Parrulla e protestës në Shkodër kundër Ramës

Në stadiumin e Shkodrës gjatë ndeshjes Shqipëri-Maqedoni, disa të rinj mbanin në duar një banderolë si përgjigje ndaj deklaratave të Ramës. Në banderolë shkruhej: “Edi, gruaja e Çuçit është heroinë që të ka duruar ty”, ndërsa rreth portretit të Ramës ishin vendosur edhe simbole komuniste si drapri, çekani dhe ylli. Protestuesit i referohen kështu Delina Ficos, ish-partnerja e kryeministrit Rama, e cila aktualisht është bashkëshortja e Bledi Çuçit, ministrit të Pushtetit Vendor.
Ditë më parë në Zharës të Patosit, për të shmangur ndërhyrjet e një qytetari, kryeministri i është i drejtuar me fjalët: “Më fal, gruan mirë e ke. E di pse po pyes. Gruaja jote duhej shpallur heroinë që të duron ty. Bëji shumë të fala dhe ta mbash në majë të kohës që të duron ty. Sakrificë e madhe”. Pas kësaj deklarate të Ramës, ka patur reagime të ashpra në rrjetet sociale dhe në media.
Ndërkohë, të hënën në mbrëmje gjatë ndeshjes Shqipëri Maqedoni, i gjithë stadiumi “Loro Boriçi” ka shpërthyer në kor me thirrjet “Sali Berisha”, “Sali Berisha. “Konflikti mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakes së Shkodrës Voltana Ademi disa ditë më parë për stadiumin “Loro Boriçi” nuk është harruar lehtë nga qytetarët shkodranë, të cilët janë vënë kundër Edi Ramës. Qindra tifozë nëpër shkallët e stadiumit brohoritën në kor emrin e ish-Kryeministrit Sali Berisha, por menjëherë sa u dëgjuan këto thirrje, regjia qendrore e TVSH-së vendosi muzikë dhe uli audion e atmosferës nga ndeshja që pritej të fillonte.

15 milionë euro të shkuara dëm, “Loro Boriçi” thyhet nga një furtunë

Ka mjaftuar një furtunë me shi të dendur për të nxjerrë në pah një skandal me stadiumin e sapo rikonstruktuar të Shkodrës. 15 milionë euro të investuara deri tani nuk arritën të përballonin disa minuta me erë e shi. Ky investim, mbrëmë u provua se nuk kishte të llogaritur as minimumin e mbrojtjes nga kushtet klimatike, për të cilat Shkodra është e njohur, për erërat si Shiroku, Veriu apo edhe Murlani.
Të çarat në tribunën jugore të “Loro Boriçit” bënë të hynte brenda në fushë çfarë frynte jashtë, duke krijuar një situatë të paparë ndonjëherë në ndonjë stadium, ku zhvillohen ndeshje të këtij niveli. Përmes këtyre hapësirave era solli nga jashtë edhe mbeturina. Qytetarët u detyruan t’i braktisin tribunat. Por dalja nga stadiumi ishte një kaos i vërtetë. Rrugët e ngushta përreth stadiumit u bllokuan.
Banorë të zonës nuk u lejuan të hynin me makina në shtëpitë e tyre, derisa të largoheshin tifozët. Tifozët po ashtu u shpërndanë në të gjitha rrugicat për të gjetur autoveturat e tyre, sepse stadiumit i mungon parkingu. Ky impiant, ku janë hedhur deri tani 15 milionë euro dhe ku parashikohen të hidhen edhe 3 të tjerë, nuk ka ende një parking të standardeve minimale të kërkuara nga UEFA.
E gjithë kjo për shkak të disa shtëpive që janë vetëm 10 metër larg hyrjes kryesore të stadiumit apo edhe përreth tij, në të gjitha anët. Qeveria dhe pushteti vendor nuk gjejnë gjuhën e përbashkët për t’i shpronësuar dhe për ta bërë funksional këtë investim miliona eurosh.
Në total, stadiumi “Loro Boriçi” kushton 24 miliardë lekë të vjetër apo 18 milionë dollarë, sipas vlerës zyrtare të regjistruar në Regjistrin e Ndihmave Shtetërore. UEFA ka dhënë afro 5 milionë euro, ndërsa qeveria shqiptare mbi 10 milionë euro. Por të gjitha këto para rezultojnë të çuara dëm, përsa kohë stadiumi gjendet i rrethuar nga ndërtime jo më shumë se 7 metra nga themelet e tij.
Stadiumit 18 milionësh i mungojnë rrugët që të çojnë e të nxjerrin nga aty. Mbi 16 mijë qytetarë janë të detyruar të shkojnë në stadium nëpër rrugica, por akoma me serioze bëhet dalja apo largimi i tyre në raste emergjencash, si tërmeti, zjarri etj. Nuk ka një rast të ngjashëm në Europë, që një stadium 16 mijë vendësh të mos ketë parkim.
Ndeshja e djeshme tregoi se për të parë kombëtaren në stadiumin e Shkodrës, duhet të parkosh makinën në Lezhë. Një tmerr i vërtetë ka qenë edhe rruga nga Fushë-Kruja deri në Shkodër, çka tregoi se vendimi për t’i çuar 16 mijë qytetarë në të njëjtën kohë në një rrugë të ngushtë si ajo Tiranë-Shkodër, ka qenë tepër e gabuar.

Artikulli paraprakRama do të shembë teatrin për të ngritur një tjetër kullë
Artikulli tjetërPD padi penale Veliajt për landfillin e vdekjes së 17-vjeçarit