Sali BERISHA
Për herë të parë sot, që nga viti ‘90, gjimnazistë, maturantë e studentë rrethojnë institucionet shtetërore për shkak të qëndrimit të hapur armiqësor, që këto institucione kanë zbatuar dhe zbatojnë ndaj të rinjve shqiptarë, ëndrrës së tyre për t’u bërë intelektualë të këtij kombi, ëndrrës së tyre universitare, të drejtës së tyre për të pasur shanse të barabarta, të cilën parafolësi e shndërroi në lajtmotivin e fjalës së tij sipas motos “lavdi Zotit që kemi gjuhën për të fshehur të vërtetën”! Pra, sot rrethohet Parlamenti. Pse rrethohet?
Si njeriu që ka kundërshtuar më shumë se kushdo tjetër pseudoreformën tuaj arsimore, sot do t’u them shqiptarëve të vërtetën. Çfarë ka ndodhur? Ka ndodhur një akt i paimagjinueshëm. Mijëra gjimnazistë shqiptarë, përfshi edhe atë që u shpall e dyta më mirë në maturat e Shqipërisë, kanë mbetur nga satrat e xhelatëve të arsimit, jashtë universiteteve.
Ju kujtohet se si Edi Rama, nga tribuna në tribunë sulmonte arsimin privat se do t’a mbyll e do t’a kyç, do t’i bëj këto e ato, ndërsa sot po i çon nxënësit me nota 10-të tek privati. Unë isha nxitës i arsimit privat, padiskutim, dhe prap i qëndroj, por i cilit arsim? Atij arsimi që do të merrte vetëm ata që nuk plotësonin asnjë kriter për të hyrë në shkollat publike. Sepse ata që plotësonin kriteret që një shtet shpall, që nga vitet ‘80, qoftë në demokraci e qoftë në demokraturë, për të mos thënë edhe në dikaturë, i kanë dyert e hapura në universitete. Fillimi i viteve ‘80, përveçse për elif matrakët, shënoi kthesën botërore ndaj arsimit të lartë, dhe kjo kthesë ishte hapja e dyerve të universiteteve dhe ata që kanë mundësi të lexojnë, do të gjejnë se, nga ajo kohë, u trefishua numri i studentëve. Dhe jo vetëm për shkak të demokracisë. Do të gjejnë se nga ajo kohë u hapën me dhjetëra shkolla private, të cilat janë pikërisht për ata që nuk hyjnë dot në shkollat publike. Do të gjejnë edhe se studimet kanë faktuar në mënyrën më të padiskutueshme se, më mirë ajo shkollë se sa hiç shkollë.
Ligji u mbyll dyert e universiteteve studentëve
Çfarë ndodhi këtë vit? Ku ishte kundërshtia e institucioneve private me Sali Berishën? Kërkonin me çdo kusht që unë të rrisja pragun e pranimeve në universitet, gjë të cilën unë s’e pranoja kurrë. Ata me mua ishin në harmoni të plotë, por kërkonin që të vija satrën jo tek 6-ta, por tek 8-ta apo 9-ta. Po këtë unë s’mund t’a bëja, kurrën e kurrës.
Çfarë ndodhi me ligjin? Çfarë ndodhi me Edvinin?
…Se ti (i drejtohet ministres Nikolla), je thjesht një lojtare e mjerë në duart e tij. Pikërisht këtë bën. Si të mos flasësh kur dalin dhe protestojnë ata, të cilët kanë fituar të drejtën në Gjermani e vende të tjera, kurse t’i u mbyll dyert. Nuk ka akt më të ulët e më ç’njerëzor se sa ky, kanë ëndrra ata. Unë ja u di mirë këtë.
Unë vet, Sali Berisha, mbarova klasën e shtatë dhe më doli bursa për në Bashkimin Sovjektik, Rusi! Dhe ma morën! U gëzova, u ç’gëzova dhe ma morën! Diktaturë ishte, por të drejtën time mbi bazën e notave e nxorra. Diktaturë ishte, por përsëri erdha në Tiranë dhe përsëri nxorra të drejtën time. Kurse ata vijnë në Tiranë dhe nuk nxjerrin dot asgjë. Eshtë tmerr kjo. Diktaturë ishte, pra, ma morën bursën jashtë shteti, por ama këtu zgjodha, dhe mora atë që më takonte. Kurse sot zgjedh vetëm ai që është i FRESSH-it e i stër FRESSH-it, me 10 preferenca. Po nëse njëri i zgjedh të 10 preferencat? Te Juridiku janë përjashtuar ata që janë me 9.7 e me 9.8 dhe janë pranuar ata që janë me 7.5.
