Bosët e krimit nuk preken, situata serioze

Donald LU

Kur shërbeja në Kirgistan një dekadë më parë, një bos i krimit të organizuar ishte aq i guximshëm saqë ngriti një tendë përballë portës së Parlamentit dhe kërcënonte deputetët se do t’i dhunonte nëse nuk përmbushnin kërkesat e tij.
Dy dekada më parë në Gjeorgji, grupi kriminal Mkhedrioni ishte aq i fuqishëm saqë Presidenti Shevernaze vendosi që nuk mund t’i luftonte dot më dhe i shndërroi në Gardën Kombëtare të Gjeorgjisë, ku kryen vrasje jashtëgjyqësore dhe vazhduan me aktivitetet e tyre kriminale me autoritetin ligjor për të mbajtur armë, arrestuar qytetarë e mbajtur uniformë.
Në Shqipëri, ata që akuzohen si trafikantët kryesorë të drogës dhe krerë të krimit të organizuar rrallë ndeshen me akuza penale.  Një shembull shumë i njohur i këtij fenomeni është rasti i trafikantit të dënuar për drogë Emiljano Shullazi, që për shumë vite është akuzuar për vrasje, trafikim narkotikësh dhe zhvatje, por që u arrestua vetëm kohët e fundit.
Shqipëria ka nivelin më të ulët të procedimit penal të krimeve të rënda në Evropë.  Problemi është pandëshkueshmëria. Krerë të fuqishëm të krimit mund të mos i gjejë asgjë edhe për vrasje për shkak të lidhjeve të tyre me persona me ndikim.
Ne në Shtetet e Bashkuara u përballëm me probleme të ngjashme.  Gangsteri më i famshëm amerikan, Al Kapone, drejtonte një grup të krimit të organizuar në Çikagon e viteve 1920-të dhe 1930-të.  Kur më në fund u arrestua, pasuria e tij krijuar përmes prostitucionit, kumarit dhe kontrabandës u vlerësua në 100 milionë dollarë. I bëri të gjitha këto duke pasur nën kontrollin e organizatës së tij kriminale persona strategjikë në polici, gjykata dhe qeverisjen vendore.
Situata në Shqipëri është serioze, por besoj që reforma në drejtësi dhe procesi i dekriminalizimit do të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të pandëshkueshmërisë dhe të lidhjeve kriminale me politikën. Popullit shqiptar i ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët në politikë.  Përpjekja e suksesshme për të larguar vrasësit, tutorët, trafikantët e drogës e përdhunuesit nga Kuvendi dhe qeverisja vendore do të kenë efekt jetëgjatë në uljen e pandëshkueshmërisë së krerëve të krimit të organizuar në Shqipëri.
Ky është gjithashtu një paralajmërim për kriminelët e tjerë — “Të bëhesh pjesë e politikës  i bën keq biznesit. Do zbulojë aktivitetet tuaja kriminale dhe do përfundoni në burg”. Reforma në drejtësi është e rëndësishme për pastrimin e gjykatësve dhe të prokurorëve të korruptuar.  Është gjithashtu e rëndësishme sepse do të krijojë një prokuror të pavarur dhe një njësi të posaçme hetimore, të quajtur Byroja Kombëtare e Hetimit ose BKH.  Të dyja këto do të vënë në shënjestër korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar.
Shtetet e Bashkuara kanë marrë angazhimin të mbështesin zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit përmes trajnimeve, ndihmës dhe bashkëpunimit me FBI-në amerikane.  Në muajin prill, Kryeministri Rama vizitoi selinë e FBI-së dhe u takua me Drejtorin e FBI-së Comey për ta përforcuar këtë angazhim.  Ky do të jetë një grup hetuesish seriozë dhe të aftë. Atyre do t’u bëhet në mënyrë sistematike testi i  poligrafit. Do të marrin trajnimin më të mirë dhe pajisjet më të fundit.  Nga Uashingtoni do të caktohet një agjent i FBI-së për t’u siguruar që të jenë efikasë në punën e tyre dhe që i hetojnë çështjet pa  anshmëri politike.
Është në interesin e Shteteve të Bashkuara që Shqipëria të trajtojë në mënyrë të suksesshme problemin e saj të krimit të organizuar.  Kjo është në interesin edhe të Bashkimit Evropian.  Mbi të gjitha, është në interesin  e populllit shqiptar. Jemi të përkushtuar ta mbështesim vendin në luftën e tij kundër krimit të organizuar dhe e dimë se Shqipëria do të jetë e suksesshme me ndihmën e partnerëve të saj.

Artikulli paraprakIsh-Kryeministri rumun në hetim për aferën 220 mijë euro për Bler
Artikulli tjetërFaqja e parë