Në tenderin për ruajtjen trevjeçare me polici private të hidrocentraleve Koman dhe Vau i Dejës u paraqitën katër oferta. E para, ishte ajo e bashkimit të shoqërive Eurogjici dhe NSS, të cilat patën ofruar 278.4 milionë lekë, ndërsa tre kompanitë e tjera pjesëmarrëse, International Security Albania, Oktapus & Studenti si dhe Toni Security & Breçani, ofruan të njëjtin çmim prej 209.2 milionë lekë. Pas zhvillimit të garës dhe vlerësimit të ofertave, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka vendosur të shpallë fitues ofertën e parë, atë të bashkimit të shoqërive Eurogjici dhe NSS edhe pse kjo ofertë ishte 600 mijë dollarë më e lartë se tre të tjerat ose 30 për qind më shumë.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Agjencia e Prokurimeve Publike, KESH ka vendosur t’i skualifikojë të tre ofertat me vlerë më të ulët, për mungesë eksperience dhe dokumentacioni. “Duke iu referuar procedurës së lartpërmendur, informojmë bashkimin e operatorëve ekonomik “Eurogjici-Security & SSN”sh.p.k., se oferta e paraqitur me një vlerë të përgjithshme prej 278,455,320 lekë pa TVSH është identifikuar si oferta e suksesshme”, thuhet në vendimin e KESH të publikuar në faqen zyrtare të APP.
Shoqëria Eurogjici zotërohet nga kandidati socialist për Bashkinë e Kamzës, Safet Gjici, njëkohësisht edhe ish-prefekt i Kukësit. Prej kohësh, opozita ka denoncuar se së bashku me disa zyrtarë të tjerë të lartë socialistë, Gjici është një nga përfituesit kryesorë të tenderave publik. Sipas Partisë Demokratike, gjatë tre viteve të së majtës në pushtet, Gjici ka përfituar rreth 200 tendera publikë me vlerë mbi 8 miliardë lekë.
Safet Gjici, kandidati i PS për Bashkinë e Kamzës në zgjedhjet e kaluara vendore dhe njëkohësisht pronar i dy kompanive “Eurigjici Security” dhe “Kevin Construction” është në krye të listës së përfituesve të tenderave qindra milionësh nga pushteti i Ramës. Nga një investigim i thjeshtë në portalin Open Data, rezulton se vetëm përmes një kompanie, asaj të ndërtimit, “Kevin Construction”, Gjici brenda këtyre dy viteve ka përfituar një shumë stratosferike prej afro 8 miliardë lekësh. Konkretisht, në vitin 2014, kompania e Gjicit, “Kevin Construction” ka përfituar 328,868,569.00 lekë ose 3.3 miliardë lekë të vjetra. Ndërsa për vitin 2015, e njëjta kompani ka përfituar 266,771,273.44 lekë tendera ose rreth 2.7 miliardë lekë të vjetra.
Nga ana tjetër, Gjici ka përfituar tendera qindra milionësh me kompaninë tjetër të tij, Eurogjici. Brenda dy viteve, përmes kompanisë Eurogjici Security, Gjici ka zhvatur edhe dy miliardë lekë të tjera. Konkretisht, në vitin 2014, Eurogjici ka fituar 80,400,714, pra 800 milionë lekë të vjetra. Ndërkohë që gjatë këtij viti, Eurogjici ka përfituar plot 1 miliard lekë (101,525,562). Pra, në total me të dyja kompanitë e tij, Gjici brenda këtyre dy viteve ka marrë nga Rama rreth 8 miliardë lekë tendera.
Rama e ka përdorur Gjicin prej kohësh për financimin e fushatave zgjedhore dhe blerje votash, derisa në zgjedhjet e kaluara vendore e bëri edhe kandidat të PS për Bashkinë e Kamzës. Nuk janë të pakta rastet e denoncuara për Gjicin për blerje votash, ku tashmë Rama këtë shërbim po ia shpërblen atij me tendera qindra milionësh.
Pak kohë më parë, në media u denoncua se si kompania tjetër e Gjicit, “Eurigjici Security” kishte futur në xhep plot dhjetë tendera, duke fituar qindra miliona lekë. Mediat zbuluan dokumentet e 10 tenderave që Rama i dha kandidatit të tij për kryetar bashkie të Kamzës, Safet Gjici, gjatë fushatës zgjedhore të 21 qershorit për blerjen e votave. Në një investigim të TV “Channel One”, gazetarët kanë zbuluar 10 tenderat që i janë dhënë Gjicit pa konkurrim vetëm në 30 ditët e fushatës zgjedhore, ku kompania e Gjicit ka marrë përmes Komisionit të Prokurimit, jo pak, por 620 milionë lekë. Komisioni i Prokurimit Publik, një institucion që ka për detyrë të kontrollojë mirëmenaxhimin e parave publike ka zgjedhur tenderat si mënyrën më të mirë për të vjedhur votat dhe për t’i kompensuar kandidatit të majtë Safet Gjici shpenzimet e fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të këtij viti. Në kohën kur Gjici garonte në fushatën zgjedhore nën siglën e PS përballë kandidatit të PD, Xhelal Mziu, institucioni i drejtuar nga Gentian Kërri i ka dhënë kompanisë “Eurogjici Security shpk”, plot dhjetë tendera, të cilët të përkthyer në shifra llogariten në 620 milionë lekë.
10 tenderat që kushtojnë mbi 620 milionë lekë që Komisioni i Prokurimit Publik i ka dhënë kompanisë “Eurogjici Security shpk”, vetëm gjatë periudhës së fushatës elektorale të zgjedhjeve të 21 qershorit 2015.
Përgatiti: Adrian Mziu