“Në këtë situatë, ata nuk dinë çfarë të bëjnë më. Hipin në kamion, e hapin dhe kacavirren brenda”. Olivier Beaubart është njëri prej shumë shoferëve të kamionëve, të cilët sjellin rregullisht mallra nga Calais franceze në Britaninë e Madhe. Por itinerari nga Porti i Calais është kthyer për të dhe për gjithë kolegët në kalim nën goditjen e zjarrit nga të gjitha anët.
Sebastien Rivera nga Shoqata për Shoferët e Kamionëve në Calais konfirmon gjendjen e vështirë.
“Shoferët tanë gati çdo natë ndalohen nga migrantët, ata bllokojnë qarkullimin në autostradë ose në rrugë për në port – me rrota ose me trungje pemësh. Nganjëherë, ata u vënë flakën edhe barrikadave. Kur kamioni ndalon, ata e kërcënojnë shoferin. Përpiqen të hipin në rimorkio. E bëjnë rrëmujë mallin e ngarkuar. Objektivi i tyre është që të fshihen në kamion. Situata është krejtësisht jashtë kontrollit”.
Edhe nga pikëpamja e pronarëve të bizneseve dhe të banorëve pranë Calais, situata është bërë e padurueshme. Prandaj ata demonstrojnë për eliminimin e së ashtuquajturës xhungël të Calais-ë: ata ecin me shpejtësinë e kërmillit dhe bllokojnë autostradën dhe rrugën e portit si dhe krijojnë një varg njerëzish deri në port. Edhe bujku Xavier Fossey merr pjesë. Oborri i tij ndodhet pranë autostradës. Ai ankohet se ka dëme prej mijëra eurosh – të shkaktuara nga banorët e kampit të refugjatëve.
“Çdo natë tek unë vijnë refugjatët, në orën dy ose tre të mëngjesit. Fshihen midis bimëve të misrit dhe të grurit, që të mos diktohen nga policia ose nga shoferët e distancave të largëta”.
Gjendja në Calais është shpërthyese: në pranverë qeveria franceze rrafshoi pjesën jugore të kampit të refugjatëve. Por që atëherë, nuk kanë ardhur më pak migrantë, por më shumë. 6900 vetë jetojnë në bazë të shifrave zyrtare në pjesën veriore të kampit, organizatat e ndihmës flasin, ndërkohë për më shumë se 9000 banorë. Përditë ato numërojnë mbi 100 refugjatë të rinj që vijnë. Por për shumë prej tyre, ka kohë që synimi nuk është më Britania e Madhe.
Gjithnjë e më shumë refugjatë duan të qendrojnë në Francë, shpresojnë që të trajtohen në Calais më mirë se në Paris ose në qytete të tjera. Kryetarja konservatore e Bashkisë së Calaisë, Natacha Bouchart nuk ka më dëshirë të rrijë e të shohë se si mbushet kampi. Ajo kërkon që kampi të shpërbëhet sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Ekonomia jonë vazhdon të vuajë. Forcat e sigurisë nuk kanë më mundësi. Prandaj më në fund duhet të vijnë vendime të qarta për ta shpërbërë krejtësisht pjesën veriore të kampit”.
Që kjo do të ndodhë, këtë e konfirmoi ministri i Brendshëm i Francës, Cazeneuve në një vizitë në Calais javën e kaluar. Si hap të parë ai do të ngrejë për refugjatët deri në fund të vitit 8000 vende të reja strehimi në të gjithë Francën. Dhe për të shtuar sigurinë, ai do të dërgojë 200 policë shtesë në këtë qytet të Francës Veriore. Por banorët e biznesmenët kërkojnë një datë konkrete për fillimin e zbatimit të këtyre premtimeve. Deri atëherë. ata kërcënojnë me aksione të tjera.