Koreja e Veriut kryen një tjetër provë bërthamore

Koreja e Veriut konfirmoi se aktiviteti sizmik që u vu re dje në mëngjes në afërsi të një objekti të saj ushtarak ishte shkaktuar nga një provë bërthamore. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia shprehën mjaft shqetësim, ndërsa Koreja e Veriut tha se fjala ishte për një provokim të papërgjegjshëm nga ana e Penianit.
Një folëse e televizionit shtetëror të Koresë së Veriut lexoi deklaratën e Institutit të Kërkimeve për Armët Bërthamore, i cili konfirmonte se ishte kryer një provë e suksesshme për të vlerësuar aftësitë e një mbushjeje bërthamore, që tani mund të montohet në lloje të ndryshme raketash.
Shërbimi Gjeologjik amerikan dhe agjencitë evropiane e diktuan aktivitetin sizmik të premten, herët në mëngjes.
Pheniani nuk i kishte njoftuar paraprakisht planet e tij për të kryer provë bërthamore.
Në një takim urgjent në Seul, Kryeministri i Koresë së Jugut, Hwang Kyo-ahn e quajti ngjarjen provokim:
“Qeveria jugkoreane dhe komuniteti ndërkombëtar dënojnë fuqimisht provokimin e papërgjegjshëm të Koresë së Veriut, që është shkelje e qartë e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe akt flagrant sfidues ndaj komunitetit ndërkombëtar”. Gjatë një takimi në Gjenevë për bisedime mbi Sirinë, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov shprehën shqetësim të madh:
“Natyrisht, Japonia dhe Korea e Jugut janë veçanërisht të shqetësuara, por mendoj se është e drejtë të thuhet se edhe Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë të njëjtat shqetësime. Besoj se Presidenti Obama do të flasë sot për këtë dhe ne me siguri do ta diskutojmë në kontekstin e Kombeve të Bashkuara”, tha Sekretari Kerry.
“Po shkoj për të biseduar me ministrin e Jashtëm japonez, Fumio Kishida. Ne jemi shumë të shqetësuar. Rezolutat e Këshillit të Sigurimit duhet të zbatohen dhe ne do të dërgojmë me shumë forcë këtë mesazh”, tha ministri i Jashtëm i Rusisë, Lavrov.
9 shtatori shënon 68-vjetorin e themelimit të Koresë së Veriut dhe Pheniani në të kaluarën i ka kremtuar festat e rëndësishme me prova bërthamore dhe me lëshim raketash balistike. Koreja e Veriut ka kryer prova bërthamore në vitet 2006, 2009 dhe 2013.
Agjencia Meteorologjike e Koresë së Jugut tha se prova e sotme krijoi një shpërthim prej 10-kilotonësh, gati dy herë më të fuqishëm se sa prova bërthamore e muajit janar, por diçka më pak se bomba e Hiroshimës, që ishte rreth 15 kilotonë.

Artikulli paraprakTrump-Clinton debati për ushtrinë
Artikulli tjetërKroacia dhe Serbia në prag të konfliktit