Një udhëzim i përbashkët i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe atij të Financave, Arben Ahmetaj, për Institutin e Policisë Shkencore, po fut në kolaps një sërë procesesh gjyqësore në Gjykatën e Tiranës dhe po bëhet shkak për lirimin nga burgu të personave të akuzuar për vepra të rënda penale. Sipas këtij udhëzimi, Instituti duhet të dorëzojë aktet e ekspertimit, vetëm pasi Gjykata të ketë shlyer faturën financiare.
Gjykatësi Gerd Hoxha, i cili ka në shqyrtim dosjen penale ndaj një të dyshuari për ngacmim seksual ndaj të bijës, tha se vonesa e Policisë Shkencore nuk ka sjellë ende analizën e ADN së kërkuar prej saj, në një kohë kur afatet e paraburgimit për këtë të pandehur janë në limitet e fundit.
Në rastin konkret, Hoxha theksoi se fatura është likuiduar, por sërish nuk kanë përgjigje nga Policia Shkencore. “Në dijeninë time akti është bërë, por nuk është paraqitur, megjithatë për të moszvarritur për asnjë sekondë gjykimin, për shkak se është një çështje mjaft sensitive, dhe afatat e paraburgimit janë në limite, Gjykata ka depozituar dokumentacion e paraqitur nga Instituti i Policisë Shkencore Zyrës së Financës së Gjykatës. Nga kryesekretaria njoftohem se, pagesa është bërë 2 gusht 2016-tës”, tha ai.
Kreu i Unionit të Gjyqtarëve i bëri thirrje Ministrisë së Brendshme, të marrë masat në zbatim të ligjit, për zgjidhjen e situatës së paprecedentë të krijuar.
“Instituti i Policisë Shkencore është pjesë e shtetit dhe ka detyrim që ta kryejë, e kam informuar zotin Zotaj që të lidhet me drejtuesit e tij për të diskutuar këtë udhëzim të ministrit të MPB-së, i cili është në vazhdën e udhëzimeve edhe nga ministrat e mëparshm, të marrin masa që të moszvarrisin gjykimin”, vijoi ai.
Në Gjykatën e Tiranës ka jo pak procese, zgjidhja e të cilave varet direkt nga përfundimet e ekspertëve. Vonesat e sjelljes së këtyre dokumenteve, janë shkaku kryesor në zvarritjen e gjyqeve, mes të cilave dhe atyre me interes të lartë publik.