Prokuroria siguron 7 dëshmi që faktojnë se Ardit Gjoklaj ka punuar në landfill

Ardit Gjoklaj ishte punonjës sezonal i kompanisë “3R” në landfillin e Sharrës, në selektimin e mbeturinave.  Kjo është konfirmuar për prokurorin nga 7 dëshmitarë, me të cilët natën e ngjarjes Gjoklaj ishte duke punuar në vendgrumbullimin e mbeturinave urbane në Sharrë. Bëhet e ditur se, Prokuroria ka siguruar dëshmit e 7 personave, nga 14 të marrë në pyetje, të cilët konfirmojnë se Gjoklaj kishte më shumë se 1 muaj që punonte në landfill i pasiguruar dhe deklaruar nga kompnia 3R. Për hetuesit, ka qenë fillimisht përgjegjësi i turnit Dëfrim Hakrama, ai që ka mohuar punësimin e Gjoklajt në kapanonin e selektimit të mbetjeve urbane, por që pas caktimit të masës së sigurisë ka ndryshuar qëndrim. Nga ana tjetër, edhe në momentin e gjetjes së 17-vjeçarit të vdekur, policia gjatë këqyrjes ka konstatuar se Ardit Gjoklaj kishte veshur dorezat e kuqe, siç i kishin punëtorët e tjerë të regjistruar dhe një mushama shiu me mbishkrimin: Bashkia e Tiranës.
ABC News prej ditësh ka tentuar të kontaktojë zyrtarisht me drejtuesit e Mjekësisë Ligjore për përfundimin e autopsisë së trupit të 17-vjeçarit, por asnjë përgjigje nga institucioni, i cili edhe pse kanë kaluar mbi 25 ditë ende nuk e ka dorëzuar në Prokurori raportin e shkakut të vdekjes. Nga ana tjetër, burime konfidenciale i thanë ABC News se, Ardit Gjoklaj ka gjetur vdekjen e menjëhershme si pasojë e goditjes nga kova e eskavatorit dhe më pas shtypja nga zinxhirët e makinerisë së rëndë. Edhe në dosjen paraprake të Prokurorisë, nga këqyrja e kufomës janë përshkruar me detaje dëmtimet e trupit të 17- vjeçarit. Sipas këtij materiali, thuhet se viktima ka pas dëmtime të mëdha, si kokë, gjymtyrë e trup të deformuar deri edhe në mungesë të indeve të ndryshme, si pasojë e zinxhirëve të eskavatorit tashmë të bllokuar që ndodhet brenda rrethimit të landfillit të Sharrës.
Ardit Gjoklaj nuk është viktima e parë, që ka gjetur vdekjen në Landfillin e  Sharrës. ABC News ka siguruar dosjen e Prokurorisë, ku është evidentuar vdekja e 47-vjeçares Mirvete Duka, brenda landfillit në Sharrë më 25 nëntor të 2015 nga fadroma që kishte për detyrë shtypjen e mbeturinave. Sipas këtij materiali, përgjegjës për vdekjen e 47-vjeçares është Kasem Koçi, i cili do të gjykohet nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë” me pasojë vdekjen e shtetases Mirvete Duka. Ngjarja për të cilën akuzohet Koçi ka ndodhur mesnatën e datës 25 nëntor brenda landfillit, kur ka goditur dhe shtypur me fadromë shtetasen 47-vjeçare, e cila po mblidhte hekurishte.
Në dosje thuhet se shoferi i fadromës ka marrë punën në 21:00 të darkës dhe punonte deri në 03:00 të mëngjesit. Ai kishte për detyrë shpërndarjen dhe shtypjen e mbeturinave që sillnin kamionët nga Tirana. Gjatë punës, Koçi ka pretenduar se para kishte punëtorë që selektonin mbeturinat, për të cilat kishte fushëpamje. Ndërsa nga pas, nuk i shihte punëtorët që mblidhnin apo selektonin mbeturina. Në këtë kohë, në ora 00:15 thuhet në dosje ai ka dëgjuar të bërtiturat e një gruaje tjetër, ku ka ndalur mjetin dhe ka konstatuar se kishte shtypur një shtetase, për të cilin ka njoftuar menjëherë policinë. Nga verifikimet e kryera, thuhet në dosjen e Prokurorisë. Mirvete Duka nuk ishte punonjëse e landfillit të Sharrës dhe kishte hyrë fshehurazi brenda rrethimit për të mbledhur hekurishte. Për pasojë, është shtypur nga fadroma që shpërndante mbeturinat në landfillin e Sharrës. Dosja ndaj të pandehurit Kasem Koçi pritet të hidhet në short për të caktuar gjyqtarin që do të shqyrtojë çështjen në fillim të muajt shtator.

Artikulli paraprakGrabitja e bankës në ish-Bllok, autorët përdorën kriko makine për të çarë murin
Artikulli tjetërJam Spiderman! Hidhet nga tarraca e terminalit, vdes emigranti 23-vjeçar