Sot, shenjtërimi i Nënë Terezës në Vatikan

Sot, në 10 e 30 në Vatikan në Sheshin e “Shën Pjetrit” nis Mesha e Shenjtërimit të Nënë Terezës së Kalkutës
Sot, në orën 10:30, Papa do të kryesojë, në Sheshin e “Shën Pjetrit”, Meshën e Shenjtërimit të Nënë Terezës së Kalkutës. Kremtimi radhitet në kuadrin e Jubileut të veprimtarëve dhe vullnetarëve të Mëshirës. Në një telegram, me nënshkrimin e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, dërguar atë Bernardo Cervellera-s, me rastin e një simpoziumi kushtuar nga AsiaNjus Shenjtores shqiptare, organizuar në Romë, pranë Universitetit Papnor Urbanian, Papa e quajti Nënë Terezën “dëshmitare e zgjedhur e dashurisë dhe e vëmendjes bujare për të varfërit e të fundmit”. Uroj që shembulli i saj – shtoi më tej Papa – të ndihmojë për ta çuar gjithnjë më shumë Krishtin në qendër të jetës e ‘për ta jetuar bujarisht Ungjillin e Tij, përmes ushtrimit të vazhdueshëm të veprave të mëshirës, për të qenë ndërtues të një ardhmërie më të mirë, të ndriçuar nga drita e së Vërtetës. Françesku bëri apel që t’i ngjajmë Shenjtores shqiptare, për të vënë në jetë “Revolucionin e dhembshurisë”, nisur nga Jezu Krishti me dashurinë dhe parapëlqimin e më të vegjëlve.
E gjatë Meshës së shenjtërimit besimtarët do të luten për të varfërit dhe të fundmit e tokës, e edhe për të krishterët që, duke ndjekur shembullin e  Nënë Terezës, të vihen në lëvizje nga dashuria veprimtare. Në gjuhën bengali do të thuhet një lutje për qeveritë e parlamentet, që të mbrojnë jetën dhe dinjitetin e çdo njeriu, duke promovuar paqen e drejtësinë. Në gjuhën kineze do t’i lartohet Zotit lutja për të krishterët e persekutuar, që Ai i Lumi t’i ngushëllojë me praninë e Tij, t’u prijë në natën e errët e të bëjë që të lindë për ta dielli i drejtësisë.
Së fundi, në gjuhën e Shën Terezës, në shqip, lutja që Zoti t’i mbushë barinj e besimtarë me Shpirtin e vet, për ta shuar etjen e Jezusit në vëllezërit.
E Shenjtorja e re na përsërit thirrjen e Krishtit: “Ji ti drita ime!” e na porosit: “Tani ju takon ju ta rrezatoni dritën e Krishtit! Ju takon ju ta mbani gjallë zjarrin, që ndeza në botë! Nëse dëshironi t’u pëlqeni të gjithëve, luftoni  e vdisni për të gjithë!

