Afera e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja në lidhje me megatenderin prej 120 milionë euro të check up u denoncua dje në Parlament nga ish-kryeministri Berisha, i cili tha se paratë e kësaj afere përfunduan në xhepat e Beqes dhe klientelës. Berisha reagoi pas mbrojtjes së Beqes për ministren e skandalit të maturantëve, Lindita Nikolla.
“Këtë kohë timen unë do ta përdor për të përfaqësuar një maturante nga Fieri, e cila më thotë sa vijon, pasi dëgjoi një anëtar të organizatës kriminale që quhet qeveri, dhe që u bë këtu avokat i Lindita Nikollës, një njeri që mezi ka kaluar klasën kur ka qenë, ministri Beqaj. Ja çfarë thotë ajo: Jam një maturante që kam konkuruar në Fakultetin e Mjekësisë në katër preferenca, duke menduar që jam brenda kritereve të mjekësisë, me një mesatare 9.5 dhe lëndë të parë me zgjedhje biologji e thelluar 10, kimi e thelluar 9.5, kam dhe një çertifikatë të firmosur nga vetë zonja Nikolla, që do mbahet mend në analet e historisë si ministrja e Arsimit më shkatërruese, më e pamëshirë, si ministrja që s’mendoi gjë tjetër veçse si të pasurohet në kurriz të shkollimit të të rinjve shqiptarë.
Dhe këtu po flas vetëm për universitetet po ju nuk dini se ç’bëhet me librat, po bëhet batërdia. O deputetë, shkoni shihni si marrin nxënësit e zgjedhësit tuaj librat, si i marrin kur janë me çmimet më të shtrenjta se kurrë? Kjo zonjushë pëson një dramë të madhe shpirtërore, sepse babëzia, sepse Al Kapone i Shqipërisë, që nuk është Shullazi, por është Edi Rama, për të mbushur xhepat e tij ka vendosur të shesë të drejtat e studimit të qindra mijëra studentëve, në kundërshtim flagrant me kriteret e univeristeteve private. Dëgjova këtu këta që fillojnë e mbarojnë duke recituar këngën time, por tha një të vërtetë; ai noton nga mëngjesi deri në darkë mes Enver Hoxhës dhe Sali Berishës. Një javë përpara, katër herë tha “fshesa e hekurt do të bjeri..”. Për të gjithë ju që keni memorien e viteve ‘70, Enver Hoxha bënte një plenium ushtarak dhe ulej dhe ju thoshte se “fshesa e hekurt e partisë do bjeri dhe do pastrojë ushtrinë”, dhe 30 – 40 koka kolonelësh e gjeneralësh fluturonin. Pastaj vinte radha e kulturës. Hoxha thoshte “fshesa hekurt e partisë do pastrojë kulturën tonë”, 30 – 40 letrarë përfundonin në galeri. E kështu me radhë. Kështu thotë edhe ky dhe ju e duartrokisni. Një njëri që flet për fshesë hekuri në demokraci, flet për diktaturë. Demokracitë nuk janë fshesa të hekurta, demokracitë janë norma me standarde. Pse iku ai Ilir Kerni? Sepse nuk pranoi në asnjë mënyrë që fituesi i tenderit të zgjidhet në mënyrë kaq të paskrupullt.
Po ju o zotërinj jetoni në arat e kanabisit, realiteti juaj është bërë kanabisi. Ju jeni dehur nga kanabisi dhe mohoni çdo gjë. A e dini se 200 mijë regjistrime të check up-it janë falco, sipas KLSH kjo. KLSH ka gjetur 200 mijë regjistrime falco. Dhe ky (Beqaj) ka futur në xhepa kostot e 200 mijë check up-eve. Ndaj gjëja më e mirë është të japësh dorëheqjen, t’u kërkosh të falur. Ke keqpërdorur, jep dorëheqjen”, u shpreh Berisha.