Katër ish-zyrtarë të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Kukës janë kallëzuar penalisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në mënyrë abuzive, gjatë shpronësimeve për llogari të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), kanë kryer shpronësime për Aeroportin e Kukësit në katër raste pa pasur tituj pronësie. Dëmi i shkaktuar shtetit është rreth 14,3 milionë lekë ose 104,000 euro. Shuma në fjalë është ndarë për një sipërfaqe prej 23,778 m2, duke shpërblyer 4 subjekte private.
Kështu, janë kallëzuar penalisht ish-regjistruesja e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kukës R.T., ish-specialisti hartograf H.K. dhe 2 specialistët juristë të ZVRPP Kukës B.D dhe S.T. Ata akuzohen nga KLSH-ja për shpërdorim detyre.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 311/1, datë 15.03.2016, i ndryshuar, ka ushtruar auditim në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Kukës, për periudhën 01.01.2012 deri më 31.12.2015. Në përfundim të auditimit u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, për të cilat janë rekomanduar masat përkatëse për përmirësimin e gjendjes dhe nxjerrjen e përgjegjësive, të miratuara me Vendimin e Kryetarit të KLSH-së me nr. 71, datë 29.06.2016, të cilat janë përcjellë në subjekt me shkresën nr. 311/9, datë 30.06.2016.
Nga auditimi i dokumentacionit të vënë në dispozicion në lidhje me regjistrimet e pasurive të paluajtshme në favor të Autoritetit të Aviacionit Civil “Për plotësimin e dokumentacionit të pronësisë mbi tokën që zihet nga Aeroporti i Kukësit të miratuar me Vendimin nr. 1, datë 07.01.2000 të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës, u konstatua se, pronarët që preken nga ndërtimi i Aeroportit të Kukësit, do të shpronësohen dhe kompensohen për sipërfaqen prej 512221 m2 “Tokë bujqësore”, 1821 m2 “Truall”, 771 m2 sipërfaqe objektesh, 617 copë drufrutorë dhe 8,294,936 lekë për kulturat bujqësore me një vlerë të përgjithshme 337,153,976 lekë dhe me afat përfundimi të shpronësimit 31.03.2004.
Nga verifikimi i dokumentacionit të vënë në dispozicion nga ZVRPP, rezulton të jenë kryer 6 aplikime nga Autoriteti i Aviacionit Civil për regjistrimin e pasurive të shpronësuara, sipas referencave me nr. 0943, 0944, 0945, 0947, 0950 dhe 0951 gjatë periudhës korrik 2015- korrik 2016 për regjistrimin e 65 pasurive me sipërfaqe totale 181123 m2. Megjithëse kishin kaluar rreth 11 vjet nga dalja e Vendimit nr. 95, datë 20.02.2004, nuk është regjistruar e kaluar pronësi “Shtet” ndaj Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) sipërfaqja prej 331098 m2.
Nga krahasimi i regjistrimeve të kryera, sipas 6 referencave, evidentuar në listën e miratuar të shpronësimeve, rezulton se për 65 subjekte, janë regjistruar 12548 m2 më shumë se sipërfaqet e përcaktuara në listat e shpronësimit, të cilat me çmimin 600 lekë/m2, vlerësohen në 7,528,800 lekë.