Arrestimi i Ramës në Itali, ish-ministri thirrje Prokurorisë: Nisni hetimet, është momenti…

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar lidhur me deklaratën e kryeministrit Edi Rama se ka qënë i arrestuar në Itali vite më parë. Manjani ka hequr një paralele mes Ramës dhe ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmakut, i cili është shpallur në kërkim për falsifikim dokumentesh.

Manjani i ka bërë thirrje Prokurorisë që të marrë nën hetim kreun e qeverisë dhe të tregojë se është e pavarur.

“Opozitës padyshim që i është “fikur kandili” përderisa pranon një shkelës ligji në krye të qeverisë. Por kandili i fikur i opozitës nuk e zhbën faktin që ka qenë i arrestuar dhe nuk e ka deklaruar, sipas ligjit. E po sipas ligjit Edi Rama duhet të ishte nën hetim dhe jo në detyrë! Kajmaku s’ka bërë asgjë më shumë… Ndërkohë është momenti që Prokuroria të ndezë prozhektorët e ligjit të Dekriminalizimit. Nëse është e pavarur, ky është momenti ta tregojë,”-ka shkruar Manjani.

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama deklaroi në një intervistë për Gazetta Dello Sport, se vite më parë është arrestuar në Bologna pasi ka kundërshtuar një funksionar të policisë. Dosja.al e raportoi një ditë më parë faktin që kryeministri ka bërë shkelje në plotësimin e formularit të vetëdeklarimit duke mospranuar se ka qenë i arrestuar në Itali. Kryeministri arrestimin e tij duhet ta deklaronte që pas hyrjes në fuqi të ligjit, në dhjetor 2015, pasi sipas ligjit të gjithë të zgjedhurit duhet të bënin këto deklarime dhe kush kishte shkelje të ligjit humbiste mandatin. Sot Rama mohoi të jetë arrestuar dhe thotë se bëhet fjalë për një sherr.

Artikulli paraprakOrjola Pampuri sjell dëshmitë: Qytetarët rrëzojnë propagandën e shëmtuar të Ramës
Artikulli tjetërGazment Bardhi i përgjigjet Ramës: Të sakrifikojë milionat për oligarkët, jo bukën e shqiptarëve