FIFA, Infantino këmbëngul për Botërorin me 40 skuadra

Gianni Infantino këmbëngul në idenë e tij për organizimin e një Botërori me 40 skuadra dhe në më shumë shtete. Presidenti i FIFA-s deklaroi se, këto dy tema do të diskutohen edhe në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të këtij institucioni, që do të mbahet në Zyrih më 13 dhe 14 tetor. Infantino ka hedhur sytë nga Botërori i vitit 2026 për të vënë në jetë këto ide.
“E dini të gjithë opinionin tim në lidhje me shtimin e numrit të skuadrave në botëror. Të gjithë e pamë entuziazmin gjatë Europianit të Francës, që u luajt me një format me 24 skuadra. Duhet të kuptojmë se këto lloj eventesh nuk janë vetëm në aspektin sportiv, por kanë një ndikim edhe në jetën sociale”, ka thënë Infantino.
Përsa i përket përcaktimit të vendit organizator të Kupës së Botës 2026, Infantino tha se është ende herët të flitet për këtë çështje dhe se vendimi do të merret në vitin 2020. Për momentin, mes kandidaturave janë edhe ato të Meksikës, SHBA-ve dhe Kanadasë, por nuk përjashtohet mundësia që Botërori i 2026-ës të zhvillohet në shumë shtete, duke kopjuar modelin e UEFA-s, duke parë se “Euro 2020” do të mbahet në 13 vende.
Ndërkohë, Angel Maria Villar është tërhequr nga gara për presidencën e UEFA-s, me zgjedhjet që janë parashikuar të zhvillohen javën e ardhshme. Konfirmimi u dha nëpërmjet një deklarate për shtyp të Federatës Spanjolle të Futbollit, ku mban postin e presidentit. “Pavarësisht se gjeta shumë mbështetje për të vazhduar fushatën, pas një reflektimi të gjatë vendosa që të tërheq kandidaturën time”, njoftoi Villar. 66-vjeçari, i cili është zv.presidenti i parë i UEFA-s dhe mori detyrën e presidentit të përkohëshëm përpara organizimit të Kampionatit Europian, tha se vendimi lidhet me kërkesën që të kandidojë sërish për postin e presidentit të Federatës Spanjolle.

Artikulli paraprakBale: Dua gjithçka me Realin këtë sezon
Artikulli tjetërDua të luaj dhe unë për Kosovën