Antoine Griezmann po luan sezonin e tretë në radhët e Atletico Madrid ku numëron 107 ndeshje dhe 57 gola të shënuar edhe pse nuk ka arritur të triumfojë në finalen e Champions League. Në shtëpinë e “Los Colchoneros”, francezi numëron vetëm një titull dhe ky fakt mund ta bëjë të mendojë largimin. Ende i zhgënjyer nga finalja e Champions dhe ajo e Euro 2016, ai planifikon të nisë një aventurë të re. Manchester United me Jose Mourinhon qëndrojnë në krye të listës së pretendentëve.
Gjithsesi, “Special One” duhet të bëjë kujdes nga një tjetër klub anglez. Bëhet fjalë për Chelsean e Antonio Contes, që ka hedhur sytë nga sulmuesi i Atleticos. Roman Abramovich është i gatshëm të firmosë një çek prej 100 milionësh për 25-vjeçarin, por në krahun tjetër, United mund ta rrisë edhe më shumë nivelin e ofertës, duke ditur se Zlatan Ibrahimoviç do ta mbyllë aventurën në fund të këtij sezoni. Derbi anglez sapo ka nisur dhe vera e ardhshme mund të jetë vendimtare në betejën mes Contes e Mourinhos, pasi mundësitë që Griezmann të qëndrojë në Madrid janë minimale.
Ndërkohë, Aleksis Sançez beson se është në të njëjtin nivel me Lionel Mesin dhe Kristiano Ronaldon. Sulmuesi kilian ka qenë shok ekipi me Mesin te Barcelona deri para se t’i bashkohej Arsenalit në verën e vitit 2014. Ai hyri menjëherë në zemrat e tifozëve të ekipit londinez dhe në 68 ndeshje kampionati ka shënuar 30 gola. Mesi dhe Ronaldo cilësohen si dy më të mirët e futbollit të sotëm dhe prej tetë vitesh e kanë monopolizuar luftën për “Topin e Artë”, por Sançez beson se është në të njëjtin nivel me ta. “Kam arritur një nivel ku mund të krahasohem me lojtarët e mëdhenj dhe nuk ndjehem inferior ndaj askujt. Cilësitë e mia mund t’i krahasoj me Mesin dhe Ronaldon, kam të njëjtat aftësi si ata”, ka thënë 27-vjeçari.