I iu i armatosur që nuk iu bind thirrjes së policisë për të ndaluar dhe që mbeti i plagosur sot në Tiranë është Orges Bilbili. Bilbili ndodhej në zonën e Xhamllikut ku po lëvizte në këmbë kur është pikasur nga polici i Shqiponjave.
Bilbili nuk i është bindur punonjësit të policisë që i bëri thirrje për të ndaluar ndërsa polici pasi e ndoqi me vrap dhe e paralajmëroi e ka qëlluar në këmbë.
Policia bëri të ditur se Bilbili është një person i shumëkërkuar, i njohur edhe si pjesë e bandës së Lushnjës.
Bilbili njihet si bashkëpunëtori i Laert Haxhiut në vrasjet Lushnjë në 2017 dhe rezulton se është dënuar me 7 vite e 4 muaj burgim për trafikim lëndësh narkotike. Bashkë me Haxhiun, Orges Bilbili është i dyshuar edhe për atentatin, ku u plagosën Xhulio Shkurti (nipi i Aldo Bares) dhe Sajmo Xhelili.
Ai akuzohet edhe si bashkëpunëtor i pilotit italian Giorgio Riformato, avioni i të cilit, ngeci në bregdetin e Divjakës, teksa po përgatitej për të trafikuar lëndë narkotike nga Shqipëria për në Itali.
Ngjarja e fundit ku iu dëgjua emri është ngjarja e 1 nëntorit 2019, ku Orges Bilbili u dyshua se është njëri nga organizatorët e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, ku mbeti i vdekur shoferi i këtij të fundit.
Orges Bilbili, i njohur ndryshe edhe si killeri i një sërë vrasjeve në Lushnje ishte shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit për një sërë vrasjesh.
Ai tanimë është transportuar tek Spitali i Traumës ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Bilbili mori një plumb në këmbë nga polici i Shqiponjave.