6 hektarë me drogë në Rinas me lejen e Ramës

Rama hesht për 6 hektarët e mbjellë me kanabis në afërsi të Rinasit, ndërsa policia nuk guxon t’í afrohet për shkak se droga është në pronësi të kreut të Bashkisë së Krujës, Artur Bushi. Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkeleid Alibeaj deklaroi dje gatë një konference për shtyp se, pas denoncimit dy ditë më parë nga kjo foltore, me prova, me foto e me video, për 50 mijë rrënjë drogë 2 kilometra larg Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, Edi Rama heshti. Dhe Tahiri i tij, që së fundmi organizon ture festive nëpër ca parcela me kanabis, nuk u shfaq.
Sipas Alibeajt, parcelat me kanabis rreth 20 kilometra larg zyrës së Edi Ramës, janë me leje, ndaj dhe nuk ndërhyhet për shkatërrimin e tyre. “Pse? Sepse këto 6 hektarë me drogë, 2 kilometra larg Rinasit, 20 kilometra larg zyrës së Edi Ramës, janë me leje. Janë të paprekshme. Janë të Bushit. Të gjithë kanë dijeni, nga operativi i zonës, tek polici që ka shtëpinë ngjitur, shefi i komisariatit, drejtori i policisë, Tahiri, Rama; por e fshehin, e ruajnë, dhe po bëhen gati ta vjelin e ta hedhin në treg”, tha Alibeaj.
Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD tha më tej se, pas denoncimit tonë dy ditë më parë, policia ka bërë sikur ka ndërhyrë në një pjesë të parcelës. “Ndërkohë që pjesa më e madhe qëndron aty dhe po nxitohet të mblidhet, edhe në këtë moment që flasim. Ky është sundimi i bandës së drogës në vend”, tha ai.
Alibeaj u shpreh se, biznesi kriminal që bëhet në zemër të vendit, me lejen e Edi Ramës, i cili është në krye të skemës së 30 për qind të përfitimit. “Ka ardhur koha që shqiptarët të bashkohen, të ngrihen e të pastrojnë vendin nga droga, nga trafikantët, e nga kumbarët në qeveri. Shqipëria meriton zhvillim e punë të ndershme, jo krime e drogë. Shqipëria dhe shqiptarët më mirë pa Edi Ramën”, përfundoi Alibeaj.
Gjatë denoncimit të bërë para tre ditëve, Alibeaj tha se kjo drogë mbillet, kultivohet me sistem vaditje të sofistikuar, ruhet nga punonjësit e shtetit, dhe mbikëqyret drejtpërdrejt nga kryetari i Ramës në Bashkinë e Krujës, Bushi i famshëm i proceduar nga policia italiane për trafik lëndësh narkotike.
Në Bashkinë e Krujës, kryetari Artur Bushi, i njohur për të kaluarën e tij të errët të lidhur ngushtë me trafikun e drogës në Itali, vend ku edhe është dënuar, i ka hapur shtegun trafikantëve dhe njerëzve të tij për të mbjellë masivisht kanabis. Mbjellja me kanabis në fshatrat e Krujës bëhet nga njerëzit e Bushit me bekimin e Ramës. Bandat e trafikut po i zhvillojnë lirshëm aktivitetet e tyre kriminale të mbjelljes dhe trafikut të drogës, duke patur mbështetjen e pushtetit në çdo hap të tyre.
Me ardhjen e “Rilindjes” në pushtet, kultivimi i kanabisit mori një hov të gjerë. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur pushtimi masiv i vendit nga kanabisi siç po ndodh nën këtë qeverisje, me mbikëqyrjen e ministrit të Brendshëm. Policia bën gjoja sikur organizon aksione për shkatërrimin e parcelave me kanabis, por në fakt shkatërron ato parcela, të cilat nuk zotërohen nga Tahiri dhe njerëzit e tij, por të disa “hallexhinjve”. Kështu, pra policia korr kanabisin e parcelave ku nuk u del për zot njeri.

Artikulli paraprakProkuroria, hetim Veliajt për kontratën me kompaninë “3R”
Artikulli tjetërBotuesja e ministres së Ramës kërcënon me burg gazetarët