Berisha solli dje në vëmendje shifra të frikshme në lidhje me krizën e rëndë ekonomike që ka përfshirë vendin, ndërsa denoncoi diskriminimin me fondeve për Veriun.
“Një dështim i plotë në dogana, psh muaji fundit ka 5% më pak se plani ose fix 800 milionë. Eksportet kanë një rënie të madhe në masën 96% muajin e kaluar.
Ky është suksesi tjetër i dytë. Suksesi i madh i juaji është, me këtë dekret, ulja me 25% e investimeve në Arsimin e Lartë, ulja me 35% e investimeve në kujdesin parësor, suksesi tjetër është ulja me 47% e shërbimeve në sistemin më të shpartalluar për shqiptarët që është shërbimi i urgjencës.
Suksesi tjetër është ulja me 11.7% e investimeve për arsimin profesional, suksesi tjetër është ndëshkimi i mëtejshëm shembullor i Veriut. Urrejtja patologjike e bën Edi Ramën, pas Zoografit, kryeministër i Enver Hoxhës, kryeministrin më antishqiptar të të gjitha kohërave. E shprehur në mënyrën më eksplicite në Shkodër, duke i thënë kryebashkiakes Ademi se nuk i jep asnjë kokërr leku, sikur i kishte të Spiro Kolekës dhe jo të taksapaguesve shqiptarë. Dhe e vërteta është që i ka dhënë Shkodrës më pak se Roskovecit. E vërteta është se katër prefekturat e Veriut kanë marrë më pak se katër qendra të PS të dorës së tretë. Çfarë i kishte ngelur për t’i dhënë goditjen e fundit Veriut? I kishin ngelur disa rrugë të Fondit Shqiptar të Zhvillimit që ishin kontraktuar dhe prokuruar nga ne, kishin filluar nga ne dhe duhet të përfundinin. Ishin rrugë të gjata, rrugë të vështira, njëra prej tyre e një rëndësie të padiskutueshme kombëtare siç është rruga e Vermoshit. Të tjerat janë rrugë lokale. Tani edhe këtyre ja u gjeti anën”, u shpreh Berisha.
Ish-kryeministri dënoi shkurtimin drastik të fondeve për investimet publike, ndërsa nga ana tjetër qeveria shpenzon miliona euro për rikonstruksione sallash.
“Çfarë ka bërë? FSHZH-së i ulet buxheti me 21 milionë dollarë. FSHZH nuk është vetëm në Veri, por është kudo. Por dy objekte ka më kryesoret; rrugën e Tamarës dhe rrugën e Iballës që shkon në Pukë. Rama, shkoi dje në Opera dhe paraqiti një skicë për meremetimin e një salle dhe përcaktoi se për këtë nevojiten 8.8 milionë euro. Si t’a maskojë këtë që të mos thonë njerëzit se si ka mundësi që të investohen 8.8 mln euro për një sallë dhe tha se “po investojmë në kulturë më shumë se sa 20 vite të marra së bashku”, paçka se vetëm në Gjirokastër, gjatë qeverisjes së mëparshme janë investuar në sokaqe, hane dhe ndërtesa 11.2 mln euro, të gjitha të çertifikuara nga UNESKO. Tani edhe në Pukë, thoni se keni investuar në rrugën e Qelzës më shumë se 20 vite së bashku. Ky beson se pukianët nuk e di që janë nga shqiptarët më të mençur dhe dinë ku i japin ujë Ramës më mirë se kushdo tjetër”, bëri të ditur ish-kryeministri.