Kosovë, nga 680 milionë euro borxhe falen vetëm 100 milionë euro

Ka mbetur edhe një ditë, ku Ligji për Faljen e Borxheve është në fuqi, ndërsa mbi 100 milionë euro borxhe janë falur deri më tani nga 680 milionë euro sa parasheh që të falë Ligji për Faljen e Borxheve. Zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë thënë për gazetën “Zëri” se Ministria nuk ka kompetenca të shtyjë afatin për faljen e borxheve. Sipas tyre, nëse do të ketë shtyrje të afatit, atëherë për këtë do të vendosë Kuvendi i Kosovës. “Ligji skadon më 2 shtator. Nuk ka fuqi juridike as qeveria, as Ministria e Financave që të shtyjnë afatin e këtij ligji. Nëse Kuvendi vendos ndryshe, është çështje tjetër, por nuk besojmë se do të arrihet të merret vendim nga ana e Kuvendit të Kosovës për shtyrje të afatit të Ligjit për Faljen e Borxheve Publike”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë, të dhënë gazetës.
Sipas tyre, deri më tani janë falur mbi 100 milionë euro, por që rezultatet priten të ndryshojnë dita-ditës. “Shuma e borxheve të falura vazhdimisht ka ndryshuar dhe ndryshon në çdo moment, prandaj është vështirë të thuhet shuma e borxheve të falura deri më tani për faktin se qytetarët në çdo moment paguajnë për të përfituar nga falja. Duke u bazuar në të dhënat e disponueshme, shuma e falur deri më tani e kalon vlerën prej 100 milionë eurove. Ajo që mund të konstatojmë është se në të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces kemi vazhdimisht shtim të numrit të qytetarëve për të përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike, veçanërisht gjatë ditëve të fundit”, thuhet më tej në përgjigje.

Ligji skadon më 2 shtator

Zyrtarë të Ministrisë kanë ftuar institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike t’i bëjnë përpjekjet e nevojshme gjatë këtyre ditëve, të komunikojnë me qytetarët dhe me bizneset në mënyrë që ata t’i përmbushin obligimet e tyre ligjore për të përfituar nga falja e borxheve. “Si Ministri e Financave aktualisht jemi të përkushtuar që këtë proces ta përmbyllim sa më suksesshëm, prandaj në përmbyllje të tij, pas datës 2 shtator 2016 do të hartohet një raport përmbledhës për të gjitha institucionet, i cili do të bëhet i njohur për qytetarët dhe mediet”, thuhet në përgjigjen dhënë gazetës. Ndërsa përfaqësues të ndërmarrjeve publike thonë se në dy muajt e fundit ka pasur më shumë aplikim për falje të borxheve, pasi që, sipas tyre, në periudhat e mëhershme numri i qytetarëve që ka aplikuar për falje të borxheve ka qenë shumë i ulët.
Arieta Mjeku, zëdhënëse në ujësjellësin rajonal “Prishtina”, ka thënë se shuma e borxheve të falur deri më tani është 8 milionë euro, ndërsa ajo thotë se janë paraparë që të falen rreth 23 milionë euro borxhe. “Deri në muajin qershor ne nuk kemi qenë të kënaqur me aplikimin e qytetarëve për faljen e borxheve, ndërsa në dy muajt e fundit numri i qytetarëve, të cilët aplikojnë për falje të borxheve është rritur dukshëm, ku kjo po ndikon edhe në inkasimin e të hyrave të kompanisë”, ka thënë ajo.

Dogana fali 4.3 milionë euro borxhe

Ndërsa Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës, ka thënë se presin që shuma e borxheve të falura të arrijë vlerën rreth 4.384.025,00 euro. “Në vazhdën e mbarëvajtjes së procesit për falje të borxheve nga statistikat vijmë në konkludim se jemi në pritje të lajmërimit të subjekteve për dakordim të borxhit për falje në vlerë prej 4.384.025,00 eurosh dhe inkasimi i borxheve në vlerë prej 258.863,00 eurosh”, ka thënë ai. Ndryshe, përfaqësues të Shoqërisë Civile vazhdimisht kanë dhënë vërejtje ndaj Ministrisë së Financave rreth mënyrës së faljes së borxheve. Sipas tyre, në rast se nuk ndryshon procedura e faljes, që borxhet të falen pa kushte, si dhe nuk do të këtë shtyrje të afatit për falje të borxheve, atëherë, sipas tyre, nuk mund të arrihen rezultatet e pritura për faljen e borxheve.
Ndryshe, Ligji për Faljen e Borxheve ka hyrë në fuqi që nga nëntori i vitit të kaluar, ndërsa sipas ligjit për të përfituar nga falja e borxheve personat fizikë edhe juridikë duhet të kryejnë pagesën e plotë të obligimit për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014, atëherë personat e këtillë përveç faljes së tërësishme të borxhit për periudhën deri në dhjetor të 2008-ës do të përfitojnë me faljen e gjobave-interes dhe çdo obligim tjetër që rrjedh nga mospagesa me kohë e kryerjes së borxhit për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014.

Artikulli paraprakBizneset në krizë ulin konsumin e energjisë me 5.2% në 6-mujorin e parë
Artikulli tjetërKosovë, Qeveria e angazhuar në luftën kundër pastrimit të parave