Projekti për Raportimin mbi Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (OCCRP) pritet të nxjerrë brenda dy javësh informacionet për Ballkanin që përfshihen tek “Dokumentat e Panamasë”.
Burime të sigurta pohojnë se në krye të listës për Shqipërinë qëndron kreu i qeverisë Rama, ndërsa bashkë me të janë edhe emrat e 33 zyrtarëve të lartë. Dokumentet pritet që të publikohen gjatë ditëve të ardhshme dhe kjo pritet të sjellë një reagim të fortë në të gjithë vendin. Mënyra se si janë pastruar këto para nga Rama dhe zyrtarët e tij në parajsat fiskale është e njëjtë me atë të emrave të tjerë që janë zbardhur nga “Panama papers”. Megjithatë pritet që të jetë interesante edhe mënyra e zbardhjes së këtij megaskandali.
Në këtë mënyrë pritet që të zbulohen paratë e fshehura nga Rama dhe banda e tij në korrupsionin e lejeve të ndërtimit gjatë kohës që ai ishte Kryebashkiak. Mjafton të kujtohet se ai dha 2800 leje ndërtimi, ndërsa vetëm për njërën prej tyre është denoncuar në Prokurori nga një ndërtues se i kishte kërkuar ryshfet 1 milion euro.
Po kështu pritet të zbardhen paratë e koncesioneve dhe aferave të tjera korruptive dhe kirminale gjatë këtyre tre viteve të kësaj qeverisje që sikurse pohon CNN e kanë zhytur Shqipërinë në korrupsion.
Redaktorja e këtij projekti, Miranda Patrucic i pohoi “Zërit të Amerikës”, se mund të priten informacione konkrete për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë.
“Sigurisht. Dokumentet dhe artikujt janë për çdo vend dhe sigurisht ato janë të ndryshme në varësi të sasive të parave ose personave të implikuar”, tha ajo.
“Ballkani nuk do të lihet mënjanë”, tha zonja Patrucic, duke shtuar se bëhet fjalë për informacione për të gjitha vendet e rajonit.
OCCRP-së, si anëtare e Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë, iu ofrua mundësia të bashkëpunojë dhe meqenëse ajo operon, në Evropën Lindore, Ballkan dhe Rusi, ajo do të analizojë dokumentat e këtij rajoni
Ndërkohë, gazeta izraelite “Haaretz”, shkruante sot se mes 11.5 milionë dokumentave të nxjerra nga studioja logjore panameze Mossack Fonseca, përmendet edhe një biznes që është regjistruar në vitin 2013 në ishullin Anguilla, pronësi e shtetasit izraelit, juristit Assaf Halkin, një shqiptari që gazeta e identifikon si Ismail Mulati, por që shtypi shqiptar shkruan se është Ismail Mulleti, si edhe një firmë kanadeze.
Sipas Haaretz-it, një nga mbi 100 mjetet e shtypit me të cilat gazeta gjermane “Suddeutche Zeitung” dhe Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë i ndau informacionet e nxjerra nga një burim i paidentifikuar, bëhet fjalë për kompaninë GFI Technologies dhe firma kanadeze quhet Global Fluids International S.A. dhe synimi ishte investimi në kompani të teknologjisë së lartë në Shqipëri.
Dokumentat e nxjerra nga studioja ligjore panameze, Mossack Fonseca ekspozojnë një sistem që bën të mundur krimin, korrupsionin dhe abuzimet, të fshehura në kompani sekrete të dyshimta.
Nxjerrja e informacionit masiv është një ndër më të mëdhatë në historinë e gazetarisë, me një ekip gazetarësh ndërkombëtarë, që i kanë studiuar për afro një vit.
Nga dokumentet e publikuara nga Konsorciumi me qendër në Uashinghton, del se 140 politikanë dhe zyrtarë në gjithë botën kanë bërë depozitime parash në bankat e vendeve të njohura si “parajsa fiskale”, kryesisht në Karaibe. 12 janë udhëheqës dhe ish-udhëheqës botërorë.
Raporti thekson se, “dokumentet tregojnë se bankat, studiot ligjore dhe aktorët e tjerë, që kanë mundësuar këto transaksione, shpesh nuk kanë ndjekur kërkesat e duhura ligjore për t’u siguruar që klientët e tyre nuk kanë qenë të përfshirë në aktivitete kriminale, në skema për të shmangur taksat ose në korrupsion politik”.
