Rrugët e bllokuara dhe që nuk përfundojnë së ndërtuari

Dy akset kryesore rrugore në ndërtim gjatë mandatit të qeverisë aktuale, Bay Passi i Fierit dhe ai i Vlorës janë bllokuar dhe punimet ka gjasa do të shtyhen përtej afatit të përcaktuar në kontratë, u bë e ditur në martën në Komisionin parlamentar të Ekonomisë.
“Një nga problematikat kryesore të “By Pass”-it të Fierit është edhe kostoja e ulët jo reale e tenderimit dhe çështja kryesore ka të bëjë me kontraktorët dhe nënkontraktorët. Të dyja “By Pass”-et, janë në tryezë për bisedime intensive të qeverisë për zgjidhje”, deklaroi ministri i Financave, Arben Ahmetaj në një seancë të Komisionit parlamentar të Ekonomisë ku u diskutua Akti Normativ për ndryshimin e buxhetit të shtetit.
Të dy rrugët kanë rëndësi të veçantë për lehtësimin e qarkullimit në akset kryesore rrugore të Shqipërisë, pasi synojnë të devijojnë trafikun nga dy qytetet e mëdha të Shqipërisë së Jugut. Të financuara me kredi të huaja nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Banka Europiane e Investimeve, (BEI), këto janë të vetmet rrugë të reja të nisura gjatë mandatit të qeverisë aktuale dhe duhej të përfundonin së ndërtuari rreth vitit 2017, por punimet pritet të zgjaten më tej, pasi në këto rrugë prej muajsh nuk punohet.
Bay Pasi i Fierit është një autostradë 22 kilometra e gjatë që duhet të lidhë zonën e Mbrostarit me autostradën ekzistuese Levan – Vlorë pranë qytezës së Levanit, duke shmangur kalimin në qytetin e Fierit dhe rrethinat e tij për mjetet që udhëtojnë në aksin Veri – Jug. Gjatë projektimit, kjo autostradë u vlerësua se do të kushtonte rreth 60 milionë euro, të gjitha të financuara me kredi. Por në tenderin e zhvilluar, kompania italiane Serenissima ofroi kryerjen e punimeve për më pak se 40 milionë euro, 20 milionë më pak se sa fondi limit. Lajmi i mirë i kursimit të parave gjatë tenderimit duket se nuk do të vijojë gjatë, për shkak se Ahmetaj deklaroi sakaq se kryerja e punimeve për këtë shumë është “joreale”, duke sugjeruar se tashmë do t’i bjerë qeverisë të hyjë në bisedime me kompaninë sipërmarrëse për të paguar para shtesë. Dega e kompanisë sipërmarrëse në Shqipëri, Serenissima Costruzioni Tirana, deklaroi bilanc me humbje prej 156 milionë lekësh (rreth 1.1 milionë euro) për vitin 2015, pasi pati deklaruar humbje prej 166 milionë lekësh në vitin 2014.
Kompania duket se është në paaftësi paguese, pasi në Qendrën Kombëtare të Biznesit janë regjistruar pesë praktika për bllokimin e aksioneve të kompanisë nga kompani përmbarimore, të cilat po përpiqen të mbledhin detyrime të ndryshme të prapambetura.
E njëjta kompani ka fituar gjithashtu tenderin për ndërtimin e rrugës tjetër të rëndësishme, Bay Passit të Vlorës, një projekt që parashikon ndërtimin e një rruge 29 kilometra të gjatë, kostoja e të cilës qe vlerësuar në 53 milionë euro, por tenderi për të u fitua nga kompania Serenissima për 35,3 milionë euro. Rruga duhet të lidhë autostradën ekzistuese në hyrje të qytetit të Vlorës me rrugën e Bregut të Jugut pranë Orikumit, duke kaluar në kodrat mbi qytetin e Vlorës në lartësinë 300-500 metra mbi nivelin e detit dhe duke hequr trafikun drejt bregut nga qendra e qytetit. Kontrata u nënshkrua në mars 2015 dhe punimet duhej të përfundonin brenda 30 muajve, ose rreth fillimit të vitit 2018.
Segmenti tjetër rrugor ku punimet janë bllokuar tashmë prej vitesh është autostrada Tiranë–Elbasan. Këtu, kompania fituese e tenderit COPRI – AKTOR ka raportuar humbje të stërmëdha prej dhjetëra milionë eurosh gjatë viteve të fundit.

Artikulli paraprakGjykata e Apelit rrëzon kërkesën e Shullazit për lirimin nga burgu
Artikulli tjetërStadiumi i Shkodrës si Lungomarja e Vlorës simbole të vjedhjes së piktorit dështak