Trajneri i Peskarës, Masimo Odo, mendon se Ledian Memushaj ka shpërthyer shumë vonë në futbollin e rëndësishëm dhe se meritonte më shumë gjatë karrierës së tij. Mesfushori shqiptar ka shëtitur në thuajse të gjitha kategoritë e futbollit italian, por arriti të debutonte në Serinë A vetëm në moshën 29-vjeçare. “Unë jam i dashuruar me të gjithë lojtarët e mi, është një grup që e kam ndërtuar unë dhe janë të gjithë të rëndësishëm. Memushaj, ndoshta, është një lojtar i cili ka marrë më pak nga sa do të kishte mundur gjatë karrierës së tij”, tha Odo për kapitenin e skuadrës.
Ai ndërkaq foli edhe për talentet e rinj që ka në skuadër dhe një prej tyre është padyshim Rei Manaj, i transferuar pikërisht nga radhët e Interit. Ashtu si De Biazi, edhe Odo mendon se adoleshenti shqiptar ka ende rrugë për të bërë para se të afirmohet në skenën e rëndësishme të futbollit italian.
“Nga Interi kemi marrë Manajn, ai është një lojtar i talentuar, por për t’u kthyer në një talent të mirëfilltë duhet të bëjë hapin cilësor. Duhet të ndjekë shembullin e Kaprarit: njëherë e një kohë ai cilësohej një bast i përhershëm. Në krahasim me dy vite më parë, ai tani i ka bashkuar talentit edhe shumë cilësi të tjera”, shpjegoi trajneri i Peskarës rrugën që duhej të ndiqte futbollisti shqiptar.
1200 bileta për tifozët kuqezi në Liechtenstein
1200 bileta për shqiptarët kundër Liechtenstein në sfiden Liechtenstein-Shqipëri më 6 tetor në Vaduz. Në një nga stadiumet më të vogla që Shqipëria ka luajtur ndonjëherë një ndeshje ndërkombëtare, numri i shqiptarëve do jetë relativisht i lartë. Federata shqiptare e futbollit pas negociatave me homologët e Liechtensteinit ka arritur të sigurojë 1200 bileta për këtë sfidë rreth 20% të stadiumit, ndërkohë që rregullorja nuk parashikon më shumë se 5 për qind të kapacitetit.
Lajmi është pritur me entuziazëm nga pala shqiptare që është e bindur se kërkesat për këtë sfidë në qendër të Europës do jenë shumë të larta. FSHF është duke menduar që shumicën e biletave t’ia japë në dispozicion grupimit tifozat kuqezi, ndërkohë që nga ana tjetër parashikohet që shumë shqiptarë që jetojnë në Francë ose Gjermani të jenë të pranishëm në këtë sfidë. Shqipëria e fitoi ndeshjen e parë kundër Maqedonisë me rezultatin 2-1, ndërkohë që Liechtenstein humbi 8-0 në Spanjë dhe realisht objektivat e kësaj skuadre janë relativisht modeste.
Gjimshiti nis aventurën e re me Avellinon
Pas dy ndeshjeve shumë të mira që zhvilloi me kombëtaren shqiptare ndaj Marokut dhe Maqedonisë, Berat Gjimshiti është gati për aventurën e tij të re. Të mërkurën kuqeziu zhvilloi stërvitjen e tij të parë me Avellinon skuadrën e Serisë B, ku do të luajë si i huazuar nga Atalanta deri në përfundim të këtij sezoni. Te ekipi i drejtuar nga trajneri Domenico Toscano, Gjimshiti do të ketë më shumë hapësira aktivizimi, madje pritet të jetë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Avellinos në sezonin e ri të Serisë B.
Sipas asaj që raportojnë mediat që qëndrojnë pranë klubit bardhjeshil, 23-vjeçari shqiptar tek i cili trajneri i kombëtares kuqezi Gianni De Biasi beson shumë, do ta nisë si titullarë sfidën e kësaj fundjave ndaj Trapanit. Edhe pse ka vetëm pak kohë që i është bashkuar Avellinos në stërvitje, trajneri Toscano e konsideron ish-lojtarin e Zyrihut si një futbollist të pazëvendësueshëm për skemat e tij dhe prania e 23-vjeçarit në formacionin titullar që në ndeshjen e radhës as që vihet në diskutim. Falë eksperiencës së fituar me kombëtaren shqiptare gjatë këtyre dy viteve të fundit, Gjimshiti pritet t’i japë më shumë siguri prapavijës së Avellinos.