Grabitësit e bankës së nivelit të dytë në zonën e ish-Bllokut më 8 gusht përdorën kriko makine për të çarë murin. Grabitësit e arrestuar një ditë më aprëvodhën në mënyrë spektakolare rreth 200 milionë Lekë duke çarë murin e bankës ku ndodhej kasaforta përmes murit ngjitur të një biznesi. Për të hapur murin, grabitësit kishin përdorur një kriko makine, dhe kanë shtyrë tullat e murit deri sa kanë arritur të heqin tullën e parë. Më pas duke përdorur levën, grabitësit kanë arritur që të krijojnë të çarën deri në madhësinë për të depërduar brenda dhomës kasafortë të bankës.
Pikërisht në momentin që grabitësit kanë bërë shtytjen e parë me kriko për të hapur murin ka rënë edhe alarmi, i cili u neglizhua nga ana e punonjësve të sigurisë së bankës. E gjithë skena e hapjes së murit dhe grabitjes u ndërtua prej hetuesve pas gjetjes së provave në vendin e ngjarjes. Por, autorët u tradhtuan nga një shishe uji, ku hetuesit gjetën një gjurmë gishti të Roland Litit. Më pas vënia nën vëzhgim e Litit çoi policinë edhe tek dy autorët e tjerë.
Fieraku me arsim të lartë, Alan Babameto shfaqej në rrjetet sociale si “Tony Montana”, duke pozuar me vetura luksoze dhe armë. I riu preferonte jetën prej të forti si tipi i Tony Montana dhe luksin. Ndërsa bashkë me të u arrestua edhe Robert Kulla, djali i Nehat Kullës.