Gonxhe Bojaxhiu – biografia e Nënë Terezës në prag të shenjtërimit të saj

E lindur në një familje të varfër në Shkup, Gonxhe Bojaxhi, do të ndiente shumë herët domosdoshmërinë për të shpërndarë dashurinë e Zotit dhe për të ndihmuar më të varfërit. Më pak se dy vjet pas vdekjes, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e saj, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e shenjtërimit.
“Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por  zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit”. Nënë Terezës, me shtat imcak, por me besim të patundur, iu besua misioni të kumtonte dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfërit ndër të varfër. “Hyji vijon ta dojë botën dhe na dërgon ty e mua për t’u shprehur të varfërve dashurinë dhe mëshirën e Tij”. Në shpirtin e saj, kishte një dëshirë të vetme: “Të shuante etjen e dashurisë së Tij për shpirtërat njerëzore”.
Kjo lajmëtare e ndritur e dashurisë së Zotit, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, qytet i vendosur në udhëkryq të historisë së Ballkanit. Më e vogla e pesë fëmijëve të Nikollë dhe Drane Bojaxhiut, u pagëzua me emrin Gonxhe Anjeze, mori Kungimin e parë në moshën pesë vjeç e gjysëm e u krezmua në nëntor të vitit 1916. Që ditën e Kungimit të parë, ndjeu në zemër një dashuri të thellë për shpirtrat njerëzore. Me vdekjen e papritur të babait, në sa Anjezja nuk i kishte mbushur ende 8 vjetët, për familjen filluan vështirësitë ekonomike. Dranja, grua burrneshë, i rriti fëmijët plot dashuri, duke ndikuar shumë në karakterin dhe rrugën e jetës që do të zgjidhte e bija. Më pas formimi fetar i Gonxhes u thellua në famullinë e Zemrës së Krishtit, nën drejtimin e jezuitëve, ku merrte pjesë gjallërisht ndër të gjitha veprimtaritë.
Në moshën 18-vjeçare, e shtyrë nga dëshira për t’u bërë misionare, në shtator të vitit 1928, Gonxhja i tha lamtumirë shtëpisë atërore, për të hyrë në Institutin e së Lumes Zojë, që njihej ndryshe me emrin “Motrat e Loretos”, në Irlandë. Atje mori emrin motër Mari Tereza, për nder të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë. Në dhjetor u nis për në Indi. Në Kalkutë arriti më 6 janar të vitit 1929. Pasi bëri kushtet e përkohshme, në maj të vitit 1931, Motër Tereza u dërgua në bashkësinë e Loretos, në Entali, ku dha mësim në shkollën St.Mary për vajza. Më 24 maj të 1937-ës, motër Tereza paraqiti  kushtet e përjetshme, duke u bërë, siç tha ajo vetë: “Vashë e Jezusit” për “amshim”. Që nga ajo ditë  e tutje u quajt Nënë Tereza. Vazhdoi të jepte mësim në St. Mary dhe më 1944 u emërua drejtoreshë e shkollës. Grua që ia kishte kushtuar jetën lutjes, që i donte fort motrat dhe nxënëset e saj, Nënë Tereza jetoi e lumtur në Loreto për njëzet vjet me radhë. E njohur për zemërgjerësi, bujari, guxim, aftësi të posaçme në kryerjen e punëve më të rënda dhe për talent të natyrshëm organizativ, ajo e jetoi përkushtimin e saj ndaj Jezusit, ndërmjet motrave, me besnikëri dhe gëzim.
Më 10 dhjetor të 1946-ës, gjatë udhëtimit me tren nga Kalkuta në Darjeeling, për ushtrimet shpirtërore vjetore, Nënë Tereza ndjeu “frymëzimin” e ri, “thirrjen brenda thirrjes”. Atë ditë, si e qysh ajo nuk e tregoi kurrë, etja e Krishtit për dashuri e për shpirtëra njerëzore e pushtoi zemrën e saj dhe dëshira e flaktë për ta shuar etjen e Zotit u bë  qëllimi kryesor i jetës.
Pas një kursi të shkurtër pranë Motrave Mjeke Misionare në Patna, Nënë Tereza u kthye rishtas në Kalkutë ku gjeti një strehë të përkohshme pranë Motrave të Vogla të të Varfërve. Më 21 dhjetor shkeli për herë të parë në lagjet e të varfërve: vizitoi familje, u lau plagët disa fëmijëve, u kujdesua për një plak që dergjej në rrugë të madhe dhe për një grua që po vdiste nga uria e nga tuberkulozi. E niste ditën me Jezusin në Eukaristi; pastaj, me rruzaren në duar, dilte për t’i gjetur dhe për t’u shërbyer atyre që janë: “të braktisur, të padashur, të papërkujdesur”. Disa muaj më vonë, me të u bashkuan, njëra pas tjetrës, disa nga ish-nxënëset e saj.
Më 7 tetor të vitit 1950, Kryedioqeza e Kalkutës njihte zyrtarisht Kongregatën e re të Misionareve të Bamirësisë. Në muajt e parë të vitit 1960, Nënë Tereza filloi t’i dërgonte motrat e saj në të katër anët e Indisë. E Drejta Papnore, lëshuar Kongregatës nga Papa Pali VI në shkurt të 1965-ës, i dha zemër të hapte një shtëpi misionare në Venezuelë. Menjëherë pas saj u themeluan shtëpi të tjera në Romë e në Tanzani dhe, pak më vonë, në të gjitha kontinentet. Duke filluar nga viti 1980, deri më 1990, Nënë Tereza  hapi shtëpi misioni pothuajse në të gjitha vendet komuniste, duke përfshirë ish-Bashkimin Sovjetik, Shqipërinë dhe Kubën.

