Vazhdojnë radhët e gjata nëpër pikat ku po shpërndahen librat shkollorë në rrethet e vendit. Në shumë qytete ka pak pikë shpërndarje të librave, ndërsa mungojnë disa tekste shkollore. Pak ditë kanë mbetur nga fillimi i vitit shkollor, por shpërndarja e librave nuk ka përfunduar.
Radhë të gjata janë në çdo orë të ditës në Shkodër. Nga 130 shkolla nën administrimin e Drejtorisë Arsimore të Shkodrës ku përfshihen shkollat e Bashkisë Shkodër dhe Vaut të Dejës ka vetëm dy distributor dhe gjithsej 4 pika shitjesh, të cilat ndodhen në qytet. Prindërit shprehen të acaruar për këtë situatë kaotike që po ndodh prej ditësh pranë librarive. Ata kërkojnë që librat të shpërndahen pranë shkollave përkatëse, ashtu siç është vepruar më parë. Për ditë me radhë qytetarët presin me orë të tëra, ndërsa ky problem akoma nuk po merr një zgjidhje nga institucionet përgjegjëse. Kur duhen edhe pak ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor, pjesa më e madhe e nxënësve vuajnë mungesën e librave dhe nuk dihet se si do të fillojnë vitin e ri shkollor, që ndryshe nga vitet e kaluara këtë sezon po përballet me shumë probleme në pajisjen e librave për nxënësit.
Kaosi është edhe më i madh në Laç. Aty radhët janë të pashmangshme, por mungojnë edhe tekset. Edhe në rrethe të tjera të vendit situata vazhdon e njëjtë. Në Fier, prindërit ankohen se mungojnë gjysmat e librave për shkollën 9-vjeçare sidomos për klasat e teta. Radhët e gjata për blerjen e librave vazhdojnë të jenë një shqetësim serioz për qytetarët. Këto të fundit presin në radhë, duke qëndruar edhe në shi pas prishjes së motit, për t’u pajisur me libra për fëmijët e tyre. Prindërit ngritën si shqetësim edhe shitjen e teksteve në ambjente të tilla dhe jo në shkolla ku mund të orientohen më lehtë. “Organizim i dobët si çdo vit. Punë shqiptarësh”, thotë një prind.
Në të gjitha pikat e shitjeve të librave sheh prindër dhe fëmijët e tyre që duan të blejnë, gjimnazistë që pyesin dhe largohen. Sot, të blesh një libër shkolle duhet ta llogarisësh mirë: brenda javës, edhe mund të mbarosh punë. Me orë të tëra në shi e në vapë për librat e fëmijëve, prindërit nuk e dinë nëse do arrijnë që brenda datës 13 shtator, t’u plotësojnë librat që u nevojiten fëmijëve të tyre.
Situata vijon të jetë kaotike, mungojnë shumë nga tekstet. Pajisja e nxënësve me libra duhet të bëhet para nisjes së procesit mësimor, por në libraritë e kryeqytetit mungon edhe Abetarja e klasës së parë.
Çmimi i librave kushton 2% më shumë, pasi është bërë indeksimi. Çmimi i librave për klasën e parë është rreth 2300 lekë. Përpos harxhimit të kohës në radhë, prindërve do u duhet të shkojnë dy ose më shumë herë në një librari, pasi mungojnë disa tituj, të cilëve u mungon holograma apo pulla e Ministrisë së Arsimit.
Në datën 13 nxënësit do të jenë në shkolla, por gjasat që ata të jenë të pajisur me të gjitha tekset janë të pakëta. Zyrtarisht ende nuk është dhënë një version pse mungojnë tekset dhe pse nuk ka një menaxhim korrekt në procesin e shpërndarjeve të librave shkollore. Shitja e librave duhet të niste që më 25 gusht, por edhe pse jemi vetëm 5 ditë nga nisja e vitit të ri shkollor, procesi ka probleme të shumta.
R.POLISI