Portali i njohur sportiv italian “Tuttomercatoweb” ka analizuar ndeshjen mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, duke u vënë nota protagonistëve të duelit të çuditshëm që zgjati dy ditë. Vlerësime shumë të larta për Balajn e Hysajn, protagonistë absolutë të kësaj përballjeje. Më pak të vlerësuarit janë Abrashi e Kukeli.
Berisha 6 – Fatkeqësisht nuk mund të bëjë asgjë te goli i Alioskit, i cili përfiton nga një gabim i rëndë i Kukelit. Mbetet i vëmendshëm, ndonëse sulmuesit maqedonas nuk i krijojnë shumë probleme.
Hysaj 7 – Rëndësia e tij për këtë kombëtare rritet në mënyrë të ndjeshme nga një sfidë në tjetrën. Personalitet dhe talent, dy faktorë që e bëjnë të pazëvendësueshëm. I tiji është asisti i kalibruar që sjell avantazhin e sigluar nga Sadiku.
Gjimshiti 6 – Sakrifikohet për skuadrën, duke kaluar në mesfushë kur shokët e tij bëjnë ndonjë gabim të vogël në pozicionim. Por nuk arrin të korrigjojë gabimin e pasimit mbrapa të pamenduar të Kukelit, i cili solli barazimin maqedonas.
Mavraj 6.5 – Në rritje të vazhdueshme. Mban sulmuesit kundërshtarë, duke limituar dëmet dhe duke i dhuruar një ditë relativisht të qetë Berishës.
Agolli 6.5 – Konfirmohet si një prej lojtarëve më ngulmues. I pëlqen të vendosë në vështirësi kundërshtarët në fazën ofensive, i aftë të tregojë veten edhe në goditjet standarde.
Abrashi 5.5 – E nis mirë, duke marrë pjesë në qarkullimin e topit me saktësi dhe cilësi, i bie përqendrimi në pjesën e dytë. Zëvendësohet në minutën e 60.
Balaj 7 – Hyn në minutën e 60. Shumë kërkues, gjithmonë gati për të luajtur topin vertikal. Çon në rrjetë topin që i dhuron tri pikët skuadrës së De Biazit.
Kukeli 4 – Protagonisti negativ i ndeshjes së Shkodrës. Një pasim mbrapa i çmendur, mbi të cilin u hodh Alioski, i cili më pas shënoi golin e barazimit. Në pjesën e dytë të ndeshjes humbi qartësinë.
Xhaka 6 – De Biazi e aktivizon që nga minuta e parë, me shumë mundësi për të shfrytëzuar lëvizshmërinë e tij në tentativën për t’u hapur në krahë. Mundohet të shpërthejë disa herë në krahë, duke lënë më shumë se sa duhet ndonjë hapësirë në qendër.
Gashi 6 – Dialogon mirë me shokët e repartit, sidomos në pjesën e parë. Pastaj, në pjesën e dytë, ndjen lodhjen, duke ulur intensitetin. Largohet në minutën e 69.
Memushaj 6.5 – Nga minuta e 60. Hyn mirë në ndeshje, jep asistin për golin-fitore të Balajt.
Sadiku 6.5 – Shumë lëvizje pa top për sulmuesin e Zyrihut, i cili shfrytëzon një asist perfekt të Hysajt për golin e avantazhit.
Hyka 6 – Mbrojtësit maqedonas kanë vështirësi në kontrollimin e tij. I aftë në depërtimin në vendet bosh, duke i shtyrë shpesh kundërshtarët të kryejnë faull ndaj tij. Zëvendësohet në minutën e 67.
Roshi 5 – Nga minuta e 67. Tregon pak ose aspak, nuk arrin të sigurojë ndryshimin e ritmit.
Hasani: Erdhëm për barazim, bravo Shqipërisë
Mesfushori ofensiv i Maqedonisë, Ferhan Hasani, një nga liderët e Shkëndisë së Tetovës, ka përgëzuar Shqipërinë për tri pikët e siguruara, ndërsa ka pranuar se Maqedonia kishte udhëtuar drejt Shkodrës me idenë për të barazuar sfidën.
“Ne këtu erdhëm për barazim, edhe dje, edhe sot. Por Shqipëria bëri atë që deshi dhe arriti atë që kërkoi. E kërkoi më shumë fitoren dhe në fund e mori”, tha ai. “Kur ndodhi faulli pranë zonës, e dinim që Shqipëria është e rrezikshme në raste të tilla. Kështu është futbolli, janë gjëra që ndodhin”, pranoi ai me keqardhje.
Hasani gjithashtu pranoi se kishte qenë shumë i emocionuar gjatë këtij dueli, por saktësoi se ishte profesionist dhe ishte munduar të mbante emocionet e të luajturit kundër shqiptarëve. “Emocionet në ndeshje të tilla janë të shumta, por unë jam profesionist dhe bëj punën time. Për mua ishte e vështirë të luaja kundër shqiptarëve dhe për më tepër ‘Ballistëve’, por unë jam profesionist. E respektoj Shqipërinë, por duhet të jemi të kujdesshëm për mos të pasur keqkuptime me palën maqedonase”, tha ai.