Misionarja e bamirësisë

Për t’iu përgjigjur sa më mirë si nevojave fizike, ashtu dhe atyre shpirtërore të të varfërve, Nënë Tereza më 1963 themeloi Vëllezërit Misionarë të Bamirësisë; më 1976, degën kundruese të motrave; më 1979, Vëllezërit kundrues dhe më 1984, Etërit Misionarë të Bamirësisë. Gjithsesi frymëzimi i saj nuk u kufizua vetëm në njerëzit e thirrur për jetë rregulltare. Organizoi Bashkëpunëtorët e Nënë Terezës dhe Bashkëpunëtorët e Sëmurë dhe të Munduar, njerëz të feve e të kombësive të ndryshme, me të cilët u bë një në lutje, thjeshtësi, flijim dhe në apostullimin e saj që shprehej me vepra të përvuajtura bamirësie. Kjo frymë  e shtyu të themelonte më pas Misionarët Shekullarë të Bamirësisë. Duke iu përgjigjur kërkesës së shumë meshtarëve, më 1991 Nënë Tereza themeloi edhe Lëvizjen e Korpit të Krishtit për Meshtarë, si “rrugë e vogël që i çon në shenjtërim” ata, të cilët ishin një mendje me karizmën dhe me shpirtin e saj.
Kur misioni i saj nisi të përhapej me të shpejtë, bota filloi t’ia ngulte sytë Nënë Terezës dhe veprës që ajo kishte nisur. Meritoi shumë çmime për veprën e saj, duke filluar nga Çmimi indian Padmashri, në vitin 1962, për të vijuar me Çmimin e rëndësishëm Nobel për Paqen, më 1979, ndërsa mjetet e komunikimit filluan t’i ndiqnin veprimtaritë e saj me interes gjithnjë e më të madh. Si çmimet, ashtu edhe gjithçka që e vinte në qëndër të vëmendjes, i pranoi  “për lavdinë e Zotit e në emër të të varfërve”.
Gjatë viteve të fundit të jetës, pa marrë parasysh problemet e shumta e serioze shëndetësore, Nënë Tereza vijoi t’i printe Kongregatës së saj dhe t’u përgjigjej nevojave të të varfërve e të Kishës. Sot Kongregata 4000 motra, të pranishme në 730 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës. Në mars të vitit 1997 bekoi Eproren e re të Përgjithshme, të sapo zgjedhur, të Misionareve të Bamirësisë e bëri edhe një udhëtim jashtë shteti. Si pati takuar Papën Gjon Pali II për të mbramen herë, u rikthye në Kalkutë ku kaloi javët e fundit të jetës, duke pritur vizitorë e duke u dhënë këshilla simotrave. Më 5 shtator 1997 jeta tokësore e Nënë Terezës arriti cakun e fundit. Qeveria indiane e nderoi me funeralin e Shtetit, në përfundim të të cilit trupi i saj u varros në Shtëpinë-Nënë të Misionareve të Bamirësisë. Shumë shpejt varri i saj u bë cak shtegtimi e lutjeje për njerëz të besojmave të ndryshme, për të varfër e për të pasur, pa kurrfarë dallimi.
Më pak se dy vjet pas vdekjes, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e saj, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e shenjtërimit. Më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj. Nënë Tereza u lumnua më 19 tetor 2003, e diela XXIX gjatë vitit kishtar, Dita Misionare Botërore.
Më 17.12. 2015, Papa Françesku njohu mrekullinë dhe nënshkroi dekretin për shenjtërimin e Nënë Terezës, duke njohur mrekullinë e kryer me ndërmjetësimin e saj: shërimin e një besimtari brazilian të sëmurë me tumor në tru.
Më 4 qershor 2016 u caktua edhe data e shenjtërimit: të dielë, më 4 shtator 2016, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan.

