Austria planifikon t’i rihapë dyqanet nga java e ardhshme

Qeveria austriake ka planifikuar t’i rihapë dyqanet duke filluar nga java e ardhshme si hap fillestar për lehtësimin e izolimit. Zyrtarët thanë se vendi është duke e bërë një kthesë, ndonëse kërkuan nga qytetarët të përdorin më shumë maska.

Vendi i Evropës Qendrore u vendos në karantinë të gjerë para tri javësh. Shkollat, restorantet, teatrot dhe dyqanet e produkteve joelementare u mbyllën. Nga njerëzit është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi dhe të punojnë nga shtëpia, nëse kanë mundësi.

Karantina ka ndikuar që të kufizohet rritja e infektimeve dhe numri i personave të shtrirë në spital është stabilizuar. Kancelari Sebastian Kurz tha se masat e hershme ia kanë vlejtur. Deri më tani, në Austri janë regjistruar 220 të vdekur nga koronavirusi.

“Ne reaguam më shpejt dhe më prerazi se vendet e tjera dhe prandaj mundëm ta shmangim më të keqen. Por ky reagim i shpejtë dhe i prerë tash na jep gjithashtu përgjegjësi për të dalë më shpejt nga kjo krizë”, tha Kurz gjatë një konference për gazetarë.

Megjithatë, ai shtoi se plani i tij është provues dhe do të zbatohet vetëm nëse të gjithë vazhdojnë t’i respektojnë masat e karantinës dhe nëse qëndrojnë të bashkuar në luftën kundër virusit, siç kanë bërë deri më tani.

Sipas këtij plani, së pari do të hapen dyqanet e produkteve joelementare që kanë më pak se 400 metra katrorë, ndërsa më vonë të gjitha dyqanet, qendrat tregtare dhe sallonet e floktarëve.

Sidoqoftë, brenda dyqaneve do të lejohet vetëm një blerës për çdo 20 metra katrorë, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Ndërkohë restorantet dhe hotelet duhet të presin së paku deri në mesin e majit dhe asnjë organizim nuk do të mbahet deri në fund të qershorit, bëri të ditur kancelari konservator.

Që nga e hëna, autoritetet kanë kërkuar nga shitësit që të vendosin maska në dyqane dhe barnatore që kanë sipërfaqe më të madhe se 400 metra katrorë.

Artikulli paraprakGjermania planifikon t’i kthehet jetës normale me 19 prill, ky është plani i saj
Artikulli tjetërRama i ngujuar në Surrel, plas sherri mes çunave të Rilindjes