Republikani Ted Cruz dhe demokrati Bernie Sanders fituan zgjedhjet e djeshme paraprake në Uiskonsin. Senatori Cruz mundi me lehtësi kryesuesin e garës republikane, miliarderin Donald Trump dhe rriti shanset që republikanët të kenë një kuvend të kontestuar. Kjo mund të shkaktojë përçarjen e partisë gjatë procesit të emërimit të kandidatit të saj presidencial në muajin korrik.
Për senatorin Ted Cruz Texas, kjo ishte fitorja e tij më e madhe në zgjedhjet paraprake, dhe një pengesë e madhe për kryesuesin e garës republikane, miliarderin Donald Trump:
“Sonte është një pikë kthese, është një thirrje nga elektorati i Uiskonsinit për mbarë popullin e Amerikës. Ne kemi një zgjedhje. Unë jam gjithnjë e më shumë i bindur se fushata jonë do të fitojë 1,237 delegatët e nevojshme për të fituar emërimin e partisë republikane!”
Trump pësoi ndoshta humbjen e tij më të rëndë, një humbje që ngadalësoi hovin e tij dhe ka shtuar shanset që republikanët të kenë një kuvend të kontestuar të emërimit të kandidatit të tyre në Klivëlend të Ohajos në muajin në korrik.
Donald Trump lëshoi një deklaratë pas humbjes, duke e quajtur senatorin Cruz si “Kali i Trojës” që po punon me udhëheqjen republikane në përpjekjet për t’i vjedhur atij emërimin.
Zoti Trump nuk ka mbajtur asnjë fjalim publik pas humbjes në Uiskonsin, por foli me gazetarët më parë gjatë ditës në një qendër votimi.
Donald Trump, kandidat presidencial:
“Ne në fakt kemi një fushatë shumë të mirë, dhe unë kam një epërsi tepër të madhe. Askush nuk po flet për nunrin e votave. Unë udhëheq me miliona vota më shumë se kushdo tjetër”.
Guvernatori i Ohajos, John Kasich doli i treti me një hendek të madh mes tij dhe dy kandidatëve të tjerë.
Në garën e demokratëve, Bernie Sanders pati një natë të mirë në përpjekjen e tij për të kapur kryesuesen e garës demokrate, zonjën Hillary Clinton:
“Nëse zgjojmë popullin amerikan dhe në qoftë se njerëzit e klasës punëtore, klasës së mesme, të moshuarit dhe të rinjtë fillojnë të ngrihen, të luftojnë përsëri dhe të votojnë në numër të madh, nuk ka asgjë që ne nuk mund të arrijmë!”
Sanders tani ka fituar gjashtë nga shtatë garat e fundit ndaj ish-sekretares Clinton, e cila dje bëri fushatë në Nju Jork, ku më 19 prill zhvillohen zgjedhjet paraprake të demokratëve.
Përveç zotit Sanders, zonja Clinton është duke u përqendruar edhe kundër Donald Trump-it.
Hillary Clinton, kandidate presidenciale:
“Shumë njerëz janë duke u përpjekur të përçajnë amerikanët. Do të dëshiroja që ata të vijnë në Nju Jork dhe të shpenzojnë pak kohë këtu. Dhe unë do të dëshiroja që kandidati nga Nju Jorku, Donald Trump, të dalë nga gradaçelat e tij, dhe në fakt të eci rrugëve dhe të shpenzojë kohë me njerëzit e këtij qyteti!”
Pavarësisht hovit që po merr fushata e zotit Sanders, zonja Clinton vazhdon të mbajë një avantazh të madh në numërimin e përgjithshëm të delegatëve në kampin e demokratëve.