Kosovë, 55 projekte në infrastrukturë me vlerë 2.7 miliardë euro

Qeveria e Kosovës miratoi Listën Prioritare të Projekteve Infrastrukturore. Para dy vitesh, nën udhëheqjen e Kancelares Merkel u organizua takimi i Ballkanit Perëndimor në Berlin me qëllim të dakordimit të prioriteteve për investime infrastrukturore në Ballkan Perëndimor. Bashkimi Evropian ka ndarë 1 miliard euro për financimin e projekteve infrastrukturore që do të dalin nga procesi i Berlinit, përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor.
Për të pasur qasje në këto fonde janë përmbushur dy kritere kyçe që janë: Themelimi i Këshillit Kombëtar për Investime, dhe; Përgatitja e Listës Prioritare të Projekteve Infrastrukturore. Programi i investimeve infrastrukturore përmban 55 projekteve në vlerë prej 2.7 miliardë euro. Institucionet e Kosovës kanë arritur të përgatitin një program të qartë të investimeve infrastrukturore për vitet dhe dekadat në vijim.
Republika e Kosovës tashmë ka përfituar grantin e parë investiv për Rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10, në vlerë prej afro 52 milion Euro. Projektet e tilla, përpos ndërtimit të infrastrukturës së re apo rehabilitimin e saj, do të sjellë integrim më të mirë të tregjeve, lëvizjen më të mirë të udhëtarëve dhe forcimin e konkurrueshmërisë së vendit.
Lista Prioritare e Projekteve Infrastrukturore do të shërbejë si udhërrëfyes për investimet e ardhshme infrastrukturore në Kosovë dhe bazë për orientimin e shpenzimeve tona buxhetore, asistencën e donatorëve dhe negociatave financiare me Bankat zhvillimore.

Artikulli paraprakKosovë, Qeveria e angazhuar në luftën kundër pastrimit të parave
Artikulli tjetërGjobat nga doganat, bizneset nuk kanë ku të ankohen