Paratë ikin jashtë, bankat, 2.36 miliardë euro investime në tregjet e huaja

Investimet e bankave shqiptare jashtë u rritën me 16.7 miliardë lekë ose 121 milionë euro në harkun kohor të një viti. Të dhënat zyrtare tregojnë se me gjithë masat shtrënguese të Bankës së Shqipërisë, bankat private vazhdojnë të investojnë në tregjet e huaja, ndërsa kredia për ekonominë vazhdon të tkurret. Sipas BSH, në korrik të këtij viti totali i investimeve të bankave shqiptare jashtë arriti në 324.7 miliardë lekë nga 308 miliardë lekë që ishte shifra në korrikun e një viti më parë. E konvertuar, kjo do të thotë se aktualisht bankat shqiptare kanë mbi 2.36 miliardë euro të investuara jashtë Shqipërisë. Edhe pse një vend në zhvillim, me nevoja të mëdha për investime, Shqipëria është shndërruar në një kreditor neto në tregun financiar. Kreditë që bankat shqiptare kanë përdorur nga mëmat e tyre janë vetëm 42 miliardë lekë ose 8 herë më të ulëta nga sasia e fondeve që ato kanë transferuar jashtë.

Nuk ka kredi
Normalisht kursimet e shqiptarëve duhet të ishin kanalizuar në kredi për të gjallëruar ekonominë e vendit. Por në vend të kësaj ato janë investuar masivisht jashtë, ndërsa kreditimi i ekonomisë vazhdon të mbetet në ngërç. Sipas statistikave më të fundit, në korrik të këtij viti kredia ishte 1.7 miliardë lekë më e ulët se sa korriku i 2015-ës. Banka e Shqipërisë dhe bankat private kanë versione të ndryshme mbi shkaqet se pse kredia është në krizë.  Sipas BSH, shkaku kryesor se pse kredia nuk rritet lidhet me ofertën e shtrënguar të bankave. Por këto të fundit ja hedhin fajin mungesës së kërkesës për kredi nga biznesi dhe individët.  Por përtej shkaqeve, fakt është se kursimet e shqiptarëve, janë duke financuar investime në vendet e tjera të botës, ndërsa ekonomia e vendit mbetet e ndrydhur në darët e krizës.

Artikulli paraprakDepozitat e qytetarëve tkurren me 4 mld lekë brenda muajit
Artikulli tjetërTek Interi nis java e rinovimeve