Murgesha që frikësoi komunistët e Shqipërisë

Marrëdhënia mes gruas që do të shpallet shenjtore nga Vatikani dhe komunistëve që qeverisnin Shqipërinë qe e vështirë, por mori një kthesë të çuditshme
Shqipëria po fiton krenari të madhe nga fakti që Kisha Katolike do të shpallë shenjtore më 4 shtator, murgeshën misionare Nënë Tereza. Megjithatë, vendi i saj i origjinës nuk ka qenë gjithmonë kaq entuziast për arritjet e saj. Dokumente të siguruara nga BIRN zbulojnë se regjimi komunist i Shqipërisë e spiunoi murgeshën me banim në Indi, pasi e konsideroi atë të rrezikshme dhe mendoi se Vatikani e kishte promovuar për të dëmtuar Shqipërinë. Dokumentet e Arkivës Kombëtare Shqiptare tregojnë armiqësinë e zyrtarëve ndaj saj për vite të tëra.
E lindur në Shkup të Maqedonisë nga prindër shqiptarë të Kosovës, murgesha u vendos në radarët e regjimit komunist në fillim të 1980-ës. Nevila Nika, ish-drejtoreshë e Përgjithshme e Arkivës dhe pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës i tha BIRN se, komunistët filluan të merren me të, pasi ajo fitoi çmimin Nobel në dhjetor 1979. “Gjatë ceremonive të mbajtura për çmimin në Norvegji, ajo shpalli haptazi origjinën e saj shqiptare në një kohë kur Shqipëria ishte bërë vendi i parë në botë që kishte ndaluar fenë”, theksoi Nika.
Pasi kishte vrarë dhe persekutuar klerikët e vendit, në 1967 diktatori komunist, Enver Hoxha vendosi të ndalojë totalisht fenë. Komuniteti katolik mori goditjen më të rëndë. Ndërkohë që pak klerikë ia dolën të largohen, shumë të tjerë u burgosën nga sistemi dhe u ekzekutuan. Pas vitit 1967, kishat dhe xhamitë u kthyen në zyra, qendra sportive, muzeume apo vende të punës. Nika beson se komunistët ia kishin frikën lartësimit të Nënë Terezës në një figurë ndërkombëtare, duke menduar se mund të shkaktonte presion mbi ta për të lehtësuar trajtimin e ashpër ndaj katolikëve të Shqipërisë. “Ndërsa Nënë Tereza nderohej nëpër botë, shqiptarët nuk e dinin se çfarë po ndodhte. Asnjë nga qytetarët nuk e njihte atë apo ç’ka ajo kishte bërë për të fituar një çmim të tillë. Por lidershipi komunist e dinte mirë dhe ata nuk mund ta nënvlerësonin atë më gjatë”, tha Nika.

E spiunuar nga regjimi

Një raport dikur i klasifikuar, i dërguar nga ministri i Brendshëm tek ish-kreu i Presidiumit të Asamblesë Popullore, Ramiz Alia në qershor 1982 përmend rrezikun nga aktivitetet e Nënë Terezës. Dokumenti i lexuar nga BIRN thekson “aktivitetet armiqësore të Vatikanit ndaj Shqipërisë” dhe e përmend atë si komplotiste kundër regjimit. Me frikën se ajo propagandë fetare mund të importohej në mënyrë sekrete nga Kosova në Jugosllavi, zyrtarët shqiptarë u vunë në alarm mbi aktivitetet e prezumuara të Nënë Terezës. “Murgesha kosovare, Tereza Bojaxhiu, në mars të këtij viti organizoi një takim në Romë, në të cilin morën pjesë 70 priftërinj shqiptarë dhe kosovarë mes emigrantëve të vendit tonë”, shkruhet në dokumentin e qershorit 1982. Ne po i ndjekim këto aktivitete armiqësore kundër vendit tonë dhe kemi marrë masa të mëtejshme për t’u njohur me situatën, duke forcuar punën tonë”, përfundon dokumenti.
Nika beson se komunistët ishin veçanërisht të alarmuar pas shpërthimit të demostratave në Kosovë më 1981, ku shqiptarët etnikë kërkuan krijimin e një republike brenda Jugosllavisë. “Ata panë kurajon e studentëve dhe qytetarëve të Kosovës kundër status quo-së dhe ndjenë se një ditë, e njëjta gjë do të ndodhte në Shqipëri”, tha ajo. Në nëntor 1982, Nënë Tereza u përmend sërish në dosjet sekrete të Ministrisë së Brendshme, dërguar zyrtarëve të lartë të regjimit komunist. Në raportin e Nëntorit 1982, ajo u akuzua se bënte pjesë në aktivitetet armiqësore kundër vendit.
“Vatikani dhe Papa Vojtila [John Paul II] janë duke e përdorur personalisht dhe gjerësisht murgeshën Tereza Bojaxhiu për aktivitete propagandistike kundër vendit tonë”, thuhet në raport. Theksohet gjithashtu se asaj i ishte dhënë çmimi italian Torri Merlate në maj 1982, medalja Marquette nga një universitet katolik në Shtetet e Bashkuara më 1981 dhe titulli “Doctor” nga Universiteti i Georgetown. Me ndihmën e Vatikanit, një prift kosovar i quajtur Lush Gjergji kishte publikuar gjithashtu librin “Nëna jonë Tereza”, në të cilin ajo ishte quajtur “përfaqësuese e dëshirave të të gjithë shqiptarëve në botë”. Ndërkohë, RAI në Itali, në bashkëpunim me organizatën e filmit Jadran në Zagreb po “realizonin një film për jetën e saj”, shkruhet në dokumentet sekrete.
Në dosje shprehen shqetësime mbi udhëtimet e saj të vazhdueshme në Europë dhe Shtetet e Bashkuara dhe takimet e saj me president të vendeve më të fuqishme të botës. “Gjatë këtyre udhëtimeve, ajo ka frekuentuar gjithashtu mjedise të atyre që janë arratisur nga Shqipëria….në Itali dhe me emigrantë shqiptarë dhe kosovarë. Në një intervistë të dhënë për revistën kosovare “Drita”, ajo bëri sulme të drejtpërdrejta ndaj vendit tonë, duke thënë ‘Kisha në Shqipëri është duke përjetuar një të premte të zezë, duhet të ngrihet sërish, pasi vendi ynë nuk mund të harrojë”, shkruhet në dokument.