Presidenti francez, Francois Hollande tha sot se, Franca do të ndërmarrë një hetim për shtetasit francezë që përdorin “parajsa fiskale” për të fshehur pasuritë.
“Nxjerrja e këtij informacioni konfirmon se është e mundur të luftosh mashtrimet me taksat dhe se gjithë informacioni i mbledhur do të sjellë si rezultat hetime nga autoritetet e taksave dhe masa ligjore”.
Gazetarët investigues kanë arritur në përfundimin se ndihmës të Presidentit rus Vladimir Putin kanë qarkulluar deri në 2 miliardë dollarë përmes bankave në të ashtuquajturat “parajsa fiskale”.
Kremlini i denoncoi informacionet e publikuara, duke thënë se ato kishin kryesisht në shënjestër Presidentin Putin dhe duke pretenduar se ish-zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit dhe CIA-s kishin ndihmuar për analizimin e 11.5 milionë dokumentave.
Mes udhëheqësve të përmendur për llogari bankare në “parajsa fiskale” janë kryeministri i Islandës, David Gunnlaugsson i Islandës, Presidenti ukrainas Petro Poroshenko dhe Presidenti i Argjentinës, Mauricio Macri.
Por mes emrave të implikuar ka edhe figura të tjera të njohura që nuk i takojnë botës së politikës, siç është rasti i futbollistit Lionel Mesi, për një firmë nafte që e ka në pronësi me të atin dhe për të cilën autoritetet spanjolle nuk ishin më parë në dijeni.
Ramon Fonseca, një nga themeluesit e firmës Mossack Fonseca, e mbrojti kompaninë.
“Ne jemi një kompani që kemi 40 vjet që veprojmë në tregun kombëtar dhe atë ndërkombëtar dhe asnjëherë nuk jemi gjetur fajtorë për absolutisht asgjë”.
Gazeta gjermane “Sueddeutsche Zeitung”, me seli në Mynih, tha të dielën se dokumentet i kishte siguruar nga një burim anonim para më shumë se një viti.
Publikohen emrat e personave të përfshirë në “dokumentet e Panamasë”
Rrjeti për hulumtimin e krimit dhe korrupsionit, KRIK në Serbi publikoi të martën emrat më të njohur nga Serbia që përfshihen tek “Dokumentet e Panamasë”, përkatësisht që kanë shfrytëzuar shërbimet e studios ligjore panameze Mossack Fonseca.
Disa nga emrat e përfshirë kanë qenë nën hetime ose të akuzuar për vepra penale që kanë të bëjnë me të bërit biznes me “në parajsat fiskale”.
Në mesin e emrave është ai i afaristit Valdimir Deliç, mik familjar dhe partner afarist i kryetarit të Beogradit, Sinisha Mali. Emri i afaristit kundërthënës serb Igor Sabo, i cili ishte ndjekur edhe për keqpërdorime në procesin e privatizimit në Serbi.
Në dokumentet e Panamasë përfshihen edhe emrat e personave që besohet se ishin të lidhur me ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviç dhe aferën e fshehjes së një miliard markash gjermane gjatë viteve të ‘90-ta në Qipro.
Sipas projektit “dokumentet e Panamasë”, paratë dhe bizneset ruse hyjnë shpesh në Serbi të fshehura pas kompanive të regjistruara në “parajsat fiskale”. Në mesin e tyre janë katër rusë të pasur që në atë mënyrë bëjnë biznes në Serbi dhe disa prej tyre janë në listën e personave, që u është ndaluar udhëtimi në Bashkimin Evropian.
Oligarku rus, Igor Rotenberg, shkruan KRIK, në rrugë të tilla ka blerë aksionet e kompanisë ndërtimore “PPT Inzhenjering”.
Nëpërmjet rrugëve të tilla, afaristi serb Milan Popoviç ka hyrë në partneritet me oligarkun rus Konstantin Malofejev, i afërt me Presidentin rus Vladimir Putin.
Emra pilotësh, njerëzish të botës së modës, futbollistësh dhe arkitektësh nga Serbia, sipas KRIK, janë të përfshirë në dokumentet e Panamasë, sikurse edhe emra nga Jordania, India e vende të tjera që bëjnë biznes në Serbi.
Çfarë është një firmë fantazmë?
