrës zotimi im është mirëmbajtja, zgjerimi dhe përmirësimi i rrugëve të fshatrave me ndërmarrjen e mirëmbajtjes në varësi, por do të zbatoj edhe shumë projekte të mëdha të infrastrukturës.
Prioriteti im janë: Asfaltimi i çdo blloku banimi dhe rivitalizimi i hapësirave të gjelbërta në qytet, Unaza e madhe e Peshkopisë, ndërtimi i parkut të gjelbër të qytetit të Peshkopisë, asfaltimi i rrugëve turistike drejt Korabit, Lurës, Selishtës, Dardhës, Reçit, Muhurrit, Arrasit, rrugët e fshatrave Dovolan, Majtarë, Melan, Staravec, Shimcan, Zimur, Bellove, Rabdisht, Zagrad, Cerjan, Vrenjt, Limjan, Shumbat, Venisht, Dypjakë, Sllatine, Kalle, Zall-Kalis dhe Tejs-Radomirë. Ne do ta kthejmë Dibrën në një kantier të madh pune dhe punësimi.
Miradministrimi dhe zgjerimi i rrjetit vaditës do të jetë prioriteti për mbështetjen e bujqësisë. Projektet më të rëndësishme që do të zbatoj janë: Kanalet vaditës rezervuari i Bllacës-Maqellarë dhe Cernjevë-Shumbat, dhe zgjatimi dhe përmirësimi i kanaleve të Fushë Cidhnes, Llixha-Kandërr, Sohodollit, si dhe i të gjithë kanaleve të tjerë ekzistuese.
Qyteti do të ketë një rehabilitim të plotë të fasadave dhe ndërtesave karakteristike dhe do të rikonstruktohet Qendra Kulturore e Fëmijëve, e kombinuar edhe me funksionin “KINEMA”.
Së fundi duke përgëzuar futbollistët e Korabit ju premtoj se do të fillojmë projektin e rikonstruksionit të plotë të stadiumit të futbollit “Korabi” për ta bërë të standardeve të superligës.
Jam i bindur se shumë prej jush me dashamirësi, por dhe kundërshtarët tanë do të fillojnë sulmet. Po lekët ku do t’i gjejë?
E para është vizioni, prioritetet e qarta dhe dëshira për t’u shërbyer qytetarëve. Dhe ne këtë e kemi dëshmuar.
Përvoja, integriteti dhe besueshmëria ime janë garanci për sigurimin e financimit të projekteve nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe donatorët.
Por garanci mbi garancitë e imja dhe e juaja e të gjithëve ne, është Kryeministri i ardhshëm Lulzim Basha, i cili Dibrën e ka pasur, e ka dhe do ta ketë në prioritetet e tij.
E jo vetëm kaq, por së bashku me Lulzim Bashën, ne do të përfundojmë atë që nisëm, Rrugën e Arbrit.
Prandaj mbështetja juaj për mua mbetet garancia më e madhe për kthimin e punës dhe dinjitetit të Dibrës.

Artikulli paraprakShoqëria e dëshpëruar, po rikthehet shpresa si në ‘90
Artikulli tjetërRrëzojmë Ramën në Dibër e gjithë Shqipërinë