Mekanizmi që solli këtë është sepse, për të arritur në këtë rezultat, kriteret u bënë poshtërsisht dhe pabesisht, pasi maturantët kishin bërë zgjedhjet. U dha efekt prapaveprues kritereve. Këtë bëtë ju pabesisht. E ndaj kujt? Ndaj atyre që më shumë se çdo gjë tjetër kanë ëndrrën. Pushteti më i fuqishëm i tyre është ëndrra për t’u bërë intelektual. Dhe në këtë mënyrë, Edi Rama realizoi atë që unë nuk e pranova kurrë. I thotë privatit “merrni ata me 9 dhe 10 se unë i fus edhe me 7”.
Në vitin më kulmor, ka patur gjithsej 5.600 të regjistruar në të gjitha shkollat private të Shqipërisë. 9.200 janë hapur vende tani. Ky që do i mbyllte?! Ky që përmendte djalin e Bossit. Po tani djemtë e Bossit kanë mbirë në çdo zyrë, në çdo ministri, në çdo drejtori. Ju jeni administrata e diplomave falco sa kurrë në historinë e vendit.
Komision urgjent për anulimin e procesit
Unë kërkoj në mënyrë urgjente krijimin e komisionit dhe anulimin me urgjencë të shpërndarjes së bërë, vendosjes së preferencës në vendin që meriton. Si mund t’u zësh pritë të rinjve dhe të vrasësh ëndrrën e tyre? Lexojini se çfarë shkruajnë ata. ..Dhe ata janë demokratë, socialistë, janë të të gjitha ngjyrave.
Së dyti, këta zotërinj, për të realizuar këtë hoqën kompjuterin dhe e kaluan në metodë manuale klasifikimin. Por me metodë manuale ke krijuar në çdo qelizë korrupsionin më të tmerrshëm. Mirë se vitin e kaluar të mbrojti Sorosi që korruptoi Transparency International, edhe këtë vit mund të të mbrojë se prap e korrupton ai, por korrupsioni në pranimet arsimore është forma më virulente, më e egër, më çnjerëzore e korrupsionit dhe shumë shpejt do t’ja dëgjoni gjëmën që po bëni. Ndaj le të krijojmë një komision, të bëjmë të paqenë aktin madhor korruptiv.
Maturantë, ju jeni njerëz të tradhëtuar, edhe nga ata që organizonin protesta nën flamurin e marksizëm-leninizmit, edhe nga ndonjë pedagog që i ngrohën xhepin apo i dhanë tendera, ju duhet të luftoni, sepse nuk luftoni vetëm për vete, por luftoni për të gjithë brezat e këtij vendi, luftoni për të ardhmen e këtij vendi. Dhe ne do ju mbështesim fuqimisht! Sepse kjo që kanë bërë, është një akt madhor shkatërrimi i arsimit universitar.
Mund t’u lexoj këtu nëse doni se çfarë më shkruan Selva nga Fieri: “Më mohuan të drejtën në Tiranë dhe fitova të drejtën si studente ekselence në Universitetin e Mjekësisë në Janinë”, dhe më ka dërguar të gjithë dokumentat. Të tjerët japin shembuj se si fituan në Gjermani.
Zonjë (i drejtohet ministres Nikolla), t’i dhe arsimi jeni dy gjëra krejt të ndryshme, por njëri më të keqpërdorur në historinë e këtij vendi nuk është parë dhe mirë është të konsiderosh dorëheqjen imediate, të kërkosh të ribëhet procesi nga e para dhe të nxirrni maturantët nga ankthi dhe tmerri që i keni krijuar.
