Kandidati për kryetar bashkie në Dibër, Sherefedin Shehu, së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilluan një takim me të rinjtë në Peshkopi. Krijimi i kushteve për arsimim dhe mundësive për punësim janë prioritet i Sherededin Shehut. Mes entuziazmit të të rinjve, Shehu tha se që në moshën 22- vjeçare ka punuar me të rinj dhe sot të rinjtë janë energjia që të mundësojë realizimin e projekteve të tij.
“Ju na jepni zemër. Ju jeni dëshmia që fitorja vetëm pret datën 11. Edi Rama ka thënë që unë jam pak i vjetër, por fatmirësisht unë jam rritur me rininë. Që në moshën 22-vjeçare unë kam qenë profesor. Ju do të jeni pjesa e ndryshimit të qytetit. Unë do t’u mbështes që të shkolloheni ashtu siç e meritoni ju edhe Dibra. Dibra është vendi me pasuri intelektuale. Dibra është vendi me një trashëgimi të madhe dhe kësaj pasurie ne do ia rrisim vlerat, duke sjellë investime në Dibër. Flasim për investime private. Ne do të krijojmë një vizion të ri, por realizimi i tyre kërkon energji dhe atë energji do e marrë tek ju. Ju do të jeni energjia e realizimit të projekteve të zhvillimit të Dibrës”, tha Shehu.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi se rinia është pararendëse e fitores së PD-së në Dibër dhe gjithë Shqipërisë. Ashtu si në vitet ‘90, edhe sot është detyrë e rinisë të largojë të keqen dhe t’ua kthejnë dibrën, dibranëve.
“Ju jeni paralajmëruesit e parë të fitores tonë. Fitorja nuk është kurrë më e sigurtë se sa kur është në duart e rinisë dhe fitorja në Dibër është në duart e rinisë dibrane”, tha Basha.
Një ditë më parë, kandidati demokrat, Sherefedin Shehu shpalosi para dibranëve programin e tij për drejtimin e Bashkisë, program i cili gjeti mbështetjen e fortë të qytetarëve.
Shehu renditi para dibranëve prioritetet e tij, ndërsa citoi se në programin e tij parashikohet asfaltimi i çdo blloku banimi dhe rivitalizimi i hapësirave të gjelbërta në qytet, Unaza e madhe e Peshkopisë, ndërtimi i parkut të gjelbërt të qytetit të Peshkopisë, asfaltimi i rrugëve turistike drejt Korabit, Lurës, Selishtës, Dardhës, Reçit, Muhurrit, Arrasit, rrugët e fshatrave Dovolan, Majtarë, Melan, Staravec, Shimcan, Zimur, Bellovë, Rabdisht, Zagrad, Cerjan, Vrenjt, Limjan, Shumbat, Venisht, Dypjakë, Sllatinë, Kalle, Zall-Kalis dhe Tejs-Radomirë. Në mënyrë të veçantë, Shehu u ndal tek punësimi, ndërsa tha se Dibra do të shndërrohet në një kantier të madh pune dhe punësimi.