Kthesa e çuditshme e marrëdhënieve

Nika e konsideron shqetësimin e komunistëve ndaj Nënë Terezës si krejt të kuptueshëm për atë kohë. “Pavarësisht se Nënë Tereza thoshte që nuk ishte e përfshirë në politikë, ajo ishte një politikane e jashtëzakonshme dhe e rafinuar dhe avokate e madhe e lirisë. Sigurisht, që ata ishin të frikësuar prej saj, pasi ajo e dinte se si liritë në Shqipëri ishin shtypur në nivel institucional dhe personal”, tha Nika. Në vitet 1970, pasi nëna e saj Drane dhe motra Age Bojaxhi vdiqën në Tiranë, ajo shpenzoi vite me kërkesa ndaj autoriteteve shqiptare që ta lejonin atë të vinte të vendoste lule në varret e tyre. Pasi kërkesat u refuzuan në mënyrë sistematike, ajo që ndodhi në gusht 1989 ishte një surprizë: atë muaj ajo u lejua të hynte në Shqipëri në një vizitë që ata e quajtën private, thuajse një vit e gjysmë para se regjimi të rrëzohej. “Nuk është e qartë se çfarë e detyroi liderin e ri të komunistëve, Ramiz Alia të lejonte Nënë Terezën të hynte në vend-me shumë gjasë ishte situata e vështirë ekonomike me të cilën përballej vendi. Ndoshta Alia mendoi se ajo mund të siguronte ndihma humanitare”, thotë Nika.
Edhe pse zyrtarët komunistë e pritën atë në vizitën e parë të saj, Alia refuzoi ta lejonte që të hapte urdhrin e saj në Shqipëri. Pavarësisht kësaj, më 1 dhjetor 1990, vetëm pak ditë pas shpërthimit të protestave studentore kundër regjimit, qeveria e nderoi atë me dekoratën “Naim Frashëri” me motivimin e kontributit të çmuar ndaj njerëzve në nevojë. “Shqiptarët janë krenarë për vajzën e tyre të madhe dhe të nderuar”, lexohet në tekstin që shoqëron dekoratën. “Sigurisht, komunistët nuk e ndjenin të nderonin Nënë Terezën, por ata e bënë. Kjo është një provë tjetër e personalitetit të saj të shquar, diplomacisë dhe aftësisë në arritjen e objektivave të saj. Në fund, ajo ia doli madje edhe kundër komunistëve”, u shpreh Nika.

BIRN

Artikulli paraprak6 ha me kanabis pranë Rinasit në pronësi të Bushit
Artikulli tjetërPas 3 vitesh korrupsion e varfëri, të rinjtë shqiptarë të parët në botë që duan të braktisin vendin