Jo të gjithë qytetarët e Kosovës arritën të përfitojnë nga Ligji për faljen e borxheve publike për personat juridik dhe fizik në Kosovë, të akumuluara deri më datën 31 dhjetor 2008. Rreth 520 mijë ishte numri i qytetarëve të Kosovës që kanë borxh ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike me një vlerë monetare rreth 680 milionë euro. Nga rreth 680 milionë euro sa ka qenë shuma e borxheve të qytetarëve, shuma e borxheve të falura ka arritur vetëm deri në 100 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave në Qeverinë e Kosovës. Qytetarët kanë pasur mundësi që të shlyejnë borxhet që nga shtatori i vitit të kaluar kur vendimi për faljen e borxheve kishte hyrë në fuqi. Sipas Ligjit për faljen e borxheve për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, kanë mundur të përfitojnë të gjithë personat të cilët kanë obligime të pashlyera ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, me kusht që të njëjtit të kryejnë pagesën e plotë të obligimeve për periudhën nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014. Ky kushtëzim që kishte paraparë Ligji sipas përfaqësuesit të bizneseve, ka bërë që afaristët apo edhe qytetarët, nuk aplikuan për shlyerje të borxheve. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se bizneset dhe qytetarët nuk patën mundësi që të shlyejnë borxhet pas kësaj periudhe. “Gjendja e rëndë ekonomike e bizneseve dhe qytetarëve e pamundëson që të fshihen këto borxhe. Qytetarët nuk kanë pasur mundësi që t’i paguajnë borxhet pas kësaj periudhe. Qeveria e Kosovës duhet të merren praktikat e mira në vendet në tranzicion ku disa prej tyre kanë bërë shlyerjen e borxheve pa kushtëzime për qytetarët”, thekson Shahini. Përfaqësues të shoqërisë civile, në anën tjetër, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyhet afati për faljen e borxheve si dhe të ofrojnë edhe alternativa të tjera me të lehta për shlyerjen e borxheve. Megjithatë, zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë theksuar se duke e pasur parasysh kohën prej një viti, sa ka zgjatur procesi i faljes së borxheve, nuk ka arsye për shtyrje të afatit. Fatime Lumi, zyrtare në Zyrën për Komunikim Publik, në Ministrinë e Financave, ditë më parë ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se Ligji skadon me 2 shtator. Sipas saj, as Qeveria, as Ministria e Financave nuk kanë fuqi që të shtyjnë afatin e këtij Ligji, kjo mund të bëhet vetëm më vendim të Kuvendit të Kosovës. Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se duke pasur parash nivelin e ulët të shumës së borxheve të falura për këtë periudhë duhet të shtyhet afati dhe të ndërrohen modalitetet. “Edhe nëse do të ketë shtyrje të afatit duhet të ndryshojë diçka te Ligji duhet të krijohet një formë apo një modalitet i cili në shumë aspekte iu mundëson qytetarëve -borxhlinjve që të përmbushin obligimet e tyre. Propozimi jonë është që të gjitha borxhet deri në vitin 2008 të fshihen përgjithmonë”, ka thënë Rexhepi. Ndryshe, në kohën kur Ligji për faljen e borxheve kishte hyrë në fuqi, shoqëria civile këtë iniciativë e kishte konsideruar të padrejtë për konsumatorët e disiplinuar të cilët kanë paguar të gjitha detyrimet gjatë asaj periudhe.
Kryesore
Continue to the categoryVendimi i Gjykatës Kushteteuse nuk hoqi asnjë imunitet të asnjë deputeti
Nga Fitim Zekthi
Ka vite, por të paktën që nga viti i kaluar ky diskutim ka hyrë në një fazë tjetër, që imuniteti parlamentar bëhet...