Nderim për efektivin e RENEA, të vrarë në krye të detyrës!

Një efektiv policie i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Lezhës mbeti i vrarë dje në Torovicë të Lezhës. Efektivi Ardian Kodra, 50 vjeç u vra me armë zjarri gjatë një operacioni për arrestimin e një personi. Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 15:00 ku forcat e FNSH të Shkodrës dhe të RENEA-s kishin shkuar në Torovicë për të neutralizar një person që prej disa orësh qëllonte me armë zjarri në ajër, duke terrorizuar banorët. Sipas banorëve të zonës, David Qosja, kishte nisur të qëllonte me armë zjarri që në orët e para të mëngjesit. Pas njoftimit të banorëve të zonës, forcat e Policisë së Lezhës iu drejtuan banesës së David Qosjas.
Sipas burimeve, forcat e FNSH të Lezhës kanë shkuar në vendngjarje pa pasur informacion të plotë, dhe pa e ditur se cili ishte personi me të cilin kishin të bënin dhe janë përballur me rezistencë të personit që qëllonte me armë. David Qosja u mbyll në banesën e tij dhe ka qëlluar për disa orë në drejtim të forcave të policisë. Forcat e FNSH të Shkodrës dhe RENEA-s rrethuan shtëpinë e tij, dhe u pozicionuan për të mundësuar ndërhyrjen dhe kapjen e autorit. Ai ka vazhduar të qëllojë me breshëri automatike ku si pasojë ka mbetur i plagosur efektivi Ardian Kodra, i cili si paosjë e plagëve ndërroi jetë në spital.
Në vendin e ngjarjes shkuan edhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, përfshirë edhe kryepolicin Haki Çako. Autori që vrau efektivin e FNSH vazhdimisht hapte zjarr ndaj policisë, teksa qëndronte i rrethuar brenda shtëpisë së tij. Ai nuk pranonte që të dorëzohej.

Terrorizohet Torovica

Situata në Torovicë ka qenë tepër e rëndë për disa orë, pasi 27-vjeçari vijonte të qëllonte me armë tip automatik. RENEA ka larguar nga perimetri i sigurisë të gjithë banorët e zonës, që të prirë mund të ishin të rrezikuar nga operacioni për kapjen e autorit të ngjarjes. Snajperat dhe forcat e RENEA-s janë pozicionuar, ndërsa është hedhur gaz lotsjellës në banesën e autorit.
Forcat e FNSH dhe të RENEA kanë vijuar operacionin, duke mbajtur të rrethuar banesën e vrasësit.
Për të çorientuar forcat e policisë, Qosja i ka vënë zjarrin banesës së tij dhe ka dalë prej saj për t’u arratisur nga një shteg tjetër, por është lokalizuar dhe vënë në pranga nga efektivët. Pasi zjarrfikësit kanë shuar zjarrin në banesë, agjentët e policisë kanë hyrë brenda dhe gjatë kontrolleve kanë gjetur armën e krimit të përdorur nga 27-vjeçari që vrau efektivin. Megjithatë, burime policore bëjnë të ditur se do të kryhet ekspertiza për të konfirmuar këtë dyshim.
Pas 4 orë luftë me David Qosjan, forcat e RENEA-s kanë mundur ta arrestojnë atë. Policia bëri të ditur se 27-vjeçari David Qosja njihet në zonë si person me probleme mendore, por nuk ka asgjë të vërtetuar me dokumente nga Spitali. Pas ndërhyrjes së policisë për ta neutralizuar, ai ka drejtuar armën edhe ndaj tyre. Plumbat kanë goditur efektivin Ardian Kodra, 50 vjeç, me banim në Shkodër. Ky i fundit humbi jetën rrugës për në spital.

Si nisi ngjarja

Një vatër zjarri në malin e Torovicës mëngjesin e djeshëm ka alarmuar banorët e zonës, të cilët kanë lajmëruar policinë. Sakaq, ata kanë raportuar edhe për të shtëna me armë zjarri, që sipas tyre vinin nga banesa e shtetasit David Qosja. Me ardhjen e bluve në fshat, të cilët më pas sinjalizuan edhe forcat e FNSH-së, Qosja është mbyllur menjëherë në shtëpi dhe ka nisur të gjuajë me armë zjarri në drejtim të tyre. Pas gati një ore shkëmbim zjarri, ka humbur jetën dhe punonjësi i policisë, Ardian Kodra. Por pavarësisht ndërhyrjeve të policisë, FNSH-së dhe RENEA-s, 27-vjeçari David Qosja refuzon të dorëzohej duke qëlluar me armë ndaj policisë.
Policia bëri të ditur se autori David Qosja njihet si një njeri me probleme mendore, por ai nuk disponon kartelë mjekësore. 27-vjeçari Qosja ka lindur në fshatin Tamarë të Malësisë së Madhe, ndërsa jeton i vetëm në banesën e tij në Torovicë të Lezhës.
Një rast i ngjashëm ka ndodhur në tetor të vitit 2015, në Oblikë të Shkodrës, ku humbi jetën komandanti i FNSH për Shkodrën, Simon Gjeta. Aso kohe, 52-vjeçari Ruzhdi Arishta, ka vrarë komshiun e tij 21-vjeçar, Besar Shebela pas një konflikti. Pas kësaj Arishta, që ishte i sëmurë mendërisht dhe i braktisur nga të gjithë, ka qëlluar edhe ndaj punonjësve të policisë, ku për pasojë humbi jetën komandanti i FNSH për Shkodrën, Simon Gjeta. Pas 12 orësh përplasje me policinë, u ekzekutua edhe autori i ngjarjes.

