Gjendja debitore e kompanisë publike të shpërndarjes së energjisë u thellua në vitin 2019 duke regjistruar nivelin 72.5 miliardë lekë, me rritje 1% në krahasim me një vit më parë. Kjo situatë ka qenë në luhatje të vazhdueshme nga viti në vit duke mos ruajtur ndonjë trend të rregullt ulës edhe pse brenda kategorive që kanë akumuluar debinë dhe që e paguajën rregullisht atë, familjarët duket se janë më të rregulltit.
Sipas të dhënave që jepen nga OSHEE, rezulton se debia për familjarët, nga 48.1 miliardë lekë që ishte në vitin 2018 është ulur në 46.6 miliardë lekë në fund të vitit 2019. Ndërkohë ulje modeste me pak më shumë se 100 milionë lekë ka pasur edhe debia e kategorisë private ku janë bizneset. Kjo debi në total në fund të vitit 2019 ishte 11.3 miliardë lekë.
Insiutcionet jobuxhetore kanë thelluar gjendjen e tyre debitore pranë OSHEE me një rritje prej 24 për qind në raport me vitin 2018. Të dhënat zyrtare tregojnë se në fund të vitit 2019 gjendja debitore e këtyre insitucioneve arriti 9.3 miliardë lekë. Rritje ka pësuar edhe gjendja debitore e institucioneve buxhetore teksa nga 3.1 miliardë lekë në fund të vitit 2018 ajo ka arritur në 3.68 miliardë lekë.
Tendenca rritëse e borxhit të institucioneve ndaj kompanisë publike të shpërndarjes së energjisë sa i takon pjesës së buxhetorëve është vënë re nga viti 2015 kur ishte 1.9 miliardë lekë dhe e njëjta gjë vihet re edhe tek insitucionet jobuxhetore që në harkun e 5 viteve e kanë rritur me më shumë se tre herë këtë debi.
Më së shumti tek institucionet dominojnë ujësjellësit, spitalet, shkollat, ndërmarrjet e ndriçimit në qytete, por nuk përjashtohen edhe ente të tjera publike.
Në fund të marsit të këtij viti OSHEE bëri me dije se do të falte kamatvonesat e energjisë të krijuara deri më 31 dhjetor 2019, por sqaroi se principali do të mbetet aktiv dhe duhet të vazhdojë të paguhet. Sipas shifrave të bëra publike nga OSHEE nga kjo nismë përfitojnë në total 227,568 abonentë, prej të cilëve 205,228 janë familjarë dhe 22,340 konsumatorë biznes. Shuma totale e falur e kamatvonesave llogaritet në në 15,8 miliard lekë.