SHBA dhe BE kundër përgjimeve masive me kamera nga qeveria

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ia ka fshehur Parlamentit një raport të ICITAP dhe PAMECA mbi ligjin “për masat shtesë të sigurisë publike”. Misioni i Departamentit Amerikan të Drejtësisë ishte shprehur kundër vendosjes së kamerave me detyrim në ambientet publike e private. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, e përmendi këtë fakt në relacionin që shoqëroi vendimin e tij për ta kthyer këtë ligj në Kuvend. “Në arsyetimin e kthimit të këtij ligji janë marrë në konsideratë gjithashtu komentet dhe mendimet e misioneve PAMECA IV dhe ICITAP, të cilat kanë identifikuar cënimin e një sërë të drejtash themelore, për të cilat kanë dhënë rekomandimet përkatëse”, shkruan Nishani. Raporti i zbuluar nga “HashtagAl” tregon detaje të tjera mbi qëndrimin që në veçanti ICITAP ka patur mbi ligjin. Këtë raport ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ua fshehu dy komisioneve parlamentare; Komisionit të Ligjeve dhe Komisionit të Sigurisë.
ICITAP ka patur një letërkëmbim me ministrin Tahiri në periudhën prill–qershor 2015. Misioni i Asistencës Ligjore të SHBA i kishte kërkuar një raport të detajuar mbi arsyet përse duhej miratuar ky ligj, përse duheshin vendosur kamerat me detyrim në ambientet publike e private. Por Tahiri e injoroi këtë kërkesë. Ai nuk ua paraqiti kurrë amerikanëve relacionin e kërkuar. U dërgoi vetëm draftin, të cilin, më pas e dërgoi në Kuvend, në tetor të 2015, pa u konsultuar me ta.
Në raport thuhet: “Ministria e Brendshme dorëzoi pranë ICITAP vetëm kopjen e projektligjit dhe nuk e shoqëroi me ndonjë relacion shpjegues dhe as nuk u mbajt ndonjë takim për të shpjeguar tekstin dhe ndryshimet e bëra në versionin fillestar. Si rrjedhojë nuk është e qartë nëse në këtë, gjatë hartimit të këtij versioni janë marrë parasysh mendimet e ICITAP (Prill 2015) mbi versionin e mëparshëm. Siç do të shihet dhe më poshtë, shumë prej komenteve të ICITAP janë përsëritje e mendimeve tona mbi versionin e parë të këtij projektligji”.
Ndryshimet e kërkuara nga ICITAP, në raportin që ata i kishin dërguar, ishin injoruar gjithashtu. ICITAP e kishte bërë mjaft të qartë: Tahiri duhet të hiqte dorë nga ky ligj.
Në raport, qëndrimi kundër ilustrohej me dështimin e policisë në dy ngjarje kriminale të bujshme, të filmuara nga kamerat e sigurisë; vrasja e bankierit Artan Santo dhe grabitja e “Babagjyshëve” në një argjendari në TEG.
“Në Dhjetor 2013 një grup i armatosur i njohur si banda e “Babagjyshëve” hyri në një qendër tregtare i armatosur (TEG) për grabitje argjendarish, duke i kërcënuar me armë zjarri. I tërë incidenti u kap me kamerat me qark të mbyllur ÇTV dhe aksioni kriminal u krye pavarësisht një numri të caktuar të rojeve të sigurisë.
Po kështu në qershor të vitit 2014 një bankier i nivelit të lartë (Santo) u vra në një rrugë me shumë lëvizje në Tiranë, nën vështrimin e një oficeri të Policisë së Shtetit dhe autorët e krimit ishin filmuar nga një sërë kamerash ÇTV para, gjatë dhe pas vrasjes. Kamerat e sigurisë dhe prania e personelit të sigurisë as nuk parandalojnë dhe as nuk zbulojnë rastet e kriminelëve të organizuar që fshehin identitetin e tyre.