Kush është polici i FNSH nga Shkodra që u vra në Lezhë

Një efektiv profesionit dhe prind shembullor. Kështu e njohin miq e të afërm, 50-vjeçarin Ardian Kodra, efektivin nga Shkodra që për 20 vite i shërbehu Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. 50-vjeçari Kodra, (në vitet ’90 ka punuar në repartin e Zallherit), humbi jetën sot tragjikisht gjatë një aksioni në Torovicë të Lezhës, në tentativë për të neutralizuar një person me të meta mendore, të armatosur. Kodra, banues në Shkodër, ishte i martuar dhe baba i dy djemve.
Tashmë familja Kodra ka hapur dyert të mortit për kryefamiljarin, i cili si çdo herë u nis në punë, ndërsa fati i keq luajti me të. Ndërkohë, autori i vrasjes, David Qosja, që sipas policisë është person me probleme mendore, vijon ende të jetë i izoluar në banesën e tij, ndërsa nuk pranon të dalë prej aty, duke qëlluar me automatik në drejtim të policisë.
Një rast i ngjashëm ka ndodhur në tetor të vitit 2015, në Oblikë të Shkodrës, ku 52-vjeçari Ruzhdi Arishta, ka vrarë komshiun e tij 21-vjeçar, Besar Shebela pas një konflikti. Pas kësaj Arishta, që ishte i sëmurë mendërisht dhe i braktisur nga të gjithë, ka qëlluar edhe ndaj punonjësve të policisë, ku për pasojë humbi jetën komandanti i FNSH për Shkodrën, Simon Gjeta. Pas 12 orësh përplasje me policinë, u ekzekutua edhe autori i ngjarjes.
Pas operacionit në Torovicë, efektivët i japin lamtumirën kolegut të tyre
Efektivët e policisë që morën pjesë në operacionin që u zhvillua në Torovicë të Lezhës për kapjen e të sëmurit mendor David Qosja, kanë shkuar në banesën e kolegut të tyre Ardian Kodra 50 vjeç për t’i dhënë lamtumirën. Familja e tij në Shkodër ka hapur dyert e mortit për të marrë ngushëllimet e të afërmve e miqve të tyre për ndarjen nga jeta të efektivit 50-vjeçar.
Efektivi i FNSH, Ardian Kodra u vra gjatë operacionit të ndërmarrë në Torovicë, aty ku Qosja, i cili rezulton të jetë me probleme të shëndetit mendor, kishte qëlluar me armë në ajër. Policia e Lezhës e më tej FNSH e Shkodrës ndërmorën operacionin për arrestimin e autorit, i cili u izolua në një banesë e nga aty nisi të qëllojë me armë ndaj policisë. Plumbat i morën jetën efektivit 50-vjeçar.

Basha: Vrasja e efektivit, tronditëse, sakrificë sublime për të ndaluar krimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për ngjarjen e rëndë në Torovicë, ku mbeti i vrarë efektivi i FNSH. Basha shpreh ngushëllime për familjarët dhe të afërmit e efektivit duke e cilësuar këtë ngjarje tronditëse.
“Tronditëse vrasja e efektivit të FNSH-së Ardian Kodra në krye të detyrës. Shpreh ngushëllimet më të thella për familjarët e të afërmit e Ardianit dhe për kolegët e tij si dhe vlerësimin më të madh për punën heroike, për këtë sakrificë sublime si sot, në përpjekje për të ndalur një kriminel që terrorizonte Torovicën, duke qëlluar me armë. Burrat dhe gratë e ndershme në uniformë kanë gjithmonë mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike dhe në veçanti në përpjekjet e tyre për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve”, shprehet kreu i PD, Lulzim Basha.

Berisha: Nderim për efektivin e FNSH që ra në krye të detyrës

Ish-Kryeministri Berisha i ka shprehur ngushëllimet familjes së efektivit të FNSH që u vra në Torovicë të Lezhës. “Dhimbje, nderim e respekt për efektivin e FNSH Adrian Kodra, që ra sot në krye të detyrës. Ngushëllime familjarëve, shërim të plotë shokut të tij të plagosur”, shkruan ish-Kryeministri Berisha në Facebook. Efektivi Ardian Kodra 50 vjeç humbi jetën në krye të detyrës, gjatë aksionit për arrestimin e 27-vjeçarit David Qosja që qëllonte me armë.

Artikulli paraprakStandardet “Rama”, UEFA kërcënon me mbyllje stadiumin “Loro Boriçi”
Artikulli tjetërÇfarë pune bënte Mondi?