Ku janë deputetët e Fierit? Vetëm 2% e maturantëve të Fierit kanë fituar dhe flisni pastaj për shanse të barabarta, utopistë. Ja këto janë shanset e barabarta që ja u ofroni shqiptarëve, vetëm 2% e maturantëve të Fierit sipas statistikave kanë fituar. Pse nuk dilni të flisni këtu? Unë mora shembull Fierin… Mos u mashtroni. Janë gjithsej dhe 300 vende për t’u hapur. Këta gënjejnë dhe vetëm gënjejnë. Duan të mbulojnë krimin që kryen ndaj jush.
Në Shqipëri, “Al Kapone” është Rama
Dua të them këtu diçka. Dje, ambasadori amerikan foli për Al Kaponen dhe Amerikën e viteve ‘20. Ndryshimi prapë është shumë i madh. Dua t’u them shqiptarëve. Pse? Presidenti i viteve ‘20 nuk kishte asnjë lidhje me Al Kaponen.
Është e vërtetë që ai ishte bërë i fuqishëm, por Presidenti qëndronte si shtyllë e pamposhtur e besimit të amerikanëve. Kurse këtu, Al Kapone është ushtar i super Al Kapones, i Edi Ramës. Kjo është fatkeqësia jonë. Këtu Al Kapone është kryeministër, përdor fuqinë e ekzekutivit për të fuqizuar dhe pushtetëruar krimin.
E gjithë diskordanca ime dhe kundërshtitë e mia me sektorin privat ishte vetëm një; se nuk pranoja të ngrinim pragun siç donin ata, doja t’i jepnim të drejtën çdo shqiptari që kishte një mesatare nga 6 e sipër të mësynte në shkollat publike, kurse këta e çuan tek 9-ta.
Berisha-Universiteteve private: Largoni tentakulat mafioze nga kjo qeveri e korruptuar
Di t’u japë një shembull tjetër. Sulm i tmerrshëm në fushatë ndaj meje se i kisha dhënë të drejtë doktorate sektorit privat. Eshtë e vërtetë që kishte 2-3 universitete që kishin të drejtën e doktoratave, dhe e kishin mbi bazën e kritereve. Po çfarë ndodhi? Kur erdhi në pushtet zotëria, bllokoi çdo doktoratë në sektorin publik. Shkoni në Fakultetin Juridik apo në atë të Shkencave Shoqërore dhe pyesni. 8 mln euro ka dërguar Rama në një universitet privat për t’i ndarë me ta. Kur unë u ngrita në Parlament, ngaqë lista e atyre që prisnin për doktoratë ishte bërë me kilometra të gjatë, çfarë bëri ky universiteti anti-europian, se emrin e ka Europian, por në fakt me praktikat që përdor është thellësisht anti-europian, sepse praktikat korruptive s’kanë asgjë europiane… Po, po, mbroj interesin publik unë këtu, s’mbroj interesin e kërkujt, s’më kap dot mua kush kurrë. 8 mln dollarë, ndanin nga 4 mijë euro për doktoratë, 8 mijë euro doktorata. Dhe ç’ndodhi kur i denoncova unë këtu? Ndodhi ajo që, pasi i kishte regjistruar nuk i pranoi gjysmën. Korrupsionin e keni shtrirë kudo e tani po e shtrini dhe në arsim, po kjo është e tmerrshme dhe e neveritshme.
A jeni ju të gjithë këtu që bërtisnit në korr Po, kur Rama thoshte se do mbyllte universitetet private? Ku i keni universitetet private? 2.2 herë studentë më shumë se sa ç’ishin më parë. Ku i keni doktoratat? S’ka më doktorata as Juridiku, as Ekonomiku, as Shkencat Shoqërore. Doktoratat i ka privati, sepse ai që shkon për t’u doktoruar paguan 8 mijë euro, ku 4 mijë i merr ndrikulla dhe kumbarën. Kjo është situata.
I bëj thirrje Parlamentit që me urgjencë të ngremë komisionin, të anulojmë praktikën ultra korruptive të ndjekur nga Edi Rama në pranimet universitare. I bëj thirrje sektorit privat, se nëse doni të keni të ardhme, largoni tentakulat mafioze nga kjo qeveri, se përndryshe në mënyrë absolute për çdo akt të sotëm do bëheni përgjegjës. Se ju qëndroni mbrapa kësaj. Sigurisht, që ju keni gjetur një të korruptuar si Edi Rama dhe një si kjo ndrikulla këtu, por ky është një dëm i madh që i bëni një shoqërie.