Ryshfet për Botërorin

Franc Bekenbauer dhe Volfgang Nirsbah janë mes 4 personave, të cilët përballen me akuzat e ngritura nga Prokurori i Përgjithshëm i Zvicrës, në lidhje me organizmin e Botërorit 2006 nga Gjermania. Legjenda gjermane Bekenbauer, ish-presidenti i Federatës Nirsbah, Horst Rudolf Shmid dhe Teo Zvanziger, të gjithë pjesëtarë të bordit ekzekutiv të Komitetit Organizator për Botërorin 2006 në Gjermani, përballen me akuza për mashtrim, veprime kriminale, pastrim parash dhe përfitime të paligjshme.
Hetimi, i cili pason atë të filluar nga FIFA në mars, përqendrohet te financimi i një mbrëmje gala, ndërsa supozohet se të dyshuarit e dinin se fondet nuk përdoreshin për këtë event, por për të paguar një borxh që nuk i përkiste Federatës Gjermane. “Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka nisur hetimet ndaj Federatës Gjermane të Futbollit. Të dyshuarit ishin anëtarët e bordit ekzekutiv të Komitetit Organizator të Kupës së Botës 2006 në Gjermani. Hetimi përqendrohet të financimi i përbashkët i një mbrëmjeje gala, fillimisht me kosto 7 milionë euro, e zbritur më pas në 6,7 milionë euro.
Dyshohet se personat në fjalë dinin se kjo shumë nuk po përdorej për të financuar eventin, por për të paguar një borxh që në fakt nuk i përkiste Federatës Gjermane. Në veçanti, dyshohet se këta persona kanë udhëzuar gabim anëtarët e tjerë të bordit ekzekutiv të Komitetit Organizues të Botërorit 2006, duke i shkaktuar humbje financiare Federatës gjermane”, shkruhej në akuzën e ngritur nga autoritetet zvicerane.
Mendohet se kjo shifër është paguar si ryshfet për blerjen e votave në mënyrë që Gjermania të siguronte votat për organizimin e Botërorit. Sipas “Der Spiegel”, presidenti i kompanisë “Adidas”, Robert Luis-Dreifus, krijoi një fond ryshfetesh për blerjen e votave, ndërsa më pas Komiteti Organizator u mundua që t’ia rikthente shumat e shpenzuara, duke e justifikuar si organizimin e një eventi i cili në fakt nuk u bë kurrë. Autoritetet zvicerane kanë nisur hetimet për faktin se për të bërë transfertat e këtyre parave, janë përdorur llogari në bankat e Zvicrës.
Prokuroria e Zvicrës ka nisur një hetim ndaj ish-kapitenit dhe trajnerit të kombëtares gjermane për lëvizje të dyshimta të shumave të mëdha parash që lidhen me caktimin e Gjermanisë si vendi organizator i Botërorit të vitit 2006. Beckenbauer akuzohet për mashtrim dhe riciklim parash si president i Komitetit Organizativ të Botërorit të 10 viteve më parë. Bashkë me 70-vjeçarin po hetohen edhe zyrtarë të tjerë që kanë lidhje me këtë çështje.
Në tetor të vitit të kaluar, Beckenbauer e pranoi se kishte bërë gabim për faktin se kishte pranuar të drejtonte Komitetin Organizator të Gjermani 2006, por mohoi të jetë përfshirë në shit-blerjen e votave. Në votimin për vendin që do të organizonte Botërorin e 2006-ës, Gjermania arriti të triumfonte ndaj kandidaturës së Afrikës së Jugut vetëm për një votë me rezultatin 12-11. Sipas mediave gjermane hetimet janë përqendruar te transaksionet mes 2002-it dhe 2005, që kapin shifrën e 10 milionë frangave zvicerane.

Artikulli paraprakÇuditë e Interit, blen lojtarë, por nuk mund t’í aktivizojë
Artikulli tjetërZvicra sulmon Kosovën