Super të pasur, të plotfuqishëm të kësaj bote, njerëz të njohur, mbretër edhe kriminelë kanë themeluar firma fiktive përmes zyrës së financave, Mossack Fonseca në Panama. Por çfarë është një firmë e tillë? Një firmë fiktive është një firmë që si zyrë të saj vërtet ka vetëm një kuti postare, aty nuk gjen as punonjës e as drejtues, por vetëm një adresë. Shumica e këtyre firmave të përbëra vetëm nga një kuti postare gjenden në të ashtuquajturat parajsa fiskale, në Europë këtu përmendet Lichtensteini, Andorra, në botë si një parajsë e tillë konsiderohen edhe ishujt Karaibe, por edhe Panamaja, nga ku rrodhi skandali i 11 milionë dokumenteve për 214.000 firma fiktive.
Ndodh që mijëra firma gjenden nën të njëjtën adresë. Tingëllon e çuditshme, por krijimi i një firme fiktive nuk është ilegal në Gjermani – sipas ligjit ai nuk është i penalizueshëm, si justifikim shihet se cilit qëllim i vlen kjo firmë, por moralisht krijimi i firmave të tilla është i dënueshëm, në opinion kjo dënohet si sjellje josociale. Shpesh firmat fiktive përdoren për të fshehur lëvizjen e parave, ato mund të shërbejnë për evazion fiskal, për të fshehur korrupsionin apo para nga burime kriminale.
Penalizim i bankave
Ka shumë raste, kur bankat vetë i ndihmojnë klientët e tyre për krijimin e firmave fiktive jashtë vendit. Kur një person apo një firmë shkon tek një bankë dhe kërkon të fshehë një pjesë të pasurisë, banka gjen ndërmjetës, si në këtë rast, Mossack-Fonsecca. Ndërmjetësuesi themelon një firmë fiktive diku në një parajsë fiskale. E rëndësishme është të mos dalë emri i atij që jep pasurinë, prandaj vihen “drejtorë” sa për sy e faqe. Personi që ofron paratë merr nga banka një kartë krediti, përmes së cilës ai ka gjithmonë akses tek paratë e tij. Por kjo kartë nuk kalon përmes emrit të tij, por të firmës fiktive, me të cilën ai zyrtarisht nuk ka lidhje.
Prandaj në qendër të kritikave për sjellje të pamoralshme, këto ditë janë vënë edhe bankat. Politikani socialdemokrat gjerman, Thorsten Schäfer-Gümbel ka kërkuar penalizimin e bankave që i mbështesin klientët për firmat fiktive jashtë. Panama Papers kanë treguar se, “disa banka kanë këshilluar sistematikisht klientët se si veprohet për krijimin e një firme fiktive jashtë”, thotë Schäfer-Gümbel. “Prandaj nuk bëhet fjalë për punonjës të veçantë, por për vetë institucionin që duhet të penalizohet”. Që nga publikimet e viteve të fundit për parajsat fiskale në shumë banka gjermane dhe arka kursimi janë bërë hapa kundër këtij fenomeni, thotë Schäfer-Gümbel, por “edhe “Deutsche Bank” ka folur shumë për një kulturë të re pune, dhe tani del se ende ka njerëz, që nuk kanë punë tjetër, por vetëm të gjejnë vrimat ligjore për të fshehur lëvizjen e financave”, thekson Schäfer-Gümbel. “Këtu përdoret pjesërisht energji kriminale”.
Mossack-Fonseca në Panama
Dokumentet e skandalit “Panama Papers” dolën nga zyra e financave Mossack-Fonseca. Avokati Ramon Fonseca-Mora, i cili e drejton zyrën e avokatisë me një avokat me prejardhje gjermane, Jürgen Mossack pranoi se ka pasur një sulm hakerash në kompjuterat e kësaj zyre, duke e cilësuar këtë veprim kriminal. Nga ana tjetër, ai kundërshton se kjo zyrë merret me larje parash apo ka në dorë para nga burime kriminale, ne thjesht krijojmë firma fiktive që ua shesim pastaj bankave, apo administruesve të pasurisë.
Sipas njoftimeve të mediave, para rreth një viti gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung” i është ofruar nga një burim anonim një database me më shumë se 11 milionë dokumente të zyrës së financave në Panama, Mossack-Fonseca. Për shkak se për “Süddeutsche Zeitung” përpunimi i të dhënave ishte i papërballueshëm, ajo iu drejtua konsorciumit të njohur botëror të gazetarëve investigativë, ICIJ me qendër në Uashington, rreth 400 gazetarë nga 78 vende të botës u morën me përpunimin e dokumenteve.