Real dhe Atletiko nuk mund të blejnë lojtarë

Real Madrid dhe Atletiko Madrid kanë pësuar fatin e Barcelonës. FIFA u ka komunikuar sot të dy klubeve spanjolle se do të kenë të bllokuar merkaton e futbollistëve për dy dritaret e ardhshme të merkatos, për shkak të shkeljes së rregullave për transferimin e lojtarëve minorenë.
Vendimi i Shkallës së Parë ishte dhënë disa muaj më parë, por të dy klubet madrilene kanë apeluar me shpresën që të paktën të reduktonin këtë masë ndëshkimore në një dritare të vetme. Por FIFA ka vendosur të mbajë në fuqi të njëjtin vendim që i dha Barcelonës dy vite më parë.
Kësisoj, Real Madrid dhe Atletiko Madrid nuk do të kenë mundësi të blejnë lojtarë të rinj as në janarin e vitit 2017 dhe as në verën e po të njëjtit vit. Deri në dritaren e transferimeve në janarin e vitit 2018, këto klube vetëm mund të kthejnë lojtarë që kanë dërguar në huazim apo mund afrojnë futbollistë nga akademitë e tyre.
Mendohet se klubet në fjalë do t’i drejtohen KAS në Lozanë, me shpresën që të shtyjnë hyrjen në fuqi të vendimit dhe të kenë mundësi që të përforcohen në janar.

Artikulli paraprakLuis Suarez, ndeshja e 100-të me Barçën
Artikulli tjetërRiberi do Champions