Transferimi nga Chievo te Pro Vercelli rezultoi një lëvizje mjaft e mirë për Armando Vajushin. Mesfushori shqiptar është kthyer menjëherë në protagonist në skuadrën e Serie B italiane. 24-vjeçari shënoi në ndeshjen e dytë si titullar, në barazimin 1-1 që skuadra e tij regjistroi në fushën e Trapanit. Në minutën e 10-të të lojës, Vajushi kaloi miqtë në avantazh, duke shënuar me kokë pas harkimit të Germano-s nga krahu. Goli i parë për shkodranin në futbollin italian.
Një rrjetë e rëndësishme për Armando Vajushin, i cili nuk shënonte prej 13 dhjetorit të vitit 2014, kur aktivizohej në Bullgari në radhët e Litex Lovech. Trapani arriti të barazonte shifrat në pjesën e dytë të lojës me Coronado-n, që shfrytëzoi një top të mbetur në zonë pas një goditje këndi.
Ky ishte barazimi i dytë për Pro Vercelli-n në dy ndeshjet e para të Serisë B, por tashmë piemontezët janë të vetëdijshëm se me Armando Vajushin të rikthyer në formë kanë në dispozicion një element mjaft të rëndësishëm në garën për mbijetesë.