Në kushtet e bareve dhe klubeve të natës, prania e kamerave të sigurisë dhe/ose e personelit të sigurisë, mund të  ndihmojë në zbulimin e krimeve me armë, por janë provuar si më pak efikase, si pengesë.
Në dy rastet e fundit që përfunduan me viktima, (Kuliçi 2013) dhe (Xhuvani 2014), mund të thuhet se shkelësit, të cilët ishin nën ndikimin e alkoolit dhe të drogës, nuk do të ndiheshin të penguar nga masa të tilla të sigurisë.
Hulumtimet tregojnë se kamerat e sigurisë kanë një vlerë të kufizuar për sa i përket parandalimit të krimeve të rënda.
ICITAP e konsideronte draftin antikushtetuese; ai kufizonte të drejtat e qytetarëve. Ekspertët amerikanë ishin shprehur qartë se policia mund t’i nxiste bizneset për të vendosur kamerat e sigurisë, por nuk mund t’i detyronte. “Një nismë e tillë nuk ekziston gjëkundi, as në SHBA dhe as në ndonjë shtet të Europës”, shpreheshin ata në raport.
“Ka një shqetësim se masat e propozuara do të krijojnë një barrë të konsiderueshme financiare për disa biznese private. Kostoja e procesit të çertifikimit dhe rinovimeve të mëvonshme të sistemeve të kamerave ÇTV dhe personelit të sigurisë mund të rezultojnë një barrë e panevojshme për shumë biznese të vogla e të mesme.
Në shumë vende, veçanërisht në SHBA, ekziston një praktikë ku policia i nxit bizneset private dhe individët të investojnë në sisteme për të parandaluar dhe për t’u mbrojtur kundër krimit. Megjithatë, këto nisma për policimin në komunitet, kurrë nuk kërkojnë të imponojnë një detyrim normativ për t’u respektuar, e aq më pak akoma të kriminalizojnë mos-respektimin e tij”.
Rekomandimi i ICITAP është shumë i qartë: Tahiri duhet të heqë dorë nga kjo nismë.
“Siç ka deklaruar dhe në dokumentin e mëparshëm, ICITAP-i, do të dëshironte fillimisht të shihte një relacion ku diskutohen politikat në vend se të shikonte një projektligj të përfunduar.
Praktikë normale është një relacion ku të diskutohen:
–Vëllimi i njohur dhe karakteristikat e krimit apo problemit të rendit publik, përfshirë statistikat e sakta
-Një listë të opsioneve të detajuara të shkelësit të ligjit, për të rritur shkallën e zbulueshmërisë, duke u mbështetur në metoda që kanë rezultuar të suksesshme në vende të tjera
-Kostot përkatëse të çdo opsioni si për qeverinë ashtu dhe për biznesin privat
Ky projektligj nuk ofron asnjë gjë nga sa thamë më lart, thjesht merr të mirëqenë problemin dhe imponon një zgjidhje pa dhënë prova për arsyetim.
Si rrjedhojë ICITAP dhe Ministria e Punëve të Brendshme, ta lënë mënjanë projektligjin dhe të përgatisin një dokument politike të hollësishëm ku të trajtojnë pikat e përmendura në këtë paragraf”.
Tahiri këto kërkesa të qarta nuk ua vuri përpara asnjëherë deputetëve. Ai u tha atyre se ishte konsultuar me ICITAP dhe misionin PAMECA, pa u shpjeguar se çfarë qëndrimesh kishin dy misionet e asistencës. Referuar shpjegimit të Presidentit të Republikës, edhe PAMECA kishte shprehur të njëjtat shqetësime.

