Mimoza Hajdarmata
Një nënë e stërmunduar nga Tropoja më shkruante se prej muajsh ishte në hall dhe mendonte si do të siguronte jetën e vajzës në konvikt në Tiranë, por tani tha ajo edhe këto mendime –vuajtje të ëmbla u përmbysën sepse vajza nuk figuron tek listat fituese dhe kjo nënë me të drejtë më pyeti nëse a janë prindër deputetet dhe ministrat apo hyena që nuk ngopen me vuajtjet e këtyre njerëzve? Një tjetër më shkruan se ka katër fëmijë, i madhi hidhet në vitin e dytë të shkollës së lartë ne Durres. Vitin e parë e kemi ndihmuar me borxhe, por tani po detyrohemi ta mbajmë në shtëpi pasi nuk kemi të ardhura të tjera përvec ndihmës ekonomike dhe 3 të tjerëve shkolla po u fillon dhe nuk kam me çfarë tua blej as librat. Nuk ka turp më të madh sot për këtë parlament, kur pjesa më e madhe i kanë fëmijët nëpër shkolla jashtë Shqipërisë, në komoditet e para, lë pa mëshirë ose më saktë në mëshirë të fatit mijëra të rinj të talentuar, me vullnet e që me aq shumë sakrificë nga prindërit e tyre u mbyllen dyert nga krimi në arsim, nga korrupsioni në arsim, nga trafikimi në arsim, sepse kjo ishte reforma e rilindjes në sektorin më bazik të një shteti që është arsimi e më pas shëndetësia.
E keni kthyer shkollën jo në vatrën e dijes, por vatrën e zhvatjes, e turpit, e fyerjes së djemve e vajzave dhe të lëndimit të mijëra baballarëve e nënave që po i rritin me mund e me shumë sakrificë fëmijët e tyre. Dhe nuk ka absurd më të madh se sa aktet që sillni këtu në emër të ratifikimeve të marrëveshjeve apo projektligjeve të ndryshme, kur asnjë taksë e paguar me aq mund nga shqiptarët nuk shkon në investime publike por në grabitjen galopante të klientëve të qeverisë, luks, mirëqënie, pse jo edhe bursa studimi për fëmijët, nipër e mbesa, në universitetet më cilësore të SHBA dhe Evropës.
Vera që po lemë pas, shënoi një bilanc lufte me jetët e humbura nëpër aksidente. Aksidentet janë shtuar në mënyrë dramatike dhe qytetarët u bënë dhe po bëhen cdo ditë, dëshmitarë të skenave fatale nëpër rrugët e vendit shoqëruar me një ineficencë të policisë e cila bëhet prezente gjithnjë pas ngjarjeve, pasi janë më së shumti të angazhuar me ruajtjen e parcelave të hashashit. Dhe burimi i të gjithave këtyre aksidenteve nuk ishte mungesa e studimeve por mosinvestimi në infrastructure, në ato që njihen si pika të rrezikshme si dhe në akset që për shkak të fluksit të turistëve mbingarkohen në sezonin e verës. Ne sot flasim për ratifikim të një marvëshje me ndikim në sektorin e infrastrukturës kur pikërisht një nga kryeveprat historike të zhvillimit të shqiptarëve, Rruga e Kombit është kthyer në një mollë sherri për pazaret dhe interesat e pakufijshëm të mafies në pushtet.
Dorëheqja e ministrit Haxhinasto kaloi në terr informativ si vetë koncesioni i mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit dhe që më pas dhe vetë anullimi i tij. Edhe një telenovelë e jetës së Eskobarit do të ishte më e sqaruar dhe më e kthjellët sesa filmi, që realizon Rama cdo ditë me zyrat e propagandës së tij. Duke mbetur tek shqetësimi dhe alarmimi i shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë por dhe më tej, që me finalizimin e kontratës së mirembajtjes do të vendoset edhe një taksë për cdo automjet që qarkullon në këtë rrugë, jo pak por 5 euro për secilin sens levizje. Për të hedhur dritë mbi kostot e mbajtura sekret të këtij koncesioni, BIRN ben prezent se ka kërkuar që para vendimit të KPP-së, të mund të merrte një kopje të ofertës fituese për të parë fluksin e parashikuar të mjeteve që do të qarkullojnë në Rrugën e Kombit si dhe koston e premtuar të subvencionimit nga buxheti i shtetit, për të krijuar një ide të përafërt mbi koston totale që ky koncesion do të ketë në xhepat e shqiptarëve dhe vlerës së përgjithshme të investimeve, por ka marrë pergjigje negative nga Ministria e Transportit.
Para disa ditësh bashkë me kolegë të tjerë dhe të zgjedhur vendor nga Qarku i Kukësit, morëm pjesë në një tryezë të përbashkët me përfaqësues të shoqatave të biznesit dhe shoqerinë civile në Kukës për të dikutuar mbi këtë shqetësim madhor për zonën tonë por jo vetëm. Argumentat e sjellë nga ata se përse e kundërshtojnë taksën dhe që paralajmërojnëedhe ndërmarrjen e hapave konkret për ta refuzuar permblidhen si më poshtë: Autostrada është ndërtuar me fonde publike pra nga taksapaguesit shqiptar. Cdo mjet që qarkullon në territorin shqiptar, sipas nenit 2 të ligjit 157/2014, paguan taksën e qarkullimit e cila i dedikohet mirmbajtjes së rrugëve. Qarku i Kukësit nuk ka një rrugë tjetër alternative që e lidh me pjesën tjetër të vendit, në mënyrë që përdoruesve të rrugës tu lihet hapsirë zgjedhje.
Mospërputhja e taksës me strategjinë kombëtare të turizmit dhe humbja financiare që shkaktohet nga aplikimi i saj në këtë sektor jetik. Me vendosmëri ata parashtrojnë që qeveria ose të kthejë mbrapsht dhe anullojë aplikimin e taksës ose të shfuqizojë ligjin 157/2014 dhe të heqë taksën mbi karburantin. Kush e di se për cfarë përdoret taksa e qarkullimit, në një kohë që mirëmbajtja e rrugëve është në minimumin historik?! Taksa është një veprim në vijimësi i kësaj qeveria antitreg, anti biznes, fobike ndaj veriut dhe mbi të gjitha kundër bashkimit të shqiptarëve në të gjithë Rajonin. Kjo taksë e fut në një kolaps shkëmbimin tregtar, komunikimin ndërsektorial mes Kosovës e Shqipërisë por edhe më gjerë dhe sigurisht trondit rëndë turizmin. Ajo rrugë duhet ti bashkojë për zhvillim shqiptarët e dy shteteve e jo ti ndajë, për ti shtyrë edhe më shumë drejt varfërisë.
Nga ana tjetër Veriun e izolon edhe më tej dhe mbyll edhe më shumë ato pak hapesira për tregti e punësim. Eshtë demagogji krejt manipuluese se taksa kaq e lartë i duhet mirëmbajtjes së rrugës. Në fakt i duhet kësaj qeverie dhe kryeministri të marrë edhe më shumë nga mundi e sakrifica e shqiptarëve. Një aferë e pastër me miliona euro cdo vit, një barrë e re e vendosur në kurrizin e shqiptarëve, sipas skemës së qeverisë për 30 vite me radhë, në emër të mirëmbajtjes së rrugës. Por të jeni të bindur se nuk do i gezojë të ardhurat e saj. Mendoj dhe historia më jep të drejtë në konstatimin se, qeveria dhe mazhoranca juaj ka gjeneruar më shumë kriza se nga çdo periudhë tjetër të rëndë historike për Shqipërinë që nga themelimi i shtetit në 1912.