Flamur Gjuzi, ish-kreu i Aluiznit është lënë në arrest shtëpie nga Gjykata e Durrësit. Ai ishte shpallur prej gjashtë muajsh në kërkim për shpërdorim detyre pas dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit, dhe vetëm ditën e sotme, u bë e ditur masa e dhënë për Gjuzin.
Por kur u dorëzua Gjuzi?
Zyrtarisht ditën e sotme është bërë e ditur vetëm masa e dhënë dhe fakti që ish-Kreu i ALUIZNIT është vetëdorëzuar, por jo data se kur.
Sipas nenit 260 të kodit të proçedurës penale, ‘Kërkesa e prokurorit ose e të pandehurit për revokimin, zëvendësimin ose bashkimin e masave të sigurimit shqyrtohet nga gjykata ku ndodhen aktet, brenda pesë ditëve nga depozitimi i saj’, gjë që tregon se Gjuzi ka të paktën 5 ditë që është në kontakt me autoritetet vendase.
Për çfarë arsyeje u mbajt e fshehtë kjo e dhënë?
Ish-kreu i ALUIZNIT në Durrës, Flamur Gjuzi, që prej gjashtë muajsh ishte shpallur në kërkim për shpërdorim detyre, është vetëdorëzuar në Prokurorinë e Durrësit. Më pas ai është dërguar për në Gjykatë, e cila ka ndryshuar masën nga ‘arrest me burg’ që u dha në kohën që Gjuzi ishte në kërkim, në masën “arrest shtëpie”, nisur nga stuata që Covid-19 ka krijuar në vendin tonë. Flamur Gjuzi ishte shpallur në kërkim për pasojat e tërmetit të datës 26 nëntorit bashkë me gjashtë persona të tjerë. Në vitin 2017 ai ka qenë kandidat për deputet për Durrësin nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
Gjykata e Durrësit dha më 20 shkurt të këtij viti masën “arrest me burg” në mungesë për gjashtë personat e shpallur në kërkim pas arrestimeve të ndërmarrë në lidhje me pasoja e shkaktuara nga tërmeti i 26-nëntorit, për ish-kreun e ALUIZN-it Flamur Gjuzi, Artur Çelën, Skerdiliad Bellon Artemis Malkon, Rasim Shehun dhe Aldo Dakavellin.
Operacioni për arrestimin e abuzuesve me ndërtimet u zhvillua muaj më parë, pas një hetimi tri mujor nga ana e SHCBA dhe Prokurorisë së Durrësit. Bilanci ishte 10 policë të prangosur, 2 inspektorë të IMT-së, dhe 5 biznesmenë janë arrestuar, ndërsa Dama u shpall në kërkim.
Të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe duke abuzuar me kompetencat e ushtrimit të detyrës, dyshohet se kishin krijuar një mekanizëm korruptiv me qëllim përfitimin edhe në vlera monetare, i cili ka mundësuar dhe sjellë si pasojë ndërtime të shumta të paligjshme ku përfshihen objekte banimi, magazina, objekte biznesi etj, duke shmangur kështu zbatimin e legjislacionit në fushën urbanistike dhe sigurimit teknik të tyre. Hetimet kanë nisur me një procedim penal të datës 30 qershor 2019, kur prokuroria ka nisur verifikimet për shpërdorim detyre për Agim Osmanin dhe Gani Damën, ndihmësspecialistin në Policinë e Durrësit dhe një polic patrulle.
(dosja.al)