Rama fshehu raportet e ICITAP e Pameka-s për ligjin e përgjimit

Ish-Kryeministri Berisha denoncoi dje fshehjen e qëllimshme të raportit të ICITAP dhe Pameka në lidhje me ligjin e përgjimeve. Përmes një statusi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Berisha thekson: “Edvin Shullazi fshehu, për të mbushur xhepat, raportet e ICITAP dhe PAMEKA-s që denoncojnë si antikushtetues ligjin e survejimit me kamera! Ligji i survejimit dixhital, pra me kamera, i mjediseve publike i Edvin Shullazit, të cilin e ktheu Presidenti i Republikës, u denoncua para miratimit në Parlament në dy raporte ndërkombëtare, atë të ICITAPIT dhe PAMECA-s, përkatësisht të SHBA dhe BE si një ligj antikushtetues dhe që shkel në mënyrë flagrante edhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Këto raporte, Edvin Shullazi, i lidhur kokë e këmbë me kompaninë e kamerave, i fshehu jo vetëm nga publiku, por dhe nga Parlamenti. I bazuar në këtë raport, Presidenti ktheu në Parlament si antikushtetues ligjin e survejimit dixhital të mjediseve publike. Fshehja e raporteve të ekspertizës ndërkombëtare të ligjit përbën dëshminë dhe skandalin e radhës banditesk te kreut të ekzekutivit, i cili për të mbushur xhepat nuk njeh ligj, Kushtetutë as dhe konventa ndërkombëtare, në të cilat Shqipëria është palë”, shprehet Berisha në reagimin e tij.

Cënimi i privatësisë dhe të dhënave personale

Referuar Komisionit të Ligjeve dhe opinionit të dhënë nga komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale janë hedhur dyshime në lidhje me respektimin e të dhënave personale dhe jetës private të qytetarëve nga aplikimi i masave të parashikuara.
Sipas argumentave të Presidentit në kthimin e këtij ligji, ky ligj mbasi detyron bizneset, administratorët e pallateve, shkollat private dhe publike apo të gjitha institucionet publike të instalojnë kamera dhe të ruajnë përmbajtjen e tyre, nuk jep asnjë garanci se si do të ruhen të dhënat personale të individëve të siguruara nga këto kamera.
Në rastin konkret, jo vetëm që ndërhyrja nuk është proporcionale me qëllimin që do të arrihet, por nuk ofrohen as garancitë në përpunimin e të dhënave. Policia është përgjegjëse vetëm për survejimin e ambienteve publike me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Përmes Ligjit 19/2016 bëhet i detyrueshëm survejimi edhe i ambienteve private, duke lënë në gjykimin e policisë se kush duhet survejuar dhe ku duhet të instalohen kamerat. Nuk ka përcaktime në lidhje me mënyrën e vendosjes së kamerave, të cilat në rast se janë të lëvizshme mund të filmojnë edhe ambiente të tjera apo të personave të ndryshëm që nuk kanë lidhje me qëllimin. Kjo krijon hapësirë për abuzime dhe cenim të rëndë të privatësisë si një e drejtë themelore kushtetuese. Neni 13 i ligjit i jep të drejtë policisë të marrë pamje filmike, ndërkohë që KPRP penale përcakton qartë se diçka e tillë mund të realizohet veç përmes autorizimit të Gjykatës.
Ligji nuk përmban asnjë dispozitë që të garantojë të dhënat e përftuara nga vendosja e mjeteve të regjistrimit-përgjimit. Kështu që, mundësia e keqpërdorimit të pamjeve filmike dhe të dhënave personale, shfrytëzimit për qëllime që nuk kanë lidhje me sigurinë apo mundësia e keqpërdorimit të tyre nga ana e strukturave policore si mjet kërcënimi, diskreditimi publik apo për shantazh është evidente. Pra, ligji i miratuar nuk jep asnjë garanci lidhur me ruajtjen e privatësisë së qytetarëve.

Artikulli paraprakCNN: Skandali me “Panama Papers” do rrëzojë qeveritë e korruptuara
Artikulli tjetërBasha: Paguajmë 1 milionë dollarë në